Para disa ditësh, Roma u përfshi në flakë ashtu si në kohën e Neronit dy mijë vjet të shkuara. Lëvizja e të indinjuarve mundi të organizojë rreth 100 mijë njerëz për të protestuar. Po atë ditë u zhvilluan protesta edhe në 958 qytete të 82 vendeve të botës, por jo të përmasave shkatërruese si në Itali. Lëvizja e “Të indinjuarve” zuri fill fillimisht në Spanjë për shkak të krizës ekonomike e më pas mori përmasa globale. Po në Shqipëri a ka të “indinjuar”? A ka shkaqe e motive për të protestuar? Nëse po, cili është numri i tyre? Përse nuk protestohet atëherë? Mos jemi të kënaqur dhe nuk është i nevojshëm protestimi! Ky shkrim do mundohet t’i japë përgjigje këtyre pyetjeve, në mënyrë modeste.
A nuk janë të indinjuar të papunët, me gjithë premtimet e mëdha elektorale për punësim dhe shifrave optimiste të qeverisë, numri i tyre sa vjen e rritet, kjo edhe për shkak të krizës ekonomike në Greqi. Me gjithë fjalët e shpresës nga kryeministri në paraqitjen e buxhetit të shtetit, të çdo viti, për daljen nga varfëria ekstreme, familjet e varfra vazhdojnë të marrin ndihmë ekonomike të plotë sa vlera e dy bukëve në ditë. Pensionistët, që çmimet janë duke vrapuar në autostradë, ndërsa përqindja e rritjes së pensionit ecën në rrugë me pengesa. Personat me Aftësi të Kufizuar jetojnë ende në kufirin e varfërisë, duke ua shtuar edhe më tepër dhimbjen, përveç përplasjes me fatin e tyre. Mjekë, mësues, punonjës të administratës që nuk janë të lirë t’i shfaqin lirisht bindjet politike, por pushohen nga puna për këtë shkak. Punonjës në sektorë të vështirë që marrin paga qesharake, në miniera punohet pa rregullat e sigurimit teknik, ndërsa në ndërtim punëtorët me punë të zezë mund të quhen skllevërit e kohëve moderne. Njerëz që u duhet të shkojnë në spital e nuk marrin shërbimin e duhur pa paguar nën dorë, apo mungesës së mjeteve e ilaçeve. Në administratat lokale përballesh me paaftësi punonjësish, korrupsion të lartë e njëanshmëri shërbimi. Pronarë tokash me letra në dorë, por pa tokë në fakt dhe e kundërta. Njerëz që përballen në dyert e gjykatave, por në shumë raste drejtësia është e kushtëzuar nga ryshfeti e korrupsioni. Ish të përndjekur politikë që për shkak të burokracisë së tepruar nuk përfituan nga ligji i dëmshpërblimit, ose ata që mundën të përfitojnë, nuk po i marrin paratë në kohën e duhur me gjithë moshën e tyre të avancuar. Mund të vazhdoja dhe më tej, por edhe kaq do të mjaftonin për të ngritur në protestë një numër të konsiderueshëm njerëzish në çdo kohë.
Si për koincidencë, ditën e lëvizjes globale “Të indinjuarve”, një grup tifozësh në Shkodër protestuan në stadiumin e qytetit ndaj Bamir Topit, i cili ishte duke ndjekur ndeshjen e futbollit, se u ndien të fyer nga replikat e tij me kryetaren e parlamentit për gjuhën, më pas çuditërisht mori përmasa të mëdha mediatike. Edhe pse Presidenti, siç kundër sqaroi më vonë, nuk kishte si qëllim denigrimin e gjuhës gege, por vetëm replikimin ndaj Kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli, protesta e tifozëve konsiderohet e drejtë e duhet respektuar. Përkundër kësaj, dy- tre ditë më parë na ishte mohuar kërkesa për anëtarësim në Bashkimin Europian, arsye madhore për të protestuar masivisht, por kjo nuk ndodhi as atë ditë e as më vonë. Hyrja në këtë organizëm të rëndësishëm do na mundësojë më shumë liri lëvizje mallrash, kapitalesh, njerëzish, respektim i të drejtave të njeriut, demokraci më reale, korrupsion më të ulët, mirëqenie më të lartë.
Në vend që qeveria të jepte arsyet reale e të reflektonte me dorëheqje të ministrave përkatës, ndërsa opozita të kërkonte ndjesë për ndonjë gabim strategjik të përdorur gjatë kësaj kohe, vazhdojnë të hedhin topin e fajit sa nga njëra palë tek tjetra. Populli mund t’i ndëshkonte me votë në zgjedhjet e përgjithshme, ashtu siç ndodh gjetiu në demokracitë e zhvilluara, por kjo ka pak gjasa të ndodhi në Shqipëri, për deri sa vota e lirë ende nuk po respektohet sa e si duhet. Rol që populli ia ka caktuar opozitës, e cila duhet të gjejë mekanizmat përkatës dhe rrugët e duhura, për të bërë të mundur demokracinë e lirë. Por edhe sikur kjo të jetë e mundur, zgjedhjet bëhen një herë në katër vjet, ndërsa problemet ndodhin në vazhdimësi. Atëherë votuesi ka në dorë “gurin” tjetër, atë të protestimit, kjo si një lloj tërheqje veshi klasës politike, institucioneve shtetërore dhe politikanëve të veçantë, për punën e dobët e të pamjaftueshme të tyre. Kjo do të ndihmonte votuesit për të dhënë gjykim të drejtë në zgjedhjet e ardhshme. Ndërsa protesta në Shkodër qe koincidencë, mohimi i kërkesës në BE përbënte arsye madhore për protestë në kuadër të lëvizjes globale “të indinjuarve”, por dhe më pas. Këtu nuk është fjala për të dëmtuar e shkatërruar ashtu si në Romë, por për protesta të civilizuara dhe për të hequr mendimin e krijuar se ne “shqiptarët o nuk protestojnë fare, ose protestojnë dhunshëm”. Format dhe mënyrat e protestimit janë të gjithanshme e të shumëllojshme.
Së fundi, Fondi Monetar Ndërkombëtar raportoi se Shqipëria mund të ndikohet nga kriza ekonomike e vendeve fqinje, duke dhënë dhe këshillat e nevojshme, por Ministri i Financave garantoi se financat e qeverisë janë të shëndosha, dhe, se janë marrë masat e duhura. Le të shpresojmë që të jetë ashtu si thotë ministri, por gjithkujt i kujtohet se edhe në vitin 1996 kështu do të deklaronte, kur ky organizëm dha alarmin për firmat piramidale, por në fakt ndodhi e kundërta. Gjithsesi, askush nuk e dëshiron këtë, por paralajmërimi është i nevojshëm për ata që ecin në rrugë të gabuar.