Klithma nga qorrsokaku

31 Tetor 2011, 11:45Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Autoritetet e Kosovës për 12 vjet nuk kanë bërë asnjë plan serioz për integrimin e veriut. Është pritur se problemin do ta zgjidhin të huajt. Edhe tash pritet dhe bëhet pseudopolitikë me propozime për krijimin e ministrive virtuale

 

Aventura e Qeverisë së Kosovës në veri, ku u “intervenua” pa plan, pa strategji dhe pa polici të përgatitur për kryerjen e misionit të deklaruar, po vazhdon. Derisa pritet që bashkësia ndërkombëtare t’i zgjidhë problemet, në opinion hidhen granata me mjegull. Së fundi një këshilltar i kryeministrit, i cili në opinion paraqitet sa herë që shefi i tij i ka punët pisk, tha se duhet të themelohet një ministri për veriun. Ende nuk dihet se çfarë detyre do të kishte kjo ministri – bashkërenditjen e punëve të qeverisë në veri? Trajtimin e veriut si zonë të veçantë territoriale? Bashkëpunimin formal mes veriut autonom dhe qeverisë qendrore në Prishtinë? Një zyrtar tjetër i qeverisë, njëri nga zëvendëskryeministrat, tha se nuk kishte dëgjuar për propozime të tilla. Mozaikun e tmerrshëm, shpesh madje edhe qesharak të këtyre deklaratave e plotëson edhe ministri i Brendshëm me krekosjet e tij se sa i përket patriotizmit i “bart në xhep” disa kamionërrëzues.

Çfarë na tregon kjo kakofoni brenda Qeverisë? Na tregon mungesën e një plani të veprimit. Tani nuk iu ka mbetur asgjë tjetër veçse të klithin nga qorrsokaku, madje të akuzojnë kritikët e gabimeve të tyre për mendime – hopa – “etnonacionaliste”. Komenti më i mirë për deklarata të kësaj kategorie është motoja e filmit më të ri me Rowan Atikinsonit (i njohur si Mister Bean) – “Nuk trembet, nuk tutet, nuk ka lidhje”.

Komentin tjetër, jo humoristik, por serioz, e dha ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë. Në një radio të serbëve kosovarë ai tha: “Sa i përket Planit të Ahtisaarit mendoj se ai tashmë është shumë zemërgjerë. Ai serbëve në Kosovë, por edhe komuniteteve të tjera u ofron mjaft liri dhe unë çdokujt do t’i kisha sugjeruar që së pari ta lexojë atë plan dhe të njihet me atë që shkruan aty, para se të fillojë të flasë për ndryshimet”. Më mirë po i mbron interesat e Kosovës diplomati gjerman sesa Qeveria e Kosovës. Në vend të një fushate të vendosur, e cila do të kishte për synim kryesor bindjen e bashkësisë ndërkombëtare se Plani i Ahtisaarit është maksimumi që mund të ofrojë Kosova nga kthinat qeveritare rrjedhin ide kapitulluese. Ndoshta kërkesat për ministri për veriun janë vetëm paralajmërim për “statusin special” për veriun.

Ky shtegtim me sy të mbyllur nuk do duhej ta befasonte opinionin kosovar. Por, gjithsesi do duhej ta pikëllonte për nivelin e përfaqësimit politik aktual. Bisedimet me Serbinë nuk kanë ardhur si rrebeshi i shiut në qiell të kaltër. Është ditur se Kosova duhet të bisedojë e të negociojë me Serbinë. Në vend të krijimit të një konsensusi mes të gjitha forcave politike para këtyre bisedimeve, partia më e madhe politike (më e madhe për shkak të shkathtësisë votëplaçkitëse!) e gjeti një partner koalicioni totalisht joserioz, që synim të vetëm ka mirëqenien personale dhe kënaqjen e egos megalomane të disa dështakëve politikë. Kështu nisi aventura qeverisëse dhe negociatore me Serbinë  – pa konsensus ndërpartiak dhe duke injoruar disponimin e përgjithshëm të opinionit. Ky disponim kritik nuk lidhet me ndonjë inat personal ndaj Qeverisë, por me bindjen se rruga e trasuar kokë më vete është gabim.

Konsensusi do të ishte krijuar sikur kjo Qeveri të ishte e mençur për t’i treguar opinionit se për rrëshqitjen e veriut në përqafim të Serbisë fajtorë është gjithë skena politike kosovare. Për 12 vjet autoritetet e Kosovës nuk kanë bërë asnjë plan serioz për integrimin e veriut. Edhe ndonjë propozim i vlefshëm është injoruar. Në vend se të përpiqet të krijojë një dialog me opinionin, Qeveria i lëshon prej kolibes “pitbullët” publicistikë, të cilëve qëmoti nuk u beson askush për asgjë. Ndonjëri prej tyre është bërë asht e lëkurë duke pritur nëse shefi zemërngushtë një ditë do bëhet zemërgjerë dhe do të hedhë ndonjë kockë në kolibe.

Pra, dështimi në veri është i përbashkët. Pyetjet “a po bashkohet Mitrovica” ose “ç’po bëhet me Mitrovicën” tashmë kanë marrë konotacion bizar-humoristik. Kontributin e tyre për këtë situatë të rëndë e kanë dhënë të gjitha partitë parlamentare shqiptare prej vitit 1999, me përjashtim të “Vetëvendosjes”, e cila tek së fundi hyri në Parlament. Gjatë fundjavës u njoftua me bujë se Komuna e Mitrovicës do t’ua paguajë shpenzimet e transportit studentëve shqiptarë nga veriu i Kosovës. Ky vendim vjen me 12 vjet vonesë. Të shohim tani sa paguan Serbia: sipas një studimi të Qendrës për Politikë Praktike në Beograd, shteti serb që nga viti 1999 ka dhënë 6 miliardë euro për institucionet ilegale serbe në Kosovë. Për çdo vit Serbia i mbështet strukturat paralele me gjysmë miliardi euro. Me fjalë të tjera: në çdo sekondë nga buxheti i Serbisë për rikthimin e Kosovës paguhen nga 16 euro! Secili serb për çdo vit paguan rreth 63 euro për ëndrrën e sundimit të Beogradit në Kosovë. Ne, ndërkaq, investimin e vetëm e kemi pyetjen: “A po bashkohet Mitrovica?”

 

1 komente në “Klithma nga qorrsokaku”

  1. PISHA FLAMUR says:

    Dakort me artikullin si përmbajtje, por kosova e përçar rëndë nga Agjenti i UDB-së Sali Berishoviq,është mbështetës i këtij të fundit, i cili po shet Shqipërin e Jugut, dhe po krijon dinastin anti kombtare Esatiste. Kjo tragjedi duhet demaskuar ta marri vesh ç,do Kosovar të vërtetën se kush po e humbet gjakun shekullor të tyre. FLM.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje