Kunati i Lulit sqarohet me sahatçiun e Kullës së Sahatit

8 Nëntor 2011, 20:59Antena TEMA

Kunati i Lulit kishte një javë që merrej me guidën për tu prezantuar grave diplomate ditën e parë të veprimtarisë “Mirëserdhe në Tiranë”. Lili dhe Ana Maria do të bashkëdrejtonin grupin. Problemi i parë që ju krijua Kunatit ishte historia e Kullës së Sahatit. Kërkoi diçka për historinë e saj, por s’po e gjente. Dikush i tha se e ka bërë një Tufinë që ka dyqan në Pazar të Ri. U ngrit e shkoi. Gjeti një pasardhës Tufine që kanë qenë sahatçinjtë e Tiranës.

-Unë jam zoti Kunat, i tha, d.m.th si të të them Kunati i Lulit siç më njihni ju…

-I këtij të Bashkisë. e pyeti Tufina i ri.

-Po, jam zoti Kunat dhe duam të promovojmë Kullën e Sahatit. Më ndihmo pak me thënë ca gjëra për historinë e saj…

-Po ça me të thënë unë mor djalë, atë e ka pas bë katragjyshi im, Ismaili, atij i zijshin duart fort për sahate, ne s’ja themi shumë.

-Po ça mbani mend ju, çfarë mbani?

-Ça me të thonë, mbaj men kur isha i vogël që katunarët kur vijshin në Tironë bëjshin foto tek Kulla e Sahatit. Masanaj doli modë që bojshin tek Skënderbeu. Ime ky Kunati jot e ka bo rrëmujë atë venin aty tek Skënderbeu dhe po bone foto del me të pasmet e kalit. Nuk është mirë me bo njeriu foto ene t’i dalin topet e kalit mbi koke.

Kunati u zu ngushtë.

-Kemi njerëz të rëndësishëm, tha, dhe na duhet t’i çojmë tek Kulla e Sahatit, nuk i çojmë tek Kali.

-Kush janë mer jahu, tha Tufina i ri.

-Është zonja Lili dhe Zonja Ana, se janë gratë diplomate për Tiranën.

-Kush o kjo zonja Lili mer se nuk e njof?

-Gruaja e zotit kryeministër, tha Kunati.

-Allahile, po pse nime gjeti me vizatu Kullën ajo zoja, ka rone në Tiranë ka 50 vjet?

-Po është dhe me zonjën Ana Maria, është gruaja e këtij ambasadorit të OSBE.

-Allahile, ai o burrë i mirë. E kena ftu një ditë me pi birra e me hongër qofte ktu tek Pazari i Ri se na kanë thonë që i lezetojnë shumë. Vallahi për atë keni ba mirë se ajo s’ka ku ka pasë me e pa. Ata vijnë prej Gjermanie ene atje s’ka kulla si kjo jona. Atje ka katedrale të larta, të mëdha, që të merren mendtë me hipë. Tek Kulla jonë hip për një dy minuta.

-Po çfarë tu them ndonjë gjë për historinë e Kullës, pyeti me ankth Kunati.

-Nga gjuha qenke lab zotrote, kur ke ardhë në Tironë?

-Kur isha i vogël, i tha Kunati i skuqur.

-Po yt kunat?

-Atij i ka ardhë një gjyshe nga Kosova dhe një gjysh nga Dibra.

-Mirë, po zonjës Lili?

-Asaj i ka ardhë nëna nga Beogradi, baba nga një fshat shqiptar i Malit të Zi.

-Mirë, po zonja Ana Maria

-Ajo nga Gjermania…

-Kë keni të parin për urbanistikë në Bashki, mos është gjë venali?

-Është një arktiket që e kam pasë tek pallati në Vlorë.

-Po shefe kuadri ne bashki se ajo duhet me i njofto venalijtë?

-Jo, është gocë e tezes nga Tepelena.

-Po kjo që mbledh taksa se ajo duhet me e njoftë vendin.

-Jo, kam vu motrën e shoferit, s’janë venali…

-Mirë, u sqarova, tha Tufina. Nuk qeki venali d.m.th. Po ça me të thonë unë ty, ça me thonë për Kullën e Sahatit. Thuaj që kjo kulla veç një herë është turpnue. Kur ka dashtë me e shit njoni që është shumë i njoftun në Tironë, po s’po ta them emnin se na del muhabeti. Ai gjeti nja dy katunarë dhe ua shiti Kullën e Sahatit dhe i la ta ruanin pasi mori kaparin. Pritën katunarët gjithë ditën e ai s’u bo më i gjallë. Pasandaj erdhi policia tek ne që kishim bo Sahatin e na pyeti mos e kishim shitë ne tek katunarët. Jo, i tha gjyshi, ne e kena bo për Tironën. Atëherë gufoi policia ene e gjeti mo atë mashtruesin. Pash Zotin se turpnohena me gratë e botës, mos e shisni prapë, se na vjen policia prapë tek shtëpia, ene tani nuk është si në atë kohë. Tani të rrasin mrena e të kërkojnë lekë me dalë. Atëherë i sqaroheje dhe iknin.

-Jo, jo, tha Kunati i zënë ngushtë. Ne duam thjesht ta vizitojnë njerëzit dhe të nxjerrë bashkia ndonjë lek.

-Po mer vëlla se dhe Li mashtruesi noj lek xhepi nxori atëherë, duke shitë Sahatin. Pash Zotin mos e shisni përsëri se më kthehet përmbys katragjyshi në varr. Se kom digju fjalë të këqija për këtë kunatin tënd.

-Po iki, tha i inatosur Kunati i Lulit.

-Mos ma merr për ters mer çun, po veç ajo Kullë ka metë, me na e shit dhe atë s’na ka ngelë gjë ne venalive.

1 komente në “Kunati i Lulit sqarohet me sahatçiun e Kullës së Sahatit”

  1. ilirkoktulmeta says:

    KY KUNATI PO E SHITI KULLEN E SHET PER SKRAP SE MEDEMEK S PUNON KJO ORA E VJETER SE E KA ZONE NDRYSHKU DHE NE VEND TE ORES DO VEJNE NONJI BUST SALE SI PISHTAR I DEMOKRACISE ,PAK A SHUME SI STATUJA NE AMERIKE POR PAK ME E VOGEL, SE BASHKINE NA E LANE TE VARFER SOCIALISTAT.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje