Doktori bën kompromis me Fevzon për Toptanët dhe Haxhi Qamilin

28 Tetor 2011, 19:55Antena TEMA
Doktori bën kompromis me Fevzon për Toptanët dhe Haxhi Qamilin

Pas zhurmës që u bë rreth fatkeqësive që i kishin shkaktuar Shqipërisë Toptanët dhe Haxhi Qamili, Fevzo u vu në vështirësi të mëdha. Ai ishte i qartë se Doktorit i iku kot ajo fraza, por atij i prishi shumë punë. Gjithandej ishte marrë sikur kishte një luftë të ftohtë mes Fevzos dhe Doktorit. Dikush thoshte nuk kanë ndarë mirë pjesën me fëmijët tek Gjiri i Lalzit, të tjerë thoshin nuk janë marr vesh për tokat që do marrin tek lulishte e parlamentit, të tjerë thoshin nuk kanë rënë dakord për përqindjet tek pallati që po bëhet para PD-së. Të gjitha këto ishin një tmerr për Fevzon. E para se ishin të pavërteta, por ajo që ishte më e rëndësishme, krijonin thashethemin e frikshëm që mes tij dhe Doktorit kishte një krisje.

Megjithëse pati presion nga fisi i Toptanëve të reagonte, Fevzo heshti. Ja la në dorë reagimin një pinjolli të Murat Toptanit, që nuk ka lidhje me degën ku është birësuar Fevzo, që është dega e Esat Pashë Toptanit. Por thashethemi vazhdonte të ecte më shpejt se sa e kish menduar Fevzo. Në emisione filluan t’i vinin SMS që e krahasonin me Esat Pashë Toptanin. Biles një tropojan ng Brukseli i kish shkruar “po ja drodhe prapë Doktorit, si Esat Pasha ke për ta gjetur”.

Kjo e shqetësoi shumë, pasi i prishte shumë punë. Vendosi të lërë një kafe me Doktorin, t’i çojë një kopje të librit për Enver Hoxhën dhe me takt t’i hapë këtë bisedën e Toptanëve.

Shkoi në zyrë dhe i dhuroi librin.

-Ka dalë shumë mirë, tha. Duhet të flasësh me Berluskonin, pasi kur ishte herën e fundit këtu, ai na premtoi që bëni një libër për Enver Hoxhën tua botoj në Itali tek Mondadori.

-E di, në fakt e kërkoi vetë, po unë u nxitova dhe i thashë emrin e Fahri Balliut. I thashë ai ka bërë një libër për të shoqen e Hoxhës dhe mund ta bëjë dhe këtë. Por për dreq aty kishte dhe deputetë të tjerë dhe ata qeshën. U bë joserioze, dhe Berluskoni kujtoi mos kish shkruar ndonjë libër rozë për të shoqen e Hoxhës dhe tha, s’ka gjë, e botojmë dhe atë punën e gruas.

-E di, e di, por e sqarova unë më vonë, i tha Fevziu. E mora një ditë në telefon kur isha në Romë atë kabinetin e tij, dhe i thashë që kam një porosi nga kavalieri dhe dua konfirmimin. Ma dhanë në telefon dhe më tha bëje librin sa më parë se ta botoj unë tek Mondadori. E di që u ngatërrua pak se më tha ti je ai që ke shkruar për atë gruan e tij, por e sqarova që ai libër s’bënte se duhet një libër serioz.

-Tani, shumë mirë ke bërë, d.m.th do flas patjetër për Kavalierin, por ai ka një problem se anulloi vizitën në Shqipëri. Diçka do t’i ketë ndodhur d.m.th, dhe kjo kriza, por dhe ndonjë problem do ketë. Dhe ato çimkat aty janë antinjerëzore. Përgjojnë njeriun për çdo gjë dhe u kërkojnë llogari pse privilegjoni gazetarë për punë biznesi. Është sikur të ngrihen shqiptarët tani e të më thonë pse i jep Sandrit biznese, pse i jep Fevziut toka, pse i jep Fahriut fabrikë armësh, miniera… Është skandal d.m.th. Janë kundër shpirtit të biznesit italianët, çudi e madhe.

Fevzo e ndërroi menjëherë bisedën. Shfletoi pak librin dhe e çoi tek pjesa ku Hoxha kishte vlerësuar Haxhi Qamilin. Shiko këtë pjesën çfarë legeni, tha, e ka vlerësuar si tribun popullor, atë në fakt e ka marrë një nga gjyshërit e mi, e ka rritur se ishte jetim dhe ai pastaj u hakmor dhe ndaj tij… Është një plehrë e madhe. Atë duhet ta godasësh fort ti. Se atë e ka mbrojtur Enveri. Se Toptanët i ka goditur dhe Enveri. Jo se kam lidhje unë, po ai ngjit më shumë.

-Ke të drejtë d.m.th, se do kem nesër një fjalim, do t’i them Edi Rama është i lidhur me Haxhi Qamilin…

-Në fakt ka disa lidhje, se më thotë ajo sekretarja që më ka gjetur materialet në arkiv, bile jo ajo tamam, por ajo që më ka radhitur librin, që ka pas një lidhje mes gjyshit të Kristaqit dhe Haxhi Qamili. Se gjyshi i Kristaqit, ka pasë ble mishin nga fshati i Haxhi Qamilit dhe fshati këtë dërgonte të diel në pazar dhe gjyshi i Kristaqit e paska marrë në shtëpi. Më pas babai i Kristaqit, që ka qenë shofer i Zogut, u ka pasë çu ushqime fshehurazi fëmijëve të Haxhi Qamilit se ngelën fukarenj. Dhe i kanë ruajtur lidhjet.

-Le se e gjete, i ke rënë pikës. I them pasardhës i Haxhi Qamilit dhe pikë. Se shiko, vërtet ai ishte një kaçak dhe një njeri i që ka jetuar si anarkist, por i ka gjithë tiparet e Edi Ramës, dhe ky ka qenë anarkist dhe ky sillej si kaçak, jo, tamam janë, më kupton apo jo? Tamam janë.

-Hahaha, qeshi Fevziu, d.m.th Haxhi Qamili ka qenë tamam paraardhës i bllokmenëve se e kam dhe në libër unë që Hoxha e adhuronte, pra ka pasur një adhurim në Bllok për të, dhe më ka pasë thënë një gjysh mua, që ka pasë njohur Spiro Kolekën që ai i paska thënë që ata krushqit tanë në Durrës e kanë pasë mik Haxhi Qamilin.

-E shikon ti, ke të drejtë, kupton apo jo? Mirë, dakord. Po i lë pak mënjanë Toptanët. Në fakt nuk është se ata kanë qenë burra më të mirë, por ke të drejtë d.m.th, ky qenka paraardhës i Edi Ramës. Dhe këtë muhabetin e Berluskonit mos e bë rrugëve se i mbetet qejfi Fahriut se ja pata premtu atij. Tani e kupton vetë ti, thuaj fola vetë me Berluskonin.

 

 

 

3 komente në “Doktori bën kompromis me Fevzon për Toptanët dhe Haxhi Qamilin”

  1. tg usa says:

    rrace karagjozesh te dy plaku dhe fevziu

  2. flamurtari says:

    une mendoj se te dy rrjedhon nga haxhi qamili

  3. Keydren says:

    Holy Toledo, so glad I clikecd on this site first!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje