Ta mundim të keqen si një e tërë e vetme

6 Dhjetor 2011, 22:08Blog TEMA

Nga Altin Ketro

Ilir Meta i konsideroi “oshilacione” zërat për një koalicion midis LSI-së dhe Partisë Socialiste, duke shfaqur kësisoj një gjest besimi që ai i jep Berishës për vijueshmëri të kaoalicionit. Është mëse e kuptueshme që Meta do e hidhte poshtë një afrimitet të tillë, jo vetëm se aktualisht nuk e ka më luksin të bëjë lojra me Berishën, po edhe sepse vet Rama, në Asamblenë e fundit, ia mbylli derën e bashkëpunimit. Dhe në një derë të mbyllur, Meta nuk mund të hynte dot nga dritarja.

E gjithë historia merr udhë pas zgjedhjeve të vitit 2009-të, ku Ilir Meta nisi devijimin nga e majta me bashkëpunimin që i ofroi Berishës, në atë që e quajtën “koalicioni i (ç)integrimit”. Meta kishte shumë mundësira për ta kthyer rrotën e historisë në favor të tij dhe ta rehabilitonte atë figurë të keqe që bëri, por u josh nga pushteti dhe idea e përfitimit nga avantazhi që kishte kundrejt Berishës, sepse posedonte (sikurse edhe tani) katër mandate, që e mbajnë ende në këmbë qeverinë. Pas daljes në dritë të video-përgjimit ku Meta kërkonte favore korruptive dhe fillimin e hetimit penal kundrejt tij për këtë çështje, raportet e ndërvarësisë politike, Berisha-Meta, u balancuan. Vërtet Berisha kishte nevojë për ato katër mandate, por ama edhe Meta kishte nevojë për mbështetjen politike të Berishës, për të mos u dënuar. Vrasja e 4 demostruesve paqësorë në bulevard, duket se e saldoi përfundimisht bashkëpunimin prej fajtorësh, mes tyre. Secila palë kishte nga një ngjarje kriminale që i rëndonte mbi shpinë dhe pa ndihmën e njërit, afërmendsh që binte edhe tjetri.

Ilir Meta aktualisht ndodhet në një nga momentet më të vështira të karrierës së vet. Ai është rrëzuar edhe herë tjetër nga pushteti, duke qenë në majat e tij, po ato rrëzime me dorëheqje kanë qenë të paqta dhe nuk ia kanë cënuar figurën, biles Meta i ka përdorur si modeli i një politikani perëndimor. Largimi i tanishëm përbën për të një njollë turpi në karrierën politike, për të cilën ai po lufton me çdo mjet e mënyrë që të dalë i pastër. Me ndihmën e Berishës dhe rrethimin që i kanë bërë sistemit më të lartë gjyqësor, gjasat janë se po ia arrijnë qëllimit.

Zërat që e dëshirojnë një koalicion LSI-PS, kanë si qëllimi final rrëzimin e Berishës nga pushteti. Në pamje të parë duket si një ide e mirë, sepse po ta shikosh nga pozitat pragmatike, është më mirë të bashkëpunohet me një të keqe të vogël (Metën), për të zbythur një të keqe të madhe (Berishën). Edhe në aspektin numerik elektoral, PS-ja do i maksimizonte më tej votat në rast bashkëpunimi me LSI-në. Po e gjitha kjo do kishte kosto shumë të lartë politike, pasi do rrëzonte kredon e pastërtisë morale që PS-ja dhe Edi Rama po përpiqen ta ngrenë lart. Si do mundeshe PS-ja të dilte përballë elektoratit e t’i premtonte luftë kundër korrupsionit, ku në krahë të kishte Ilir Metën? A mund të quhej justifikim fakti që toleranca ndaj Metës u bë për një qëllim më të lart, largimin e Berishës?! A do ishte e qetë PS-ja me Ilir Metën në bashkëqeverisje, ku raporti numerik mund të ishte si ky që ai ka aktualisht me Berishën?! A do mundeshe PS-ja të qeveriste nën shantazh politik siç po qeveris Berisha? A do mundeshe të luftonte korrupsionin e çdo lloj niveli, kur atë do e kishte amnistuar me prezencën e Metës brenda? Pyetje si këto lindin vetiu, biles më shumë se kaq, të cilat do e vinin në pikëpyetje gjithë atë luftë anti-korrupsion, anti-krim e anti-monopol që PS-ja premton se do e vërë në jetë me ardhjen në pushtet.

Është e kuptueshme që asgjë nuk mund të jetë funksionale në një bashkëpunim PS-LSI. Lidershipi i PS-së, e ka kuptuar tashmë se ku të çon bashkëpunimi me Metën, duke mos i dhënë asnjë shans për bashkëpunim. PS-ja duhet të dijë të gjejë mënyrat e duhura dhe përdorimin e skemave efikase elektorale për të ardhur në pushtet, me atë koalicion opozitar që i ka qëndruar besnik deri tani përballë çiftit Berisha-Meta. Ky çift tashmë e ka gjetur vetveten brenda secilit syresh, sepse shohin tek sho-shoqi gjithë panik, shëmbëlltyrën e një vrasësi a të një vjedhësi, ku babëzia për pushtet e pasurim të shpejtë, i ka kaluar edhe caqet më ekstremisht të lejuara me ato të ashtuquajturat “Republika Bananesh”. Në rast se duan ta shpërbëjnë këtë dyshe të inkriminuar, çdo zë i arsyeshëm opozitar nuk duhet të kërkojë bashkëpunim me gjysmën e së keqes, por ta mundin gjithë të keqen në pushtet, si një e tërë e vetme. Kjo do ishte fitorja që i duheshe Shqipërisë, të cilën e presin të gjithë ata që besojnë ende në një sistem demokratik, vlerash e virtytesh. Çdo e kundërt e kësaj, s’do ishte gjë tjetër, veçse përsëritje e të njëjtit film, por me aktorë të ndryshëm.

 

 

 

2 komente në “Ta mundim të keqen si një e tërë e vetme”

  1. Dike Mullai thote- says:

    Ne prag te dites se zgjedhjeve (Qershor 2009) Edi Rama deklaroi:”Cdo vote per Ilir Meten eshte vote per Sali Berishen !” Pak dite me pas, Meta i dha “OKSIGJEN” Berishes (?!) Falenderoj artikull shkruesin.

  2. Ramy says:

    Kualicioni yne funksionon per bukuri sepse Meta nuk eshte komunist dhe eshte i ndershem ne bashkpunim. Vetem eficence ne “bllok” ka sjelle.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje