Suksesi dhe katastrofa e Rrëshen-Kalimash

15 Dhjetor 2011, 11:10Politika TEMA

Shqiptarët, pothuajse e kanë harruar segmentin Rrëshen-Kalimash, 60 kilometra autostradë mes maleve që kushtoi 1 miliard euro dhe që u pagua pothuajse tërësisht me borxhe.

Ajo rrugë u konsiderua me të drejtë si një sipërmarrje historike. Askush nuk mund të besonte në vitin 2006 në një sipërmarrje të tillë. Megjithatë ajo u bë.

Qeveria thithi gjithçka kishte para në vend, mori kredi me interesa marramendëse në tregun ndërkombëtar dhe kushtëzoi gjithçka që të kryente një përurim të pjesshëm të veprës dy ditë para zgjedhjeve të vitit 2009.

Për ironi, çdokush që shtronte pyetje elementare mbi kostot, u akuzua si armik i kombit. Një zyrtare e Bankës Botërore që nuk shihte logjikë ekonomike në një sipërmarrje të tillë, akuzohej se mbronte interesat e fqinjëve të paidentifikuar që ishin kundër rrugës së shqiptarëve.

Kryeekonomisti i Bankës Botërore që i tha qeverisë diçka që dihet nga të gjithë, se një vend i varfër nuk mund të përballojë borxh në nivelin 60 për qind të PBB-së, u sulmua gjithashtu si armik.

Ky sukses historik tashmë po jep frytet e veta. Jo siç deklaronte qeveria në rritjen e mirëqenies së shqiptarëve, por përmes rritjes së borxhit publik, humbjes së aftësisë kredituese të bankave për ekonominë private, rritjes së taksave dhe përballjes së vendit me një krizë buxhetore.

Një logjikë kundërfaktuale tregon se në mungesë të 1 miliard eurove të hedhura në malet e Mirditës, vendi do të kishte sot borxh publik 10 për qind të PBB-së më të ulët, pra 50 për qind nga 60 që e ka.

Bankat do të qenë detyruar të vijonin kreditimin e sektorit privat në një vend që ka ende uri për kredi për investime, shtëpi apo makina. Rritja ekonomike do të vijonte.

Si për të mbyllur një nismë që shkoi përtej imagjinatës së ekonomistëve, qeveria vendosi dje ta japë rrugën me koncesion.

Projekti madhështor dhe historik me koston e saj marramendëse, jo vetëm që nuk po nxjerr fitime për të shlyer veten e vet, por nuk po nxjerr para as për të garantuar një mirëmbajtje të zakonshme.

Qeveria shqiptare ka bërë të ditur tashmë se ka si plan rezervë t’i drejtohet Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ndërsa ekonomia nuk rritet dhe qeveria ka ezauruar edhe hapësirën që kishte për rritjen e akcizave, kostoja e borxhit publik rëndon më shumë.

Thirrja për ndihmë te FMN është më shumë një larje duarsh. Qeveria duhet të tregojë përgjegjësinë e saj ndaj vendit me të njëjtin pasion siç nxitoi të merrte meritat historike.

Ajo duhet t’i thotë shqiptarëve të vërtetën. Se e ndërtoi rrugën me borxhe që shqiptarët duhet t’i paguajnë. Se ua rriti pagat dhe pensionet në vitin 2009 për t’i marrë votat, por kjo rritje pagash u mbulua gjithashtu me borxh që po shqiptarët do ta paguajnë.

Deri më sot duket se është e gatshme të bëjë shumë pak dhe shumë vonë. Vendimi për të mos shpërndarë bonus për pensionistët është i drejtë, pavarësisht se i dhimbshëm dhe duket se nuk mjafton për të stabilizuar financat e vendit dhe për t’u kthyer te rritja ekonomike.

Thirrja në ndihmë e FMN-së për të bërë diçka që vetë qeveria mund ta bëjë, është më shumë një tentativë për të hequr nga vetja përgjegjësinë. Nuk do të jetë qeveria ajo që do të rrisë taksat për të paguar borxhet që ka marrë, por do të jetë FMN-ja.

Borxhi publik është problemi i parë dhe i fundit i vendit. Gjithmonë është e dhimbshme të marrësh masa për ta ulur, (e dhimbshme politikisht), por nuk ka rrugë tjetër./TCH

 

17 komente në “Suksesi dhe katastrofa e Rrëshen-Kalimash”

  1. Altin-K says:

    Dhe per ta bere me te plote kete kronike te TCH-se, po postoj nje shkrim te Fevziut me titull “Shpetoni Rrugen e Kombit”. Nese ka shkrim te Fevzos qe ia vlen te lexohet eshte pikerisht ky, qe nxjerr ne pah nje krim qe po kryhet ne ate rruge.

    Shpëtoni Rrugën e Kombit!

    Nga BLENDI FEVZIU

    Ajo që shumëkush e quan në dy vitet e fundit plot krenari “Rruga e Kombit”, duket se meriton sot, as më shumë e as më pak, titullin e një filmi të famshëm të Hollivudit, “Shpëtoni ushtarin Rajan”! Por, ndryshe nga ushtari i devotshëm Rajan, që kërcënohej nga zjarri armik, shpëtimi i të cilit kërkoi jo pak sakrifica nga ushtria amerikane, “Rruga e Kombit” kërcënohet nga ne vetë dhe kërkon pak, fare pak mund, që të mos përfundojë si dhjetëra rrugë të tjera në Shqipëri. Thënë ndryshe, që të mos humbasë e gjarpërojë mes stacioneve të benzinës që shpeshherë shërbejnë edhe si hotele, motele, lavazhe, piano-bare e, pse jo, edhe pishina për t’u freskuar në të nxehtin e verës. Që anës saj të mos ngrihen varreza makinash dhe dyqane, ku mund të dallosh tabelën: Shesim kondicionerë, kapele dhe goma makinash! Që mu aty ku mbaron vizimi i rrugës në vend të posteve të emergjencës të mos ngrihen qendra industriale dhe të mos stivohet hekur, beton apo thasë çimentoje. Që gjurma e rrugës të mos përzihet me baltën anash saj dhe që fshatarët e zonës të mos kalojnë nga një anë në tjetrën sikur kanë dalë për shëtitjen e mbrëmjes!

    Për fatin tonë të keq, mjerimi i rrugëve shqiptare, një mjerim tipik dhe krejtësisht “Made In Albania”, që nuk e gjen askund në botë, ka filluar të kaplojë edhe të vetmen rrugë të standardeve ndërkombëtare në Shqipëri, Rrugën e Kombit. Ose më mirë të thuhet, atë segment të saj të ndërtuar rishtas nga Rrësheni në Morinë! Udhëtimi përmes saj, që ishte një kënaqësi e veçantë dhe që mund të mbetet ende e tillë nëse ndërhyjmë shpejt, ka filluar jo në pak vende të kthehet në një stres.

    Në një segment të rrugës së ndërtuar nga kompania “Bechtel-Enka”, diku në afërsi të Repsit, ose më pas, ndarja në mes është sharruar, duke lejuar kthimin e makinave në sens të kundërt! Nuk e di se ç’mund të ndodhte në një vend të botës nëse autostrada sharrohej në një pjesë të saj, por di që në Shqipëri, edhe kronikat televizive të bëra për këtë problem, s’kanë provokuar asnjë reagim. Në një vend ku po të thyesh një xham shkon në polici, të sharrosh autostradën kryesore në vend, të heqësh 10 metra hekura dhe t’i hedhësh në ndonjë kanal, s’përbën asnjë problem. Nuk po them se sa është kostoja e kësaj, në një rrugë që ka kapur miliardin, por di të them se kostoja e jetës së ndonjë shoferi të pafat që do të përplaset me makinat që kthehen aty pa teklif është e pallogaritshme. Sepse ne po çojmë çdo udhëtar të asaj rruge drejt aksidentit dhe humbjes së jetës për neglizhencë, papërgjegjshmëri ose edhe me qëllim.

    Në anë të rrugës, duke sharruar po kaq lehtësisht rrethimin anësor, janë shfaqur benzinatat e para, hotelet e restorantet, diku një kështjellë që Zoti e di ç’do të jetë dhe katër-pesë terrene të sistemuara ndërkohë, gati për t’u ndërtuar. Nuk e di nëse ka ndërhyrë njeri për këtë gjë, por s’është çudi që të gjitha ato të jenë pajisur me leje komunash apo edhe më lart, duke u ngulur si thika mbi një rrugë që është e të gjithëve dhe që u ka kushtuar shqiptarëve shumë prej investimeve të këtyre gjashtë viteve. Madje, tani mund të thuhet që nuk është më vetëm e jona, por edhe e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë, që e përdorin po kaq shumë atë rrugë.

    Segmenti nga Kukësi në Morinë është edhe më i masakruari. Çdo 100 metra ndarjet janë sharruar, duke i mundësuar çdo banori të zonës ta marrë kthesën përpara shtëpisë së tij, pa u lodhur të bëjë 5 kilometra dhe të kthehet në vendin e caktuar. Arteria kryesore e shqiptarëve është shndërruar në segmentin “Kukës-Morinë”, në një rrugë lokale ku dalin për xhiro benz-at 240 të popullatës lokale, karrocat me dru e bar dhe ku ndërtimet anës rrugës janë më se normale, madje edhe me shitës ambulantë. Të ecësh në këtë segment është më e vështirë se të ecësh në çdo rrugë tjetër të Shqipërisë. Ende nuk e kam kuptuar se përse kjo rrugë u mbyll në mes, u konsiderua një autostradë e mirëfilltë dhe më pas u sharrua sërish për t’u kthyer në një rrugë fshati!

    Sinjalistika në dy anët e rrugës lë po kaq për të dëshiruar. Shenjat prej fosfori që të orientojnë natën gjenden vetëm aty-këtu, ndërsa sapo kalon në pjesën kosovare, gjithçka është perfekte. Jo vetëm ato, por edhe rrethimi, vijëzimi e madje edhe mbyllja me rrjetë për të ndaluar kalimin e pakontrolluar të kafshëve. Rrugën në dy anët e kufirit e ka ndërtuar po ajo kompani dhe dy standardet e ndryshme, në dy anët e kufirit janë të palejueshme!

    Për fatin tonë të keq, kontrolli i territorit dhe respektimi i ligjit në këtë drejtim ka qenë dështimi më i madh i shoqërisë në 20 vitet postkomuniste. Ndërtimet pa leje dhe, mbi të gjitha, në kundërshtim jo me një, por dy-tri ligje njëherazi, nuk janë ndëshkuar thuajse në asnjë rast. Tani, në momentin që po tentojmë të ndërtojmë dhe të zbatojmë një standard botëror, siç ndodh me rrugën “Durrës – Kukës”, rrezikojmë të bëjmë të kundërtën. Ky është rasti më i mirë që do të dëshmojmë se tani e tutje do të kalojmë në një standard të ri, atë që njeh gjithë bota, ose ta kthejmë edhe atë në standardin e zakonshëm shqiptar, ku çdo gjë e bukur bjerret në shëmtimin e kryekomunarëve ose fshatarëve që ligjin e konsiderojnë gjënë më pa vlerë në botë. Dhe i kthejnë rrugët, por edhe çdo pjesë të territorit në Shqipëri, në një kartolinë të trishtë ndërtimesh mizerabël, me hekurat mbi to, gati për të vijuar katin tjetër.

    Ndaj, sa nuk është ende vonë, sa nuk kemi thënë ende: tani s’kemi ç’bëjmë, le ta shpëtojmë Rrugën e Kombit. Të fillojmë me të, nëse duam të shpëtojmë edhe vetë kombin nga mungesa e ligjit dhe pandëshkushmëria e atij që e shkel atë…

    1. Rani says:

      Po ti prite Fevziun ti tregonte keto, sa gjera te rendesishme te paska treguar, pse si paske ditur keto ti? Pse bohesh i ceket o burre, ne vend qe te thuash se kete rruge e ndertoi (apo duhet te them shkaterroi) lideri shpirteror i Fevziut qe duhet te futet ne burg per dallaveret e panumerta qe ka bere gjate ndertimit te kesaj rruge dhe qe ky pisanjos i piste mundohet ta nxjerre te lare Saliun a thua se njerezia e kane fajin per fukarallekun qe i ka kapur prej fyti. Kur mos te kene ça te hane ne shpi njerezit normal qe do ta presin dhe do ta shesin hekurin e aluminin, dhe nuk u be bytha e Fevziut te beje propagande se si mbahet rruga, se atij ta dish ti nuk i kercet fare a mirembahet apo jo rruga se ai kur te bjere Saliu ja fut e ik ne Amerike po ti ka mundesi qe mos ti dish keto gjera prandaj te paska prekur artikulli i tij.

      1. Altin-K says:

        Rani!
        Nuk jam prekur ashtu siç aludon ti, por jam sensibilizuar nga artikulli i Fevzos. Nuk më ka rënë rruga të kaloj kohët e fundit andej, prandaj nuk e di sesi është situata. Ashtu si e trajton çështjen artikullshkruesi, unë pajtohem me të. Duke lënë mënjanë anën politike dhe mospajtimet që ne të dy kemi si me Fevzon, si me atin shpirtëror të radhës të tij, gjykoj se ky shkrim duhet parë larg politizimeve, dhe si një apel që strukturat shtetërore të ndërhyjnë për ta sjellë në ato parametra me të cilat u ndërtua në fillim.

        1. Perralla me Mbret says:

          Nje analize me vend e bere nga Blendi Fevziu.Ka edhe shume imtesira qe nuk jan perfunduar e qe ne fakt paraqesin rrezik per pjesmarresit e komunikacionit.Jan se paku tre apo kater viadukte te perfunduara vetem ne njeren trase e qe per pasoj jan sharruar korsit e anes se paperfunduar dhe ate ne menyre shume amatere,me sinjalizim pak para pengese.Gjithashtu mungon rrethimi me tel per mbrojtje nga kafshet dhe disa shenja tjera sinjalizuese.Kto pra jan ceshtje qe duhet zgjedhur por ne pergjithesi rruga e kombit eshte nje mrekulli dhe ka nje rol te jashtezakonshem gjeostrategjik.Por shkrimi i ketij autorit duket teper tendencioz dhe i pa bazuar.Ai shpenzimet e rruges se kombit i quan 1 miliard euro te
          “hudhura” ne malet e Mirdites!Pastaj shpjegon se qytetaret duhet informuar se borxhi do paguhet nga xhepi i taksapagueseve!Pse u deshka spjegim per kete pune,se kush do i paguaj borxhet e rruges.Nuk besoj se dikush ka pritur se do vijne tjeret te na ndertojne rrugen “arterie e kombit”.Rruga qysh tani eshte shume funksionale dhe ndihmon ekonomin e turizmin e vendit por ne nje te ardhme te afert ajo do te quhet koridor qe lidh Shqiperine me shume vende te rajonit.

    2. gerald doda says:

      por shume mire mund te ishte bere rruga e kombit me me pak shpenziem e me me pak vjedhje edhe nga nje firme tjeter sic eshte ajo qe po kryen punimet ne rrugen tirane elbasan. qe shpenzimet per te bere tunelin e elbasanit jan shumefish me pak se ato te tunelit te kalimashit. pastaj problemi eshte jo vetem se qeveritaret vodhen leket e rruges se kombit por u detyruan te vidhnin edhe votat e te beni pislleqe te tjera ne 2009. keshtu qe ketu te perfituar pervec qeveritareve nuk del kush tjeter…se ne neper bote ngelem gjithmone me te njejtin emer.

    3. Epirioti II says:

      Artikull me sens te larte qytetar dhe vlen te pershendetet si artikull. Sa per Fevziun do i thoja kjo eshte shume pak, shume vone dhe shume larg thelbit. Nuk arrin dot as statusin e gjethes se fikut qe Sali pashai dhe veziri i tij Blendi te mbulojne turpet qe i kane bere ketij kombi.

  2. Gjergji Habilaj says:

    …..rruga e “Kombit” është futur ne listën e rrugëve ku tashëm po kalojnë përditë makina. Është një rruge qe drejtuesit e mjeteve te vogla apo te renda ndjejnë një qetësi me shume, vështirësitë janë zvogëluar ne krahasim me atë qe ishte, konsumi me i vogël e tjera si këto. Është një rruge qe ka dhe do te ketë edhe ne te ardhmen rendësin e vete.

    Nuk kam ndërmend te futem mbi tema te tilla se sa u shpenzuan sa u shpërdoruan për këtë rruge apo cila ishte kostua e ndërtimit te saje. Këto janë tema te diskutuara e shume diskutuara me dhjetëra here , kur ne fakt gjithçka bie ne veshe te shurdhër. Shkak i këtij komenti është analiza e Bendit me lart.

    E përgëzoj dhe është një analize objektive..Por përveç kësaj një shkake me shume u be edhe udhëtimi i fundit qe bëra këto dite neper rrugën “Ibrahim Rugova” 38 km e para ne Kosove.

    Natyrisht qe për dite jemi ne rrugët e botes, te Gjermanisë, Francës, Danimarkës, Norvegjisë, Argjentinës e tjera , dhe shikojmë parametrat e këtyre rrugëve , i krahasojmë me rrugën tone dhe te them te drejtën e ndejmë veten jo mire , por ne momentin qe erdha nga Rruga ‘Ibrahim Rugova” dhe kalova ne qaf Morine për rrugën e”Kombit”, realisht e kam ndjerë veten shume keq. Një ndryshim si nata me ditën për sa u përket cilësisë , parametrave dhe gjithëçkaje tjetër. Rruge e saktë, e përfunduar, e rrethuar me gardh me tel gabion, lulishte, mbikalime e gjithçka bashkëkohore. Te dukej vetja sikur udhëtoje ne një nga rrugët qe përmenda me lart. Po ne Shqipëri nuk i kishim mundësit te bënim një rruge te tille, me te tillë parametra, kur është edhe e njëjta kompani ndërtuese. Çfarë ka ndodhur me rrugën e kombit, mund ta pyesim pak veten ?

    1. Rani says:

      Jo te pyesim veten se se kemi bere ne rrugen o Gjergj, po duhet te pyesim kafshen e maleve egersiren e eger Salahudin Berisha.

      1. Edi Detroit says:

        Gjergj dhe Altin jam dakort me ju.po ashtu edhe me shkrimin e Blendit.Kjo rruge eshte nje nga investimet me te mira,te kryera ne keto 20_vjet,dhe nuk duhet te politozohet e sulmohet sepse,perdoret nga gjithe shqiptaret.Shume interesante konstatimi qe ne krahun e Kosoves rruga eshte ne gjendje te mire.Kjo tregon se kosovaret e respektojne ligjin dhe shtetin ligjor,ndersa shqiptaret jane per turp.

    2. xhoni says:

      Cfare jane keto emra koti,jo RRUGA IBRAHIM RUGOVA,JO RRUGA E KOMBIT etj!!!Nuk dime qe ne SHBA,te kete ndonje autostyrade me emrat e ish PRESIDENTEVE TE TYRE!!!I hoqem emrat komuniste te objekteve dhe po vihen emrat KAPITALISTE,qe jane pa asnje kuptim!!!Pse duhet quajtur RRUGA EKOMBIT ajo DURRES-KUKES???Pse Kosova eshte gjysma e kombit tone???Po kur te behet rruga lidhur me Maqedonine,cfare do t’i themi:RRUGA E MENDUH THACIT??Po RRUGES SE KAKAVIJE,PSE NUK I VENE EMRIN RRUGA E CAMERISE????Po portit te DURRESIT PSE NUK I VENE EMRIN PORTI ARBERESHET????Cfare BUDALLALLEQESH JANE KETO,MORE DALLKAUKE!!!BOLL ME POLITIZIME DHE GLORIFIKIME TE NJEREZVE TE ZAKONSHEM,AQ ME PAK TE TRADHETAREVE TE SHQIPTAREVE SI IBRAHIM RUGOVA,MIKUT TE MILLOSHEVICIT,QE KUR LUFTONIN KOSOVARET KUNDER TIJ,KY RUGOVA STREHOHEJ NE SHTEPINE E SLLOBOS NE BEOGRAD!!!Ja kush eshte RUGOVA!!!Po ashtu edhe SALI BERISHA,AGJENT I UDB-se DHE FURNIZUES I TANKEVE SERBE ME NAFTE,{ER TE VRARE DJEMTE E UCK-se!!!BERISHA GRABITI DHE SHPERDOROI 1.5 MILIARD EURO NGA BUXHETI I SHTETIT per te bere nje rruge te zakoneshme,qew eshte prishur pa u vene ne pune plotesisht!!!U BE ME KREDI BANKARE ME INTERESA KOLOSALE,QE AS SHBA-te NUK DO T’U INTERESONTE,KUR GJEWRMANET KERKUAN TA NDERTONIN ME KONCESION,PRA ME PARET E TYRE!!!POR BERISHA NUK VIDHTE DOT,NGA ATA!!!PRANDAJ E BERI ME LEKET E POPULLIT ME BORXHE TE BOTES!!!PO KESHTU BEN EDHE ME RRUGEN E KOTE TIRANE -ELBASAN ME KREDI EDHE KETE!!!A MBAHET SHTEPIJA ME MIELL HUA???JO DHE JO!!!EKA THENE POPULLI ME KOHE KETE!!!PRANDAJ BERISHA ESHTE ARMIK DHE PUNON KUNDER NESH!!!VDEKTE NJE ORE E ME PARE ,ISHALLAH!!!

      1. Perralla me Mbret says:

        Xhoni nuk e di, te qajme apo te qeshim me komentin tuaj banal e vazal.

  3. renis says:

    Interesante kjo analiza. Borxhi publik do kishte qene 10% e PBB dhe nderkohe eshte 60% vetem si pasoje e kesaj rruge. Gjithashtu rritja ekonomike do te vazhdonte. Kjo do te thote se ky qenka i vetmi gabim i qeverise Berisha. A mund ta di cfare keni kritikuar deri me sot? Apo jeni terhequr se keni dale ne perfundimin qe e kishit gabim?

  4. HAMBURGU says:

    SHQIPERIA ESHTE I VETMI SHTET NE EVROPE QE NUK KA AUTOSTRADE;ISHA NE ADAC PER TE ME TREGUAR RRUGEN ME TE SHKURTE DREJT KOSOVES, ME RA NE SY QE SHQIPERIA NUK ISHTE DHE I PYETA PERSE NUK ESHTE SHQIPERIA MU PERGJIGJEN SHQIPERIA NUK KA AUTOSTRADE KERKOJA ME QDO KUSHT TE KALOJA PERMES SHQIPERIS SEPSE E DIJA QE NJE GJYSME AUTOSTRADE EKA UDHTOVA NGA HAMBURGU PERMES SHQIPERIS NE KOSOVE;AUTOSTRADA ISHTE JASHTZAKONISHT MIRE E NDERTUAR BILE ME ATO MALE ME NGJANTE SI E AUSTRIS;POR PER FAT TE KEQ KJO SHAHET NGA SOCIALISTET DHE MALLKOHET NGA SERBOGREKET.

  5. ELENA GJIKA says:

    Me ineresante eshte edhe nje analise SHqiperia numrohet si i vetmi shtet ne evrope qe nuk ka autostrade

    1. Rekordmeni i Dhermiut says:

      Nuk ka as Mali i Zi autostrade.

  6. Gazmiri says:

    Kjo qeveri krejt primnitive,muk esht ne gjendje te mirmbaj as gjerat me elementare te kesaj toke,sic eshte edhe autostra,te cilen e ben si syt e tyre qe tu dalin,harxhuan edhe vodhen sa deshen,tani sjan ne gjendje edhe ta mirembajn!!!Une jetoj ne greqi,shum her me esht dhen rasti qe te futem ne autostraten egnatia,nje autostrad kjo qe ska shum qe ka mbaruar,pothuaj e ngjashme edhe me autostraden e kombit,por vetem kaq,se per nga siguria skan asnje lidhje…..Autostrada eshte e thurrur nga te dyja krahet qe mos te hyj nje kafsh e veteme brenda saj,kurse autostrada e kombit ka filluar te behet si nje nuse e bukur,qe e kafshojn qent sa te munden,e ku te munden…..Pra ky esht nje tjeter turp kombetar qe duhert shpetuar me cdo kusht se jemi ber gazi botes…!!!

  7. Gjergji Habilaj says:

    …..rruga e “Kombit” është futur ne listën e rrugëve ku tashëm po kalojnë përditë makina. Është një rruge qe drejtuesit e mjeteve te vogla apo te renda ndjejnë një qetësi me shume, vështirësitë janë zvogëluar ne krahasim me atë qe ishte, konsumi me i vogël e tjera si këto. Është një rruge qe ka dhe do te ketë edhe ne te ardhmen rendësin e vete.

    Nuk kam ndërmend te futem mbi tema te tilla se sa u shpenzuan sa u shpërdoruan për këtë rruge apo cila ishte kostua e ndërtimit te saje. Këto janë tema te diskutuara e shume diskutuara me dhjetëra here , kur ne fakt gjithçka bie ne veshe te shurdhër.

    Shkak per kete analize u be nje njoftim qe lexuam se rruga e Kombit edhe mund te jepet me koncension(mirembajtja).

    Por përveç kësaj një shkake me shume u be edhe udhëtimi i fundit qe bëra këto dite neper rrugën “Ibrahim Rugova” 38 km e para ne Kosove.

    Natyrisht qe për dite jemi ne rrugët e botes, te Gjermanisë, Francës, Danimarkës, Norvegjisë, Argjentinës e tjera , dhe shikojmë parametrat e këtyre rrugëve , i krahasojmë me rrugën tone dhe te them te drejtën e ndejmë veten jo mire , por ne momentin qe erdha nga Rruga ‘Ibrahim Rugova” dhe kalova ne qaf Morine për rrugën e”Kombit”, realisht e kam ndjerë veten shume keq. Një ndryshim si nata me ditën për sa u përket cilësisë , parametrave dhe gjithëçkaje tjetër. Rruge “Ibrahim Rugova” , e saktë, e përfunduar, e rrethuar me gardh me tel gabion, lulishte, mbikalime e gjithçka bashkëkohore. Te dukej vetja sikur udhëtoje ne një nga rrugët qe përmenda me lart. Po ne Shqipëri nuk i kishim mundësit te bënim një rruge te tille, me te tillë parametra, kur është edhe e njëjta kompani ndërtuese. Çfarë ka ndodhur me rrugën e kombit, mund ta pyesim pak veten ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje