15 presidentë të vrarë, historia e mafias bullgare të futbollit

21 Dhjetor 2011, 14:26Sport TEMA

“Pothuajse të gjithë klubet e futbollit në Bullgari drejtohen nga njerëz të lidhur me krimin e organizuar dhe pothuajse asnjëri prej tyre nuk hetohet”. Ky është përfundimi tronditës i ambasadës amerikane të Sofies, e cila i drejtohet Uashingtonit në janar 2010. Për ta bërë publike, mendoi “Ëikileaks” dy muaj më parë. E ndërkohë, në fund të fazës së parë të kampionatit, Ludogorets, skuadra e një qyteti me 20 mijë frymë sposton pas gjigantët e kryeqytetit, përmes dyshimeve për fiksim ndeshjes dhe transaksione të parregullta. Kjo, është një histori, historia e një prej kampionateve më të pistë në botë.
Wikileaks – Është shtator 2011. “Ëikileaks”, faqja e hackerit më të famshëm në botë, Julien Assange, i ka nxjerrë “bojën” shumë vendeve në botë, nëpërmjet materialeve të rezervuara që ka mundur të nxjerrë nga arkivat e shtetit amerikan. Megjithatë, futbolli ishte lënë i paprekur deri në atë datë, kur në faqe publikohet materiali, “Futbolli, simbol i krimit të organizuar bullgar”. Përtej konstatim se numërohen me numrat e gishtërinjve të “palagurit”, komunikata shkruante: “Pavarësisht fakteve gjithmonë e më të shumtë për fiksim ndeshjes, pastrim parash dhe evazion fiskal, nuk ka patur pothuajse asnjë arrestim apo hetim i suksesshëm”.
Shteti i përfshirë – Plaga e futbollit bullgar, një plagë që vendet e tjera ballkanike, përfshi shqipëria, gjithashtu e njohin, është më e thellë. “Shteti është i përfshirë”, konstatimi i “Wikileaks”. “Skandalet e njëpasnjëshme kanë dëmtuar rëndë besimin e publikut, i cili ka braktisur në masë shkallët e stadiumeve. Qeveria e re ka premtuar të nisë të hetojë evazionin fiskal dhe pastrimin e parave në futboll. Megjithatë, veprimi i parë që bëri, ishte të përkrahte Federatën në vendimin skandaloz të shpërndarjes për të dytin vit rresht të komisionit të gjyqtarëve. Po, Sofja zyrtare thotë se është imuniteti i UEFA-s ai që se lejon të ndërhyrjë në punët e futbollit, por përshtypja e vërtetë është se askush nuk dëshiron të ndërhyrjë realisht”. Kështu shkruante e përditshmja e madhe sportive bullgare, “Top Sport”.
Një histori vrasjesh – Që prej vitit 1989, historia e futbollit bullgar llogarit 15 pronarë klubesh të vrarë dhe disa të tjerë që i kanë mbijetuar atentateve. CSKA e Sofjes, ishte e para që provoi t’i vriteshin dy pronarë në villim të viteve 1990. Georgji Iliiev e Alexander Tasev, të dy “përmirësonin” imazhin e tyre me futbollin, por ishin koka e rrjetit të organizur mafioz, “VIS”. Të dy u vranë në kryeqytet, në luftën për pushtet dhe zona kontrollli. Pavlov, pronari i dikurshëm i Çernomoretsit zbriste vetë në fushë dhe rrihte gjyqtarët. Ai ishte “bosi” i Varnës, por mbeti i vrarë në një atentat në fillim të vitit 2003, disa ditë përpara se të niste një proces gjyqësor për vrasjen e dy herë Kryeministrit Andrei Lukanov, në pragun e derës së shtëpisë, në vitin 1996. Presidenti i plotfuqishëm i Slavias, gjithashtu hyri në historinë e vrasjeve të bujshme për pushtet. Pasi ngriti klubin kryeqytetas në nivele të panjohura më parë, ai u largua pasi jeta e tij nuk koonsiderohej e sigurt. Një ditë, në 19 janar 2004, u rikthye për t’u kujdesur për biznesin, nga një vendfshehje e panjohur jashtë shtetit. Duke ecur në bulevard, një njeri i maskuar  hap zjarr dhe vret Milcho Bonev,  së bashku me pesë truprojat e tij. i vdekur mbetet edhe një kalimtar, ndërsa vrasësi nuk u kap kurrë. Pronari i Lokomotivës së Sofjes, Liteksit, përsëri CSKA-së, Burgasit dhe kështu me radhë… edhe ata të vrarë, në makinë,  në hyrje të banesës, e madje edhe në të dalë të stadiumit. Disa prej tyre kishin edhe profil politik, ashtu si Alexander Tasev, pronari i klubit të madh të Lokomotivit të Plovdivit, i fundit në listën e zezë të futbollit bullgar, ekzekutuar në 2009-n, pas publikimit të një skandali korrupsioni me një drejtues të lartë. Më vonë, shtetit do t’i priteshin ndihmat nga Bashkimi Europian për shkak të skandaleve të korrupsionit dhe kriminalitetit të lartë, por për mafian e futbollit, paratë vazhdojnë të rrjedhin.
Pronarë që vrasin pronarë – Asnjë gjykatë bullgare nuk ka mundur ta vërtetojë dhe me siguri, duke gjykuar se drejtësia e vendit ballkanik konsiderohet si ndër me të korruptuarat në botë, do të mbetet e vështirë që kjo të provohet. Megjithatë, presidenti i Levskit, Todor Batkov, u hetua gjatë 2010-s për një skandal bastesh që përfshiu edhe katër lojtarë të tij. Disa media, e bënë fajtor edhe për ekzekutimin e Tasevit, pasi përflitet se ai është i lidhur me një klan tjetër mafioz në Bullgari. Natyrshëm, akuzat nuk u provuan kurrë dhe ai u rikthye në rolin e tij të presidentit.
Si funksionojnë bastet – Në një artikull të guximshëm të gazetës “Trud”, të një gazetari të quajtur Vladimir Pamukov, zbulohet skema se si funksionojnë bastet. Vetë Pamukovit do t’i duhej të largohej për disa kohë nga Bullgaria, pasi kishte frikë për jetën e tij pas publiikimit të artikullit. “Futbolli në Bullgari është e njëjta gjë si keçi në SHBA, me ndryshimin e vetëm se në rastin e dytë, të gjithë e dinë që bëhet teatër dhe e pranojnë si të tillë. Gazetarët dhe tifozët shpesh citojnë rezultatet e palogjikshme të regjistruar kohët e fundit, për të provuar shitblerjet. Vetëkuptohet, diçka e tillë nuk është një provë absolute. Megjithatë, provat janë, vetëm se nuk duam t’i marrim parasysh. Ndeshjet në Bullgari shiten, në mos të gjitha shumica. Krimi i organizuar josh presidentët nëpërmjet parave ose i detyron me kërcënime. Kush nuk pranon, dihet se çfarë i ndodh, por s’është nevoja fare për këtë, pasi vetë presidentët janë krimi. Disa, që numërohen me gishta, nuk janë të përfshirë në këtë biznes, por atyre u shiten lojtarët, të cilëve u bëhet e qartë: ose të pranojnë paratë për të lënë ndeshjen ose të hanë një plumb ballit. Zgjedhja? Nuk më duket e vështirë”, editoriali i gazetarit.
Ludogorets – Dhe rikthehemi tek kampionati aktual. Një skuadër me 20 mijë frymë, e ardhur nga qyteti që përkthehet “Pylli i Zi”, është kampione e dimrit. Një vit më parë, skuadra fitoi për herë të parë në histori ngjitjen midis më të mirëve, por u përforcua me lojtarët më të mirë të gjigantëve të Liteksit, Levskit dhe CSKA-së. Imagjinoni, Kamzën që erdhi këtë sezon për herë të parë në Superligën Shqiptare, që grumbullonte më të mirët nga Skëndërbeu, Tirana dhe Flamurtari i vjetshëm. Ose shkoni më tej, një Novara në Itali, që i merrte Ibrën Milanit, Snajder Interit, midis të tjerëve. A mund të ndodhë? Po, në Bullgari mund të ndodhë. Dhe e kotë të thuhet, pronari i Ludogorets, “pa prova”, dyshohet si një ndër bosët më të mëdhenj të krimit ballkanik.

Një kulturë mashtrimi, Stoiçkov, doktor me plagjaturë
Ylli më i madh i futbollit bullgar, Hristo Stoiçkov, krijoi një skandal të madh mediatik në Bullgari, kur iu akordua titulli “honoris causa” nga Universiteti i Plovdivit. Një nga akademikët e mëdhenj të vendit, sociologu me famë ndërkombëtare Tsvetozavar Tomov, e akuzoi për plagjaturë temën e “doktorit” të ri dhe në formë proteste, dha dorëheqjen nga të gjithë funksionet e tij. “Universiti i Plovdivit ka turpëruar veten”, argumentoi akademiku. Çështja nuk u zbardh asnjëherë tërësisht, por vështirë që akademiku i madh të kishte diçka personale ndaj futbollistit.

Jo vetëm vrasje, Berbatovin e kërcënojnë me rrëmbimin e nënës
Mafia e futbollit bullgar nuk i është dedikuar vetëm vrasjeve. Në 20 shtator, nëna e futbollistit të Manchester Unitred, Dimitar Berbatov, u kërcënue me rrëmbim. Aq të guximshëm ishin kriminelët, që në shkëmbim kërkonin para, sa mesazhin ia nisën vetë futbollistit në faqen e tij në “Facebook”. Nëna, Margarita Berbatova, punon si një infermiere në spitalin e qytetit jugor të Blagoevgradit. Policia arriti të gjente brenda dy ditësh se nga ishte nisur mesazhi dhe arrestoi keqbërësin guximtar. Megjithatë, jeta e 50-vjeçares mbetet e pasigurtë vetëm sepse djali i saj është milioner. Sport Ekspres

1 komente në “15 presidentë të vrarë, historia e mafias bullgare të futbollit”

  1. Neorealizmi says:

    Po te ne sa ka arritur numri?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje