Presidenti i Republikës, z.Bamir Topi, gjeti një mënyrë elegante për t’iu përgjigjur kryeministrit Berisha, fiks një javë pasi ai kishte deklaruar në një emision televiziv se “zoti Topi nuk do jetë më kandidaturë për President, kushdo tjetër brenda radhëve të PD-së, por ai jo”. Pra, z.Topi shfrytëzoi takimin me median që zhvillohet tradicionalisht çdo fundviti, për të dhënë një mesazh të qartë, “si sot një vit, dikush tjetër do jetë në vendin tim”. Me një fjalë, z.Topi e vendosi përfundimisht që nuk do tentojë për të lobuar, majtas e djathtas, për të mbledhur thërrime andej-këndej, për t’u rizgjedhur sërish Kryetar i Shtetit.
Z.Topi vinte në këtë detyrë nga sfera më e lartë politike e partisë së tij, duke qenë numri dy në parti dhe numri një në grupin parlamentar. Në legjislaturën 2005-2009 ku edhe u zgjodh si President, ai kishte në përbërje të grupit parlamentar shumë mbështetës personalë, gjë që ndikoi ndjeshëm në zgjedhjen e tij. Atëherë u bënë disa tentativa nga Berisha për të nxjerrë emër tjetër në skenë, por u tërhoq duke parë se z.Topi i kishte pozitat shumë të konsoliduara brenda grupit. Në fakt, z.Topi ka treguar pjekuri politike në jetën parlamentare dhe padyshim i ka bërë nder partisë që dikur bënte pjesë. Ndonëse nuk mundi të dalë “violinë e parë”, kjo edhe për shkak të autoritetit absolut të Berishës, gjithsesi z.Topi ishte një nga personalitetet më me integritet dhe influencë brenda PD-së dhe grupit të deputetëve.
Ardhja e tij në detyrën e Kryetarit të Shtetit, përpos të tjerave, ishte edhe një lëvizje taktike e vet Berishës, e mirëpritur edhe nga ajo pjesë që e shihte atë si pasardhësin e Doktorit. Në kushtet e largimin të tij, de fakto dhe de jure, nga strukturat partiake, u hapej rruga pjesës tjetër të mendonin dhe punonin për të qenë “trashëgimtarë” të fronit. Largimi i tij, kënaqi pra, jo vetëm ëndërrimtarët që e shihnin si pengesë, por edhe vet Berishën që po e konsideronte bezdi mbështetjen që z.Topi gëzonte në të gjitha nivelet e partisë, përfshi edhe në popull.
Zoti Topi fillimisht u pa me dyshim nga opozita, sepse në fund të fundit, vinte direkt nga strukturat e larta të partisë në pushtet dhe pritshmëritë që Ai të kishte baraspeshë mes palëve ishin të pakta. Por, z.Topi, u duk se nuk mund të sillej si aparatçik i rëndomtë partiak në funksionin e lartë që ushtronte. Sado i politizuar që të jesh, kur në vetvete mbart vlera demokratike dhe respekton ligjet që mbajnë në këmbë shtetin, atëherë e kupton që detyra e partiakut përfundon menjëherë aty ku fillon detyra e shtetarit. Dhe z.Topi duket se jo vetëm e kuptoi, por edhe e zbatoi atë. Kjo mos bindje e shpresuar nga Berisha, pra që Presidenti të sillej si partiak në një detyrë shtetërore, solli edhe ftohjen e raporteve midis tyre, që edhe më përpara nuk mund të thuhet se kanë qenë të ngrohta, por thjesht korrekte.
Veç këtij handikapi institucional, z.Topi e shoqëruan një sërë ngjarjesh të rënda politike ku më e fundit ishte përfshirja në “grupin e puçistëve” për ngjarjet që pasuan 21 janarin, nga vet kryeministri Berisha. Z.Topi e kaloi me gjakftohtësi këtë moment, për të mos e kthyer këtë “luftë” frontale të nisur nga Berisha në shumë drejtime, në betejë personale.
Megjithatë, duhet thënë se z.Topi, në detyrën e lartë të Kreut të Shtetit, ka qenë tepër pasiv në shumë aspekte që kanë shoqëruar presidencën e tij. Ai është mjaftuar thjesht me disa deklarata (më e pakta që mund të bënte), por asnjëherë nuk ka marrë rolin e promotorit si iniciues i zgjidhjes së problemeve dhe denoncues i fenomeneve negative që kanë shoqëruar keqqeverisjen e Berishës. Parë në këndvështrim, mund të thuhet se si negociator, z.Topi, ka dështuar, jo vetëm për faj të tij po edhe të mospërfilljes që Berisha ka për të gjithë ata që nuk i qëndrojnë besnik synimeve për të cilat ai i dërgon në ato detyra, ndërsa në planin tjetër, ai është munduar që të mos i shkaktojë shumë dëm elektoral ish partisë së tij.
Pas zgjedhjeve të vitit 2009, grupi i mbështetësve të z.Topi brenda grupit parlamentar ra ndjeshëm. Tashmë Berisha e kishte kuptuar se cilët ishin mbështetësit e tij nga legjislatura e mëparshme dhe, ose nuk i kandidoi, ose i vendosi në pozicione të pa favorshme në listat për deputetë. Duke patur parasysh jo vetëm këtë aspekt, por edhe shkëputjen rreth 4-vjeçare nga strukturat e partisë, bën që roli imponues i z.Topi në grupin e shumicës aktuale të vijë në rënie.
Me mënyrën e thjeshtë të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Shtetit si dhe vendimmarrjen e bërë publike nga Berisha, z.Topi e kuptoi se ky do ishte momenti më i përshtatshëm për t’i treguar atij se nuk e mban dot më peng. Berisha natyrisht nuk e ka pritur që z.Topi të prononcohej kaq shpejt dhe hapur për heqjen dorë nga ambicia për rikandidim. Me shumë gjasa Berisha ka menduar se z.Topi do rezistonte deri në fund, ku do lobonte pranë opozitës për të marrë fillimisht mbështetjen e saj e pastaj të tentonte të “rekrutonte” disa deputetë nga radhët e shumicës, aq sa të arrihej numri i artë, 71. Një variant është që Berisha me shumë djallëzi ta inkurajonte personalisht një grup të tillë deputetësh, qëllimi i të cilëve do të ishte krijimi i shpresës tek z.Topi se ai do mundte ta kapte Kreun e Shtetit. Në finalen e madhe natyrisht ata do e braktisnin, duke votuar për kandidaturën e përzgjedhur nga Berisha. E gjithë kjo lojë do bëhej në funksion të nxjerrjes zbuluar të z.Topi. Si mjeshtër i konjukturave që është, Berisha, me një gur vriste dy zogj: edhe kandidaturën e z.Topi e digjte, por njëkohësisht do e përdorte mbështetjen e mundshme të së majtës si një akuzë ndaj tij menjëherë pas marrjes së drejtimit të partisë se re. Kjo padyshim do i sillte jo vetëm vënien në pikëpyetje të mbështetjes së shumë figurave kryesore që janë pozicionuar krah tij, por edhe humbjen e besimit tek elektorati i djathtë.
Berisha gaboi politikisht me heqjen dorë nga mbështetja për z.Topi. Megjithë pakënaqësinë që ka ndaj tij, duhet thënë se me politikat që ka ndjekur deri më tash, Berisha e ka kthyer pothuajse në honorifik postin e Presidentit. Gjyqtarët që emërohen dhe shkarkohen nga institucioni që drejton Presidenti, më tepër u binden fjalëve kërcënuese që lëshon Berisha, duke mbyllur çështje në të cilat është vet i përzier; prokuroren e përgjithshme që e propozoi Presidenti ai e theu vetëm me dy fjalë, duke fituar kohë në zvarritjen e hetimeve që lidhen me emrin e tij apo pjesës rrotull tij; kryetarit të SHISH-it i ka prerë të gjitha financimet dhe praktikisht nuk ia ka shumë nevojën pasi dhe detyrat që mbulon SHISH-i i ka dubluar me struktura speciale pranë ministrisë së Brendshme. Me këtë krahmarrje që Berisha i ka bërë Presidencës, ai normalisht e ka nxjerrë jashtë loje z.Topi edhe sikur ta rizgjidhte. E vetmja gjë që do fitonte ishte se do e mbante sërish larg edhe për 5 vjet të tjera, si nga PD-ja ashtu dhe nga jeta aktive partiake.
Tashmë Bamir Topi e pret i qetë fundmandatin e tij, menjëherë pas të cilit do ketë të formësuar projektin politik të shpallur. Ai hoqi dorë nga dyzimi i zgjedhjes midis dy alternativave, vijimi i të cilës do i shkaktonte humbje kohe dhe harxhim energjish të kota. Vendimi dinjitoz që deklaroi në takimin me median, është padyshim pikënisja e një periudhe të re kokëçarjeje për Berishën, dhimbjet e të cilës i kanë nisur qysh nga kalimi i Ramës me kohë të plotë në shërbim të opozitës. Me partinë e z.Topi nga njëri krah dhe opozitën e bashkuar nga ana tjetër, Berisha do futet në zgjedhjet e 2013-ës i zënë mat nga një rrethim demokratik, i ndryshëm nga rrethimi i tij meskin presidencial.
kush mendon se zgjdhjet do te behen te lira e do te respektohet vullneti i lire i popullit,thjesht eshte per doktor……Sali Berisha dhe extremistet islamik te PD do te do te bejne te zezen te bardhe,,,,,
edhe une mendoj keshtu si ju
fatkeqsisht kjo eshte e verteta,,,,,,
ej ca te ka kapur ty qe ofendon myslymanet pa kuptim? Feja esht 1 gje personale dhe as duhet nderhyre e jo me ta ofendosh…Bamiri eshte nga ato patriotet e rralle po qe ja kemi nevojen sh…
ej po ca tka kap ty mer lla me islamiket??? Nk esht mire te ofendosh fene e tj pa te drejte. A me vjen keq x Bamirin se esht 1 patriot i denje.
Bamir Topi eshte shpresa e vetme per shpetimin e Shqiperise dhe shqiptareve nga diktatura e komunistit te eger e gjakatar, Sali Berisha. Saliun e ka kapur tmerri, sepse e shikon perkrahjen qe ka Topi, e shikon Topin si rrezikun me te madh qe do t’i jape fund duktatures se tij. Berisha i trembet edhe dickaje tjeter teper te rendesishme, qe Topi do te sjelle rrezimin e tij e me pas e pret gjyqi per krimet e panumerta te 20 viteve.
3Sikur halla te kishte koqe,do t’i thoshnin daje!”.Me vjen keq,por ky figuranti,na ka bindur se eshte dora e Sales,por e maskume.Shiko ate partine e zuzaneve!
Fshati qe duket s’don kallauz!Topi ka vertetuar se eshte nje kukull e saliut,figuranti president.Hajt babe!