Dhurata e munguar e kryeministrit

21 Dhjetor 2011, 21:20Blog TEMA

Nga Artan Mullaj

50 dollarë, me të cilët qeveria kish afruar një darkë pasanikësh vitet e shkuara, nuk do të jenë këtë vit “dhurata e kryeministrit” për pensionistët.

50 dollarë nuk janë shumë, por nuk janë as pak për ata që nuk i kanë të ardhurat disa herë më shumë se kaq.  Megjithatë, me këto dollarë,  mund te darkoshkëndshëm e të rëndosh stomakun si fatlumët e kësaj bote, jashtë por edhe në lokalet më luksoze të Tiranës; me kaq para,nëse bien nga qielli, apo dhurohen nga qeveria,  aq më mirë mund të festosh në ambiente ku njerëzit humbasin logjikën e kohës. Me kaq para dhe në këto ambiente, përmbys le të kthehet, mund te ëndërrosh një mbrëmje të vetme rininë tënde të veshur me aurorë dhe dëshira, dhe ti lejosh vetes përfytyrime të ndaluara, edhe po të jesh pensionist. Pse jo, me kaq para mund ti provokosh vetes joshje seksuale dhe emocione, pa qenë nevoja të përdorësh Viagra. Mund të pish verë të kuqe pa u shqetësuar për tensionin e gjakut dhe triglicerinën,  sa kohë do të  fantazosh të pabërën.  Të jesh pensionist në Shqipëri dhe të marrësh 50$ dhuratë nga njeriu më i fuqishëm në vend,  dhe të guxosh të pamundurën, është baras me një gjysëm orgazëm. Të të falë para amerikane të thata në dorë vetë kryeministri, do të thotë të biesh pa ndjerë në kurthin e një fantazie të ndezur. Një hap larg marrëzisë, kjo fantazi nuk të ndalon kurrsesi të përfytyrosh ndruajtur gratë e dikurshme të jetës tënde, që nuk arrite ti shtiesh në dorë, apo ndonjë femër  të ditës, të çastit, këngëtare, prostitutë,  ministre a drejtoreshë, me taka të larta dhe lakuriq, me aromë shampo “biras” në situata  intime. Pse jo? Në asnjë moshë përfytyrimet nuk janë të ndaluara! Me 50 dollarët e dhuruara vjet, parvjet,  nga kryeministri, e në shumë  vite të shkuara,  kushedi si  ka sunduar shkulmi i epshit mbi baltën e pleqërisë, pavarësisht   rrudhave të thelluara në ballin e dashnorëve të mplakur. Kushedi sa çifte pensionistësh lajthitën si u shkrehën në fund të jetës së tyre personazhet  pleq  të romanit të Markezit, “Dashuri në kohërat e kolerës”.  Askush nuk mund të thotë se pas dhuratave bujare të qeverisë patën ndodhur vërtet epidemi  dashurish të heshtura dhe të vonuara.

50 dollare e pak pra nuk ishin dhe nuk janë  çështje e thjeshtë për pensionistet tanë fukarenj, aq sa, nëse llogariten si dhuratë,e sidomos nëse llogariten si dhurate kryeministri, marrin një ngarkesë dhe një vlerë simbolike ne naten e Vitit te Ri. Ç’gjë tjetër më shumë se sa “ndjeshmëria katastrofike” e të madhit për varfërinë e të vegjëlve në moshë të madhe, mund të krijojë një simbol dhembshurie?  Por nëse këto para të dhuruara  nuk arrijnë të krijojnë një simbol dhembshurie, së paku, mund të mbartin energjinë e nevojshme për të provokuar simpati tek të tjerët, të mjerët, pensionistët; që të mos zgjatem,  50 dollarë dhuratë qeverie, ngjajnë me një  shpërthim magjie mes zorrëve të uritura, që të paktën për festën e madhe do shkrehen në mjegullën e alkolit por nuk “do të bëjnë revolucion”. Me dollarët e Sali Berishës në xhep,  pensionistet do mund të jenë një hap larg një çasti lumturie të virgjër; ata, padyshim, me imazhin e “të madhit” në sy, dhe me paratë në xhep, nuk do të ndihen jetimë në shkallëzimin e ri të kujtesës; ata nuk do të përfillin furinë e mbarimit të jetës përpara, në po atë masë që gjithashtu do të shuajnë ndjesinë e egër që ju ka ngjizur në shpirt indiferenca e botës;

Ashtu si kanë qenë vitet e shkuara, 50 dollarë do të ishin sigurisht një  lajm i mire, realitet i mirë,  ngushëllim, frymëmarrje, mbushje, rini, fillim, karikim, vlerësim, ngazëllim,  lumturi e shkurtër dhe sërish ëndërrim, dhe të gjitha këto do të afroheshin sot nga ai, vete ai, zemërmadhi, shpirtmadhi, hatërmadhi,  lavdimadhi, pushtetmadhi, nga vetë kryeministri i vendit, Sali Berisha.

Mirëpo, pikërisht atëherë ku nuk pritej, lajmi i keq u fanit si një re e zezë në mendjen e turmës së mplakur. Nuk do të ketë dhuratë për pensionistët këtë vit. Nuk do të ketë verë dhe as ngazëllim. Nuk do të ketë nostalgji për të shkuarën, dhe gratë e fshehta, ashtu si mëkatet e dashurisë, do të fshihen edhe më shumë thellë ndërgjegjies së tyre. Nuk do të përfytyrojnë femrat simpatike që kanë dobësi, as gra lakuriqe me pushtet dhe me taka të larta. Nuk do të guxojnë të ushqejnë imagjinatën për gra me pushtet, me fuqitë e mbetura, për të kuptuar numrin e gjinjve dhe lehtësinë e orgazmave . Nuk do ti trazojë as pasuria e disa grave që pasurohen shpejt dhe qeverisin ngadalë, as lloji i ekstazave të tyre në çastet intime në shtretër që mbase kushtojnë më shumë se ato vetë. Tingulli i  shpresës do të shuhet zvarrë në veshët e tyre. Do të prishet simboli i dhembsurisë së kryeministrit. Do të fashiten tërësisht kujtimet. Do të shuhet fantazia dhe bashkë me të edhe dëshira instiktive për të ëndërruar rininë e dashurisë. Do të pllakosë një dimër i ri mbi dimrin e pleqërisë me dhimbje kockash dhe dhimbje shpirti për shpërfilljen barbare në prag të ndërrimit të viteve.  Nuk do të ketë Viagra në botë, lëng ose hapje,  që do të mund të trazojë hormone e ngurta të tyre pas zhgënjimit. Kujdesi i “të madhit” nuk do të jetë më, edhe pse i madhi do vazhdojë të ekzistojë, të festojë, të përfytyrojë edhe pijë verë Vezuli me miqtë e tij aleatë, pavarësisht si edhe sa. Kuletat e pensionistëve, do të jenë të ftohta në natën e ndërrimit të viteve. Brenda tyre, nuk do të tringëllijnë monedhat e kthyera nga blerjet e taksura. Nëpër themelet e gurta të shtëpive, nuk do të ketë pendë këndezi të therur, as  si kurban i fatit të tyre. Sigurisht, kryeministri do flasë para dhe pas vitit të ri, si një këndez majë plehut që as shitet, as blihet e sidomos as dhurohet, dhe ata do ta dëgjojnë, por këtë herë me shpirtin dhe xhepat e zbrazur.

Sidoqoftë, me ose pa dollarët në xhepat e pensionistëve,  festa e fundvitit do ndryshojë e do ndezë fishekzjarre,  por vështirë të ndryshojë fakti se jep ose nuk jep dhuratë për moshën e tretë, kryeministri është vetë si një “dhuratë e hidhur, e përhershme” për ta. Në dimër, për Vitin e Ri dhe në verë. Për shumë pensionistë të zhgënjyer, që këndesin nuk do ta kenë në tryezën e nipërve, kryeministri ishte dhe është njëshi i murrmë i një shoqërie në dilema të mëdha, edhe sikur në tryezën e vitit të ri qeveria t’ju kish shtruar dashin e pjekur.  Jep ose nuk jep, ai është “i madhi” i një shoqërie ku  njerëzit vrasin veten dhe të afërmit; ai është  ëngjëlli  i varfërisë; është udhëheqësi i një populli të rrëqethur nga mungesa e normalitetit. Kryepushtetar i një vendi me njerëz të lodhur,me patriotizëm te shuar ne shpirt, besimshuar, pemëthyer,  lumështeruar. Edhe botën e tërë t’ju falte,për ta ai është i pari i vendit të fundit në radhë. Shkurt,thjesht,qartë,rëndom,por edhe  klithshëm, dhuron ose jo, ishte dhe është kryeministër i një vendi të kalbur e korruptuar, ku mungon drejtësia, civilizimi,edukata qytetare, pastërtia, humanizmi, komunikimi, ndershmëria dhe institucionet serioze.

 

2 komente në “Dhurata e munguar e kryeministrit”

  1. fiorel says:

    hahahahaha, sa kam qesh! Pensionistet e shkrete! Z.Tan Mullaj, mduket sikur mkeni lexuar mendimet! Shume respekt per ju, shkrimtar.

  2. VERONIKA says:

    keta pensionistetduhet te kenaqen qe po marin pensionin se ka dhe me keq.
    si ka ardhur koha mund te mos kete para dhe per rogat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje