Tit Vasili, i trembur nga Horoskopi 2011

28 Dhjetor 2011, 22:42Antena TEMA

Tit Vasili nuk para lexon gazeta, por për dreq në fillim të këtij viti, në ditët e protestave të 21 janarit, u mbyll në zyrë dhe shfletonte gazeta. Në njërën prej tyre gjeti një horoskop vjetor të shenjës së tij. U bë kurioz dhe e lexoi. Ishin të gjitha rubrikat me radhë.

Shëndeti

Do të keni një zhvillim të qëndrueshëm dhe do tejkaloni gjithë deficitet e rinisë në shëndet. Pritet të keni kulmin e zhvillimit të trurit dhe do të përjetoni një periudhë të vetëzbulimit të inteligjencës, e cila do tu forcojë shumë besimin. Në raport me të tjerët do të ndjeheni më i mençur, më i ditur dhe më inteligjent. Jupiteri u favorizon dhe për ngjarje të rralla siç mund të jetë leximi i ndonjë libri.

Biznesi

Biznesi do t’ju ecë mbarë. Ju do të hyni në listën e njerëzve të pasur, që i kanë bërë lekët me vonesë, por që u shijojnë shumë për shkak të rrethanave në të cilat i keni fituar. Aftësia juaj për të bërë lekë në moshë të madhe, favorizon sipas Saturnit një valë optimizmi tek brezi i të moshuarve për të mos humbur shpresën për tu bërë të pasur në çdo moshë.

Jeta intime

Duket që do të keni një vit të mbarë, pa strese dhe partnerja juaj do të jetë e bindur. Hëna e vë atë në pozicion të vështirë me rivale të saj dhe kjo e bën atë më të dëgjueshme. Përpiquni të mos keni partnere me mbërthecka, apo vizitore jo shumë të sigurta në shtëpi, pasi ka një shtim të çimkave që nuk favorizon shumë partinë tuaj.

Karriera

Ju do të keni një karrierë historike si mjek dhe drejtues i lartë i shëndetësisë. Gjatë këtij viti ju do të përcillni figurat kryesore të politikës shqiptare në botën tjetër. Kujdes tek i katërti, pasi ikja e tij mund të komplikojë karrierën.

 

Këto ishin pjesët që i kishin bërë më shumë përshtypje Tit Vasilit tek horoskopi vjetor. Kur kishte lexuar këtë të fundit, kishte qeshur me të madhe dhe kishte hedhur gazetën. -Këto gazetat ja fusin kot, kish thënë, unë s’kam kë përcjell nga politika.

Por tani që është fundviti, Tit Vasilin e ka kap paniku. Iku Ramiz Alia, e përcolli, iku Leka Zogu, e përcolli, iku Sabri Godo, e përcolli. Tani dhe tre ditë janë kush do të jetë i katërti? Larg qoftë ai që i shkon në mendje Edi Ramës.

I shqetësuar ka filluar të rrijë 24 orë pas Doktorit me dy ambulanca. Dje i shkoi dhe në konferencën për shtyp, nga frika se mos i ndodhte diçka gjatë fjalës. Pati disa lëkundje në fillim, po e mori veten.

Pas konferencës për shtyp e thirri Titin për kafe.

-Shiko, tha, ishte shkruar që sivjet të iknin katër vetë prej politikës. Por ne duhet të qëndrojmë. Fuqia e shtetit këtu duket.

Tit Vasili u drodh. “E paska nda mendjen, tha, do ikë dhe ky. Pu pu, ç’më gjeti mua që ma tha. Nga e lexova atë dreq horoskopi”.

-Jo Doktor, tha. Tre kanë ikur dhe ata ishin në moshë. Asgjë s’ka për të ndodhur.

-Kanë ikur 4 Petrit, i tha Doktori. Tre u vranë menjëherë po i katërti vdiq më pas. Nejse ne provuam që kemi shtet ligjor. Të kam thirrë se ti ke lujtë një rol të rëndësishëm ato ditë, pasi ke dekuraju njerëzit të mblidhen në bulevard. Ishte gjetje e madhe ajo e virozave. Shiko, ishte gjetje. E kopjoi dhe ministri i Putinit pastaj. Jo, atë që e bëre, e bëre, duhet me ta njohë atë meritë.

Tit Vasili u çlirua komplet.

-Kam dhënë udhëzim tjetër, i tha Titi, për Vit të Ri. Kam thënë të mos hanë e pinë këto ditë që t’i gjejë Viti i Ri plot shëndet. Se po hëngrën ne nuk mbajmë më përgjegjësi. Bile as Panariti s’ka ç’bën. Gjithë supermarketet e Bullgarisë kanë sjellë mallrat skarco në Sauk dhe po i shesin me thasë. Po u helmua njeri s’mbajmë përgjegjësi.

-Ke bë mirë që i ke lajmëru. Shiko, e kemi detyrë me i lajmëru, ke bërë mirë. Duhet të bësh një koktej për Vit të Ri dhe ftoji gjithë këta pacinetët e këtij viti, fto Leka Zogun, Ramiz Alinë, Sabriun, shiko, ata kanë shku mirë me njëri- tjetrin paçka se njëri ishte republikan, tjetri monarkist e tjetri diktator. Kanë shku mirë, ftoji. Du me i pa bashkë një herë të gjithë, duhet ta bësh këtë…

Tit Vasili u mek nga lajthitja e Doktorit.

-Do jap porosi, tha, mos ki merak.

-Jo, thirri, shiko, thirr dhe Ilir Zhillën tu bëjë një koktej, se e kanë dashtë atë, do vij dhe unë.

Titi po rrinte mbi gjemba derisa mori leje për të ikur. Zbriti shkallët me vrap me shpresë se nuk do t’i binte telefoni të rikthehej pas.

-Kështu është kur bën lek në moshë të madhe, tha me vete, hajde mbaj mendjen e kokës pastaj.

1 komente në “Tit Vasili, i trembur nga Horoskopi 2011”

  1. Beni says:

    Ky, Titku ka dhe nje problem te madh me farmacistet.Kohet e fundit i jane ankuar koleget se pacientet po sherohen nga farmacistet,keshtu qe i jane ulur fitimet ne para te thata.Mendon,i gjori Tit, se si do t’i veje halli kur te shkoje prap ne pune si mjek,a do te fitoje ndonje para.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje