Deklarata e Chavez-it se Amerika ka gisht në sëmundjet kanceroze të pesë liderëve të Amerikës Latine, ka shkaktuar një problem të madh për Tit Vasilin. Edhe pse Doktori nuk ia tha drejtpërdrejt shqetësimin, në pritjen që organizoi në kryeministri me rastin e Vitit të Ri, ai u fokusua tek arritjet në fushën e Shëndetësisë. Doktori ato i quajti kryesore në raport me arritjet e tjera. Tit Vasili u çudit shumëse ka dy vjet e ca ministër dhe s’ka dëgjuar një fjalë të mirë. Doktori është i dyti pas Ambasadorit Arvizu që përshëndet arritjet në mjekësi.
I çuditur shumë Tit Vasili ju afrua Doktorit në një moment qetësie dhe e falenderoi për urimin e bërë publikisht.
-Tani Petrit unë kam fol me Lilin dhe arritje keni pasur, nuk është se nuk keni pasur, por dhe një vigjilencë më të madhe duhet ta kini, e kupton vetë ti.
-Qartë, qartë, tha Titi dhe kafshoi buzën.
-Të na e ketë me hile ky ambasadori, tha me vete, këtej thotë fjalë të mira dhe këtej të na ketë bërë një gjëmë…
Mbaroi koktejin dhe vrapoi në ministri. Thirri konsultë urgjente për sëmundjen e Doktorit.
-E dua shkencore, tha, dhe shumë të qartë çfarë ka.
Si përfundim doktori kryesor që ndjek Doktorin filloi shpjegimin.
-Ai ka një humbje të imunitetit të organizmit, tha, dhe ndaj tij shkaktojnë fikje të organizmit shumë elementë të jashtëm, për shembull temperatura e lartë, temperatura e ulët, emocionet e forta, mungesa e emocioneve, tensioni i lartë, tensioni i ulët, gripi, rrufa, çdo gjë…
-Çfarë thua, tha Tit Vasili duke shqyer sytë. Pse, ça ka ai, SIDA që dëmtohet nga çdo gjë?
-Jo, jo, kështu është organizmi, është dobësuar dhe reagon keq ndaj çdo faktori të jashtëm…
-A injektohet kjo sëmundje, pyeti drejtpërdrejt Titi…
Mjekët panë në sy njëri- tjetrin të frikësuar.
-Jo, jo, thanë në një zë. E ka vetë organizmi. Ashtu ka qëlluar.
-Kur i ka shenjat e para, pyeti Tit Vasili.
-Gjendja është rënduar pas verës, tha mjeku.
-A ka lidhje me festimet për javën amerikane në Tiranë me koktejin tek Galeria…, pyeti Tit Vasili.
-Nuk e di, tha mjeku, por në fund të gushtit, fillim të shtatorit kanë qenë shenjat e para.
Titi kafshoi buzën. “Mos na kanë bërë gjë tek ai kokteji, tha, se atëherë u mërzitën këta amerikanët me të. Deri atëherë e quanin Burrë Shteti. Kur i mori mandatin e Tiranës u mërzitën dhe mund t’i kenë bërë ndonjë gjë.’
-OK, u tha mjekëve. Dua raport ditor për të dhe një studim që do ta paguajë qeveria nëse kjo gjendje e humbjes së imunitetit mund të jetë ndikuar nga faktorë të injektuar përmes ushqimit, pijes apo mënyrave të tjera.
-Më falni, i tha mjeku. Doktori nuk ka tumor si Chavez-i.
Tit Vasili u trondit pa masë.
-Pse, kush të tha ty që ka tumor, i tha, unë u thashë hetoni nga se i ka ardhë!
-Aha, jo thjesht na u kujtua deklarata e Chavez-it, tha mjeku, meqë na pyete nëse jepet me ushqim apo pije.
-Jo, jo, as që bën vaki ajo, tha Tit Vasili. Doktori është aleat i madh i tyre. Unë thashë thjesht dua një studim shkencor për këtë punë, jo politik. T’i ndajmë punët.
-Mirë, thanë mjekët, do përpiqemi, dhe u shpërndanë.
Tek dera, njëri ndaloi.
-Nuk besoj se e ka nga amerikanët, i tha Tit Vasilit me zë të ulët, se është dhe Tadiçi i sëmurë. Ose njëri, ose tjetri, nuk i heqin të dy në një kohë.
Titi u hutua dhe më shumë dhe nuk dinte si të reagonte.
-Jo, jo, tha, s’kemi asnjë dyshim tek ata. Bile as Tadiçi nuk ka.
BRAVO ARVIZU ; BRAVO JAKOMONI
po ku merren amerikanet me keta hajdute