Dje Kunati i Lulit u trondit shumë kur i ra zilja e telefonit. Një oficer i policisë gjyqësore e mori në telefon dhe kërkoi Nënkryetarin e Bashkisë.
-Alo, Nënkryetari i bashkisë jeni?
-Jo mo çfarë Nënkryetari, jam Kunati, i tha ai.
-Më falni, flas nga Prokuroria, tha, dhe kemi nisur hetimet për punimet në Sheshin Skënderbej. Kemi marrë disa njerëz në pyetje dhe të gjithë na adresojnë tek ju. Na thonë që Nr.2 i ka vendosur të gjitha. A jeni ju Nr.2 i Bashkisë?
-Unë si të them, dakord, unë jam, por jo tamam, nejse, folim…
-Mirë, më prisni në zyrë, i tha oficeri.
Pas gjysmë ore Kunati po sillej vërdallë nëpër Bashki ku të gjente një zyrë për Prokurorinë. Më në fund liruan një zyrë pa tabelë te dera dhe e priti aty.
Prokurori hapi dosjen dhe filloi nga pyetjet.
-Në fillim identifikohuni, i tha?
-S’di si të them se unë jam zoti Kunat, i tha Kunati, d.m.th nuk marr rrogë në Bashki dhe ndoshta nuk duhet të më pyesni mua.
-Po si e keni emrin, e pyeti Prokurori.
-Po s’ka rëndësi, unë ta them dhe emrin se s’ka problem, po të gjithë më njohin si Kunati dhe më thonë Nr.2.
-Po pse të thonë Nr.2 kur nuk kini asnjë detyrë, i tha Prokurori.
-Po se në familjen tonë Nr.1 ka qenë gjithmonë motra. Unë kam qenë Nr.2.
-Po ç’lidhje ka motra juaj me Bashkinë, i tha Prokurori.
-Është Nr.1 se është grua e Kryetarit, i tha Kunati.
-Më falni, po Kryetari çfarë Numri është, tha oficeri duke qeshur.
-Kryetari është i madhi fare, s’merret me këto punët e vogla, këto i bëjmë ne si shpi, i tha Kunati.
-OK, dakord, fillojmë, i tha prokurori. Kam pyetur Drejtorin e lejeve urbanistike në Bashki për fillimin e punimeve në Shesh Skënderbej dhe nuk kishte dijeni. Më adresoi tek Ju, më tha që Shefi e di. Pse ju thotë Shef ju kur nuk jeni në punë këtu?
-Më falni, i tha Kunati, i ka mbetur zakon. Është arkitekti i Pallatit që po bëjmë në Vlorë bashkë me babin, dhe meqë është çun i mirë, i thashë motrës dhe ajo e emëroi tek lejet e ndërtimit këtu në Tiranë. I ka ngelë zakon e më thotë shef.
-OK, qartë, i thotë oficeri. Pyeta dhe tek zyra e Financës, më doli një grua që merrej me taksat dhe ajo më tha që pyet shefin se ai e di këtë punë. Pse të thotë shefi ajo ty?
-Aha, po, është motra e shoferit motrës. I ka ngelë zakon ngaqë i thotë motrës shefe, më thotë dhe mua shef, s’ka problem, është gocë e mirë. Nejse, t’i jap unë të dhënat po të duhen.
-Deshëm me pyetë tek zyra e personelit sa punonjës nga Bashkia janë angazhuar në punimet për mbylljen e sheshit dhe sa janë bërë me prokurim, por ajo zonja na tha që duhet me fol me shefin dhe na dërgoi tek ju. Pse ju thotë Shef ajo ju?
-Aha, po, është një kushërira jonë, nga tezja, gocë e mirë, por e ka nga sikleti se nuk merr vesh nga këto punë, dhe konsultohet me mua dhe motrën se e kemi kushërinj. Është gocë e mirë.
-Aha, ok. Atëherë do na duhet tu marrim ju të pandehur në vend të Shefit të madh, i tha oficeri!
Kunati u trondit dhe u zverdh në fytyrë.
-Po pse, vërtet e keni ju, tha. Mua Luli më tha mos ça kokë se e mbyllim me procedurë, apo…
-Nuk e di, i tha oficer. Unë jam ai që bëj dosjen, për të mbyllur e mbyllin të mëdhenjtë. Por kam frikë se po u fute ti në vend të Lulit, nuk e mbyll njeri.
-Zoti Prekuror, zoti Prekuror…, i tha Kunati
-Prokuror, e korrigjoi oficeri. E thënke njësoj si Gramoz Ruçi.
-Jemi nga një anë, i tha Kunati me nxitim me shpresë se mos prokurori ishte mik i Gramozit.
Ndërkohë ai kishte mbyllur dosjen dhe po fliste me dikë në korridor dhe po i thoshte diçka për Kunatin…
JU LUTEM ju zoterinjve te prekurorise,mos e denoni 2-in,se do na hapi barkun dhe me vone.Do te thote jam i persekutuar e do vazhdoje te vjedhe dhe mbas SALES se dyte…