Barça merr trofeun që i mungonte

7 Shkurt 2012, 13:12Sport TEMA

Barcelona ka shkruar emrin e saj në histori duke marrë një trofe që i mungonte dhe që e ndiqte prej kohësh, çmimin “Laureus” si skuadra më e mirë e vitit 2011. Katalanasit kanë triumfuar në këtë edicion, duke u bërë ekipi i parë spanjoll që siguron këtë trofe, ndonëse më parë e kishin marrë në një kategori tjetër, atë të “Frymës sportive”, në vitin 2007.

Barcelona ka lënë pas kandidatë të tjerë mëse prestigjioz: “All Blacks” (Kombëtarja e Zelandës së Re në rekbi, Kampione Bote 2011), Dallas Maveriks (Kampionët e NBA 2011), skuderia Red Bull (Kampione Bote në Formula 1 2011), kombëtaren e futbollit të femrave të Japonisë (Kampione Bote 2011) dhe kombëtaren angleze të kriket (numri 1 në renditjen botërore 2011).

Për suksesin e katalanasve, padyshim ka ndikuar sasia e trofeve të fituar duke luajtur një futboll spektakolar dhe duke ngritur lart titullin Kampion në Spanjë, Kupën e Kampioneve, Superkupën e Spanjës, Superkupën e Evropës dhe Botërorin e Klubeve.

Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, në momentin e tërheqjes së çmimit, tregoi se sekreti i kësaj skuadre ishte se të gjithë ishin një grup miqsh. “Ata i kanë treguar botës se mund të fitohet duke luajtur pastër dhe duke qenë një grup shokësh. Përveç kësaj, janë sportistë të mëdhenj, të drejtuar nga një trajner po aq i madh”, ishte komenti i Rosell.

Ai ka folur edhe për Guardiolën, duke e cilësuar si pasardhësin e Aleks Ferguson. “Ferguson është trajneri i shekullit por jam i sigurt se Pep Guardiola do të jetë në vitet në vazhdim. Kontrata e re? Pep e di që ne kemi gjithçka gati kur ai të vendosë të hedhë firmën në letër”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje