Karlos Tevez po planifikon të udhëtojë nga Buenos Aires drejt Mançesterit të martën, për të luajtur pjesën e tij në përpjekjet e Mançester Sitit për të marrë titullin kampion. Negociatat mes lojtarit dhe drejtuesve të klubit duket se kanë patur një fund të lumtur ndaj 28 vjeçari do të jetë shumë shpejt në Angli, nga ku është larguar që me 7 nëntor.
Trajneri Roberto Mançini duket se është pajtuar me idenë e kthimit të sulmuesit argjentinas, të cilin më parë e kishte cilësuar “të mbaruar”, por që tani e sheh si vendimtar në luftën për titullin kampion në Angli.
“Karlos e njeh situatën. Nëse ai kthehet, ne do të flasim pasi nuk kam asnjë problem me të”.
“Të gjithë e dinë që Tevez është një lojtar i madh dhe do të ishte në të mirën tonë nëse ai do të vinte këtu”.
“Ai ka aftësinë të ndryshojë rrjedhën e ndeshjeve. Nuk e di nëse do të vijë këtë javë apo jo, por nëse e bën një gjë të tillë, mund të luajë një rol të rëndësishëm në tre muajt e fundit të sezonit”, ishin fjalët e Mançinit, që ka tingëlluar më shumë si një lutje ndaj futbollistit duke parë vështirësitë me të cilat është përballur Siti gjatë javëve të fundit.
Edhe lojtari është i ndërgjegjshëm se në rast të mosaktivizimit të tij gjatë pjesës së dytë të sezonit, do të jetë vështirë që ndonjë skuadër tjetër e njohur të pranojë ta marrë në merkaton e verës.