Elis Bakaj drejt Ukrainës

24 Shkurt 2012, 11:25Sport TEMA

Elis Bakaj është shumë pranë zyrtarizmit të transferimit të tij drejt kampionatit ukrainas, për të braktisur atë rumun. Telenovela e mesfushorit shqiptar duket se po mbaron me sukses pasi Dinamo e Bukureshtit ka pranuar që ta lërë atë të largohet drejt një ekipi ku ka mundësi të aktivizohet titullar.

Sipas burimeve pranë vetë lojtarit, Bakaj pret të mbyllë sot transferimin te Çernomorets Odesa, skuadër kjo e kategorisë së parë në kampionatin ukrainas. Ndërmjetës për transferimin e tij është bërë mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, Kristi Vangjeli, i cili aktivizohet me sukses në këtë ekip.

Për Bakajn, fitet për një huazim 6-mujor me të drejtë blerje në përfundim të sezonit. Ky huazim kushton 50 mijë euro, çmimi që i është vënë lojtarit nga klubi rumun, ndërsa vetë futbollist do të vazhdojë të përftojë 8 mijë euro në muaj, aq sa merrte edhe në Rumani.

Futbollisti u transferua një vit më parë në Rumani, me shpresën se do të gjente vend mes titullarëve të Dinamo Bukureshtit dhe do të bënte hapin e madh të karrierës. Por gjerat nuk shkuan ashtu siç pritej dhe lojtari mbeti këtë sezon për pjesë më të madhe të ndeshjeve në pankinë.

Si rrjedhojë, ai kërkoi transferimin, por klubi pranoi kërkesën vetëm në momentin kur një skuadër tjetër ishte e gatshme të paguante 50 mijë euro për ta huazuar, apo 200 mijë euro për ta blerë përfundimisht atë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje