Marrëveshja e fundit e arritur në Bruksel, me të cilën Kosova pranoi që në përfaqësimet rajonale të prezantohet me fusnotë, e cila i referohet Rezolutës 1244, duke hequr dorë kështu nga fjala “Republikë”, ka dëshpëruar bashkëvendësit e kryeministrit, Hashim Thaçi.
Qytetarët e Skënderajt dhe Drenasit, të cilët vazhdimisht e kanë mbështetur kryeministrin Thaçi, janë zhgënjyer me kompromisin e fundit të Qeverisë së Kosovës. Madje, disa prej tyre kanë thënë se më nuk do ta votojnë partinë e Thaçit. Megjithatë, ata i ngushëllon fakti se përfaqësues të shtetit amerikan kanë siguruar se marrëveshja e fundit nuk shkon në dëm të pavarësisë së Kosovës.
“Që të kthehemi në kohën e Rezolutës 1244, kurrë nuk e kisha besuar. Kjo na ka kthyer një hap mbrapa”, shprehet i dëshpëruar, profesori rreth të 60-ave, Kadri Meha, banor i Skënderajt. Ai kujton kohën e pasluftës, bisedimet, zhvillimet politike, udhëheqjet, përfshirë periudhën kur Kosova përfaqësohej nën Rezolutën 1244, e që për të dhe bashkëvendësit e tij ishte e rëndë dhe e papranueshme.
“Edhe pas luftës, kishte luftë për t’u bërë shtet i pavarur dhe në rajon e botë të shfaqemi si ‘Republikë’. Kjo marrëveshje më ka dëshpëruar e në veçanti më ka dëshpëruar kjo qeverisje, e cila e ka pranuar atë”, u shpreh Meha.
Duke i njohur vendësit e vet, që pa u ndalur nga asgjë gjithmonë kanë përkrahur Thaçin, Meha beson se Skënderaj ka rënë në një dëshpërim siç e quan ai ‘të heshtur’.
“Andaj, nëse nuk mund të thonë fjalë të mira, më mirë nuk flasin fare sesa të pranojnë të flasin keq për Thaçin”, tha ndër tjera Meha.
Në dorë të Amerikës?
Sado dëshpëruese që është kjo marrëveshje për banorët e Skënderajt e të Drenasit, megjithatë ata i besojnë Amerikës, që nuk do t’i tradhtojë.
“Amerika na ka përkrahur, na ka sjellë lirinë dhe derisa ata thonë se nuk ka gjë të keqe prej kësaj marrëveshje, ne jemi të qetë. Janë shtetet më të fuqishme botërore që ne iu besojmë dhe na bëjnë që të mos dyshojmë”, shprehet Riza Tahiri, mendimit të të cilit i bashkëngjitet edhe Jetullah Mehaj.
Naim Hoti, banor i Skënderajt dhe ish- ushtar i UÇK-së, shprehet i bindur se Kosova është e varur prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, andaj sipas tij, Thaçi me siguri që ka pasur një presion të madh që ka pranuar Rezolutën 1244.
“E vërtetë që kthimi në Rezolutën 1244 më ka dëshpëruar. Por, unë besoj se Thaçi ka pasur një presion tejet të madh prej ndërkombëtarëve, në këtë rast të amerikanëve, që po ashtu besoj se në fund nuk do të na dëshpërojnë”.
Ka edhe të atillë që besojnë 100 për qind te ndërkombëtarët. Blerim Gashi thekson se derisa Shtetet e Bashkuara bashkë me BE-në, e kanë përkrahur marrëveshjen e fundit, atëherë nuk ka nevojë për panik.
Nuk e duan Thaçin, por as protestat kundër tij
Edhe pse pak të rinj pranonin të flisnin për gazetën, njëri prej tyre nga Drenasi nuk heziton të shprehë irritimin që ka ndaj kësaj Qeverie.
“Marrëveshja më ka dëshpëruar shumë. Kjo qeveri më ka dëshpëruar shumë. E kam votuar, por nuk do ta votoj më”, u shpreh Milot Kukaj, një i ri nga Drenasi.
I pyetur se a do të shprehë këtë dëshpërim, duke iu bashkangjitur protestave të paralajmëruar të hënën nga lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë, Kukaj u shpreh, “për protesta nuk kam koment”.
“Për protesta nuk është momenti i duhur. Nuk i përkrah protestat, nuk duhet të dalim në rrugë. Të presim sepse kemi përkrahjen e amerikanëve”, është shprehur Arsim Bajrami, po ashtu banor i Drenasit.
Të presim pak, të mos ngutemi me protesta, sepse në fund të fundit kjo qeveri është krah i luftës, dhe me apo pa dashje ajo ka pasur një presion që e ka pranuar këtë marrëveshje, u shpreh qytetari tjetër nga Skënderaj, Xhavit Osaj./zeri
“Sado dëshpëruese që është kjo marrëveshje për banorët e Skënderajt e të Drenasit, megjithatë ata i besojnë Amerikës, që nuk do t’i tradhtojë.”
për tu nënvizuar:”megjithatë ata i besojnë Amerikës, që nuk do t’i tradhtojë”,paradoksale!e trishtueshme,e pa besueshme SA I TRASHË ËSHTË POPULLI SHQIPTAR!
tradhëtohet nga ata që ai voton,zgjedh për drejtues!
nuk hap gojën dhe pasi është tradhëtuar dhe poshtëruar nga bijt e tij!
shperson të mos tradhëtohet nga i huaji!!!!
çfar mund të thuash për këtë popull,për atë popull ku dhe unë bëj pjesë!
të jesh i verbër nuk varet nga njeriu,por të mos duash të shohësh është vetvrasje!
kjo po ndodh me popullin shqiptar!
VETVRASJE