Platini ëndërron finalen Real-Barça

5 Mars 2012, 12:29Sport TEMA

Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, ka qenë i pranishëm në tribunën VIP të “Santiago Bernabeu” të dielën në darkë dhe ka parë se si Reali i Madridit ka shkatërruar me rezultatin 5-0 Espanjolin. Ai ka lëshuar disa komente për “Canal+”, duke treguar se do t’i pëlqente të shihte në finalen e Ligës së Kampioneve sfidën Real-Barça.

“Ka edhe ekipe angleze apo italiane në garë… Nuk e di se kush mund ta luajë finalen, por një Real Madrid-Barcelona mund të jetë një finale e bukur”, u shpreh ai.

Presidenti i UEFA-s mendon se lufta për titullin kampion në Spanjë do të vazhdojë derisa matematika të thotë të kundërtën. “10 pikë janë shumë, po deri në fund të kampionatit nuk mund të thuash asgjë. Në fund do të triumfojë ekipi që e meriton më shumë”, tha ai.

Real Madrid dhe Barcelona u ndeshën vitin e kaluar në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve duke dhuruar dy nga sfidat më të ndjekura të edicioneve të fundit në këtë turne. Si rrjedhojë, një finale mes këtyre dy skuadrave do të ishte një reklamë edhe më e madhe për UEFA-n dhe turneun më të famshëm të klubeve në botë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje