Mona dekonspiron menynë e Baba Mondit në darkë me Baba Liken

7 Mars 2012, 19:51Antena TEMA

Vizita e Ambasadorit të OSBE tek shtëpia e Baba Likes, siç e thërret Mona burrin e vet, pati shumë jehonë në Tiranë. Të gjithë ata që njohin pamjen babaxhane të ambasadorit, sytë e skuqur kur shikon qofte dhe birrë, dhe sidomos muhabetet e tij pas pijes, kanë bërë që në Tiranë atij t’i thërrasin Baba Mondi. Ky emër i është bërë shumë popullor dhe brenda trupit diplomatik në Tiranë.

Kështu Baba Mondi trokiti dy net më parë tek pallati i Baba Likes. Ai doli e priti në korridor, ndërsa Mona e përqafoi dhe vazhdoi punën e saj në kuzhinë.

Sapo u rehatua, Baba Like e pyeti Baba Mondin me se do ta fillonte.

–Kam pak raki të mirë Skrapari dhe pak djathë, i tha. Ka bërë Mona dhe ca patate të furrës dhe fasule pllaqi si fillim derisa të bëhet darka.

-Gut, gut, i tha Baba Mondi dhe i shkëlqyen sytë. Fërkoi dy herë duart, pa nga Baba Likja me humor krejt të ndryshuar.

-Të ka ftuar Mona për darkë dhe për të të falënderuar për kontributin tuaj gjatë periudhës së vështirë që kaluam, ndërkohë që siç e di, opozita inskenoi një video të turpshme ndaj meje.

-Yes, yes, i tha Baba Mondi.

-Ju e patë me sytë tuaj se si ata donin të provonin që unë kisha bllok në dorë, që mbaja shënim porositë për ministrin, dhe që i ofrova atij para për tendera. Por gjyqi ishte transparent dhe ne u treguam vendin.

-Gut, gut, tha Baba Mondi, ndërkohë që kish zgjatur dorën mbi patatet e fërguara pa pritur pirunin dhe po i fuste ato në gojë duke i parë gjithë adhurim.

Nga kuzhina vinte zhurma dhe era e gjellëve që gatuante Mona.

-Kjo punë vinte erë e keqe që në fillim, vazhdoi Baba Likja fjalën e tij.

-No, no, bërtiti Baba Mondi. Mua më pëlqen shumë kjo erë.

-E kisha fjalën për skandalin e videos, tha Baba Likja, jo erën e kuzhinës.

-Ah, yes, yes, sure, tha Baba Mondi.

-Unë isha i bindur që ata do ta hanin vetë gjellën që gatuan dhe ja ku ia arritëm kësaj dite.

-Yes, yes, tha Baba Mondi pak i hutuar se çfarë gjelle do të hanin ata.

Mona ndërkohë zgjati kokën dhe bërtiti nga korridori.

-Keni gati ca lakër të stufuar me salçiçe dhe ca qofte ose sallam me patate te fërguara.

-Bjeri, i tha Baba Likja, se dhe patatet po mbarojnë.

Mona ua shtroi në tavolinë dhe duke ikur i lajmëroi se dhe byreku është gati.

-Gut, gut, tha ambasadori.

-Desha tu shpreh mirënjohjen dhe për qëndrimin tuaj ndaj presidentit, i tha Baba Likja.

-Yes, yes, i tha Baba Mondi.

-Ne nuk jemi dakord dhe me Doktorin që Presidenti duhet të jetë i PD-së. Unë kam biseduar dhe me njerëz të tjerë brenda PD-së si zoti Basha dhe të tjerë, që mendojnë se presidentin duhet ta propozojmë ne si LSI dhe Berisha ta mbështesë.

-Yes, yes, i think so, tha Baba Mondi.

-Situata brenda PD është e keqe, tha Baba Likja. Basha më mbështet mua fort dhe më thotë nuk dua të dal unë në skenë, por ti duhet të më heqësh qafe Jozefinën. Dhe unë ia kam dhënë fjalën. Ajo na ka izoluar, na ka lënë pa pushtet dhe mban nën kontroll ministritë kryesore.

-Yes, yes, tha Baba Mondi.

-Ndaj ne mendojmë që të punojmë në favor të zotit Basha, pra ta heqim qafe zonjën Topalli dhe t’i hapim rrugën një presidenti konsensual LSI- PD.

-Gut, gut, tha Baba Mondi.

Ndërkohë Mona u shfaq sërish dhe këtë radhë kishte në duar dy pjata me tava Elbasani.

-Gut, gut, tha prapë Baba Mondi duke parë nga tava.

-Ka shumë njerëz që na mbështesin, tha Baba Likja, dhe që janë gati të paguajnë miliona që të ketë një president konsensual LSI- PD dhe që zonja Topalli të mos përfshihet në këtë valle. Siç keni pjesën tuaj në fitoret tona, do keni pjesën tuaj dhe në shpërblimet tona, i tha Baba Likja.

-Gut, gut, tha Baba Mondi dhe i shkëlqyen sytë.

-Në rast krize unë mendoj të bëhem dhe vetë president, i tha Baba Likja. Ndaj u kam thirrur në këtë darkë që të diskutoj dhe mbështetjen tuaj.

-Gut, gut, i tha ambasadori.

Mona, e cila përgjonte pas dere, vrapoi me pjatën e revanisë në dorë.

-Hajt gëzuar, tha, të ëmbëlsohemi më në fund.

Baba Mondi, i cili e kishte tepru pak me rakinë e Skraparit, qoftet, patatet e furrës, tavën e Elbasanit dhe në fund revaninë, ishte zilepsur dhe po i vinte pak gjumë mbi kolltuk.

-Më jepni fjalë që OSBE nuk e kemi kundër, i tha Baba Likja. Ëëë, ma jep apo jo? Ë, e fortë, ë? Si thua ti?

Baba Mondit i merreshin pak mendtë dhe fytyra e qeshur e Baba Likes i shtonte gjumin. U shtri një copë herë mbi kolltuk duke pëshpëritur gut, gut dhe duke dëgjuar si në ëndërr të qeshurën e Baba Likes dhe një ëëë të zgjatur. Pastaj një zë gruaje që thoshte ‘ky është pa shpenzime se me dy gota raki e tre qofte e zë. Ai Doktori na rruajti verat më të mira dhe asnjë fjalë s’na dha’.

5 komente në “Mona dekonspiron menynë e Baba Mondit në darkë me Baba Liken”

  1. Si gjithmone Embelsira per ne fund.Baba Likja dhe baba Mondi sikur i ka bere nje nene,nene Fatimja ajo qe ka bere mama Monen,qe per mua do te ishte nje kandidate me vlere e.LSI per presidente ashtu sikur dhe Jozi.Qe te dyja ,simbolizojne shqiponjen me dy koke.

  2. patrioti says:

    qoftexhiu i babzitur eshte kenaq ne shq me keto gjera..e ka kuptuar jeten e shq me vrap se ketu svjen njeri perpune por vetem per te ngrene..hani derra

  3. Vlora says:

    ha ha ha baba mondi,,,,ne kete linje jeni per bukuri,,,mos ju ndani ketij qoftexhiu.

  4. Ramy says:

    ketij qoftexhiut ti kishit gjetur nje emer tjeter jo baba mondi

  5. Po flori e keni doren ju te Temes , jam shkrire gazit me humorin e BABA MONDIT dhe Baba Likes. Te vjen te qash dhe te qeshesh ne te njejten kohe . Po ku na i dergojne neve keta Ambasadore qe jane turpi jo vetem i vetes se tyre , por edhe i atyre qe perfaqesojne . Mire te na i beje Baba Likja te gjithe ne shqiptarve , kur ne e kemi mendjen vetem se si te sigurojme vetem buken e perditshme pa per te tjerat ….. Mire te na e bejne , kete koke kemi , kete feste na vene

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje