Futbollisti portugez i Real Madrid, Kristiano Ronaldo, ishte shumë i lumtur me fitoren e arritur nga skuadra e tij në “Santiago Bernabeu” përballë APOEL, të përfunduar me suksesin 5-2 që kaloi madrilenët në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve.
“Objektivi u arrit, kemi siguruar pjesëmarrjen në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Tani na pret Bajern, një sfidë shumë e vështirë”, ishin fjalët e futbollistit portugez pas ndeshjes.
Lojtari ishte protagonist i takimit me dy gola të shënuar në këtë sfidë, ku një prej tyre erdhi me një goditje dënimi perfekte. Futbollisti ishte kritikuar se nuk po arrinte të gjente rrugën e rrjetës me goditjet e dënimit por duket se ai është përgjigjur në mënyrën më të mirë të mundshme. “Më në fund edhe goditjet e dënimit po përfundojnë në portë, shpresoj që të vazhdoj kështu edhe në ndeshjet e ardhshme”.
Por ai çuditërisht, nuk e sheh skuadrën e tij si një finaliste të mundshme të Ligës së Kampioneve pasi i trembet shumë forcës së Bajern Mynih. “Sfida me Bajernin është e komplikuar. Unë nuk e shoh veten në finale, pasi ata janë një skuadër që mund të fitojë Ligën e Kampioneve në këtë edicion”, ishte deklarata e kujdesshme e Kristiano Ronaldos.