Shteti i kidnapuar

18 Prill 2012, 22:25Blog TEMA

Nga Enver Robelli

„Të nderuar bashkatdhetarë, situata të cilën po e përjeton sot kombi shqiptar, kudo ku jeton, ka marrë përmasat e një anarkie me forma me të padëshiruara dhe mund të shpjerë edhe në gjendje edhe më të rëndë për kombin tonë. Derisa në Shqipërinë administrative ‘legjitimiteti i ardhmërisë së një populli kërkohet nga uniformat e huaja’ … Kosova pret ‘dritat e gjelbra’ nga ‘faktorët…’ për të vendosur edhe për çështjet më të zakonshme të organizimit të brendshëm… (…) Rreziqet që kanosin substancën kombëtare kërkojnë nga secili shqiptar, kudo që jeton, të kërkojë nga vetja (së pari) të bëjë atë që duhet dhe mundet, për të mirën e kombit të vet.”

Këto fjalë mund të thuhen sot. A jetojnë shqiptarët e Kosovës në anarki? Vetëm të çmendurit mund ta mohojnë këtë. A i prijnë vendit njerëz që asnjë vendim s’e marrin pa miratimin e të ashtuquajturve “faktorë të jashtëm”, të cilët herë defilojnë si kauboj, herë si pronarë plantacionesh të kakaos. Fjalët e cituara në fillim të këtij teksti i ka thënë Agim Ramadani më 1 qershor 1997 gjatë një fjalimi në Qendrën Kulturore Shqiptare në Zürich.

Shembullin më të frikshëm se në çfarë anarkie gjendet Kosova sot na e ofrojnë gjykimet, ku rolin kryesor po e luan Nazim Bllaca. Ai po tregon se si armën për të vrarë të ashtuquajtur kolaboracionistë e ka marrë nga vetura e Azem Sylës, i cili është deputet i Partisë Demokratike të Kosovës. Bllaca po rrëfen se si pas luftës struktura nëntokësore të PDK-së kanë angazhuar plaçkitës, vrasës, banditë e hajdutë për të vrarë rivalë politikë, kryesisht aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Për këtë strukturë të kriminalizuar më e rëndësishme paskësh qenë ardhja në pushtet me rrahje, vrasje e “plagesa” (copyright: Nazim Bllaca) se sa ndërtimi i një demokracie, ku në një garë të barabartë partitë synojnë të marrin pushtetin me programet e tyre politike, ekonomike, sociale dhe zhvillimore. Po zbulohet këto ditë se deputetë të PDK-së si Shaip Muja kontrollojnë, përvetësojnë dhe zhvatin pasurinë publike – thuajse këtë pasuri ua ka lënë trashëgim ndonjë familjar. Hotele, ndërmarrje, pompa benzine, magazina, restorante – të gjitha këto janë pjesë e burimeve financiare të kësaj kaste të rrezikshme, arrogante, të etur për grabitje dhe për linçim të rivalëve politikë. Në vend se të ishin në burg, janë në Parlament dhe na flasin për integrime evropiane, për ndërtimin e demokracisë, për të drejtat e njeriut, për politikën e jashtme, për përparimin ekonomik të Kosovës, për investime. Në vend se të ishin në burg, dalin në televizionin e pushtuar shtetëror dhe japin deklarata për çështje të ndryshme politike. Kjo është një dekadencë e paparë deri më sot në shtetet e tranzicionit në Evropën Juglindore.

Këto ditë ashiqare po demaskohet krahu stalinist i Partisë Demokratike të Kosovës, por debati në shoqëri po mungon, sepse disa shtresa janë të frikësuara, të tjerat janë tredhur mendërisht, e disa janë bërë oportunistë apo janë shitur për një duq para. Kështu Kosova nuk bëhet shtet, por vetëm një territor në duar të kriminelëve.

Që Kosova të mos jetë e tillë në të ardhmen, që ky vend ta gjejë paqen me vetveten, sot më shumë se kurrë është e nevojshme të nisë spastrimi i madh. Nuk ka asnjë kuptim të flitet për integrime në Bashkimin Evropian, sepse shoqëria është ngopur me iluzione të tilla. Nuk mund të ecë Kosova asnjë hap përpara përderisa në Kuvendin e Kosovës vegjetojnë figura të akuzuara për të gjitha krimet e mundshme. Nuk mund Kosova të përparojë pa një debat të gjerë publik se çfarë, në të vërtetë, duam në dhjetë vjetët e ardhshëm: evropianizimin apo anadollakizim, shtet funksional apo pazar oriental, privatizim që çon drejt zhvillimit apo privatizim për interesa të grupeve kriminale, të cilat fabrikat i shohin vetëm si hekurishte?

Secila shoqëri që synon një të ardhme më të mirë, beson në disa vlera. Në cilat vlera besohet sot në Kosovë dhe cilat vlera i përfaqësojnë sot politikanët e Kosovës në pushtet dhe një pjesë e madhe e opozitës? Në fakt, nuk ka asnjë vlerë. Ajo çka shihet si vlerë është vetëm mashtrim për të qëndruar në pushtet. Të qëndrosh në pushtet domethënë të krijosh privilegje për klanin, fisin dhe bandën personale. Të qëndrosh në pushtet në Kosovë domethënë t’ia gjesh një vend pune pa asnjë meritë dikujt nga akraballëku, të punësosh ndonjë teze apo vajzë të tezës, të avancosh në pozicione militantë partiakë, të cilët e zgjerojnë rrjetin korruptiv dhe nepotist. Kështu, me këtë mentalitet primitiv, është kidnapuar shteti dhe ai shërben vetëm si makinë për kënaqjen e grykësisë personale.

Në majë të kësaj piramide qëndron – me apo pa dashje – Hashim Thaçi me kamarillën e tij. Të gjithë këta politikanë duhet ta pyesin veten se çfarë trashëgimie po i lënë këtij vendi, çfarë modeli orientues dhe çfarë vlerash. Muajt e ardhshëm janë vendimtarë. Në fakt në Kosovë çdo ditë është vendimtare: ose do të shndërrohet ky vend në Sierra-Leone në mes të Evropës ose do ta marrë rrugën e mbarë. Rreziku që Kosova përfundimisht të shndërrohet në shtet të dështuar si Sierra-Leone është evident. Këtë e thonë edhe diplomatët perëndimorë në Prishtinë dhe nëpër ministritë e jashtme në vendet perëndimore. Para disa vjetëve edhe ambasadori i Amerikës në Kosovë kishte thënë se nëse vazhdon ky trend Kosova do të shndërrohet në shtet të dështuar. Askush nuk e kishte marrë seriozisht fjalimin e tij, pasi, për fat të keq, vetë ambasadori u bë pjesë e karvanit të dështimit.

Kosova duhet ta gjejë gjuhën me të cilën i emëron krimet dhe kriminelët. Duhet ta gjejë gjuhën për të emëruar keqpërdorimet, manipulimet financiare dhe zgjedhore. Kosova duhet të flasë, më së largu në zgjedhjet e ardhshme. Duhet kjo shoqëri të largohet nga mitet e rrejshme, nga heronjtë e shpifur dhe nga zaptuesit e banesave dhe opingarët që sundojnë si sulltanë. Nuk ka ardhmëri për një vend nëse kryetarë komunash rrotullojnë miliona nga pasuria e vjedhur, nëse kërcënojnë gazetarë, nëse shkelin ligje dhe pështyjnë mbi demokracinë e brishtë. Nuk ka ardhmëri një vend nëse zyrtarë të shtetit me para të shtetit shëtisin anekënd botës familjet e tyre, nëse keqpërdorin buxhetin për vizita kot së koti në Shqipëri e Turqi, nëse udhëtimet jashtë shtetit i shfrytëzojnë për t’i vizituar vëllezërit në Zvicër. Këtyre keqpërdorimeve duhet t’u dalin në rrugë të gjithë ata njerëz që janë të shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve të tyre, për të ardhmen e pensionistëve që jetojnë në kushte të tmerrshme pasi i kanë shërbyer kësaj shoqërie me dekada. Vend për frikë nuk duhet të ketë, kosovarët e të gjitha etnive duhet të tregojnë guxim. Përmes guximit duhet të thonë qartë se çfarë shteti duan. Nëse e duan të tillë siç është sot, mos ta akuzojnë askënd, por vetëm vetveten. Dikur njerëzit kanë rrezikuar më shumë për të mirën e këtij vendi. Lexoni edhe njëherë fjalët e Agim Ramadanit në hyrje të këtij teksti. Për këtë gjendje më së shumti duhet të mendojnë sidomos votuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, një pjesë e madhe e të cilëve kanë rënë në kurthin e sinqeritetit të tyre duke ua dhënë besimin figurave politike që qëllimin e parë dhe të vetëm e kanë plaçkitjen.

7 komente në “Shteti i kidnapuar”

  1. Arberor says:

    Titulli ka probleme madhore!

    A nuk eshte me e lehte te thuhet, “Shteti i rrembyer”, apo kur perdoret fjala “vikend”, kur mund te thuhet fundjave! U lutemi mos e sakatoni gjuhen shqipe. Keto fjale nuk jane as anglisht ne menyren qe shkruhen, po shemtoni edhe gjuhet e huaja.

    Per permbajtjen e shkrimit jam dakort, jemi ne gjendje te mjerueshme ne ate ane dhe ne kete ane te trevave tona, sepse ne krye nuk kemi udheheqesa, por plackites.

  2. ajdin says:

    I nderuar Enver:Me vjen shume keqe qe ti cdo gja e shikon zi me duket mua se ti nuk dallon ngjyrat.Shkrimi juaj i njejte me ato qe shkruajn gazetat serbe.TE lumte dora se keshtu jane patriotat vetem zi zi zi.

    PO pate mundesi na trego se ti dine shume IBRAHIM RRUGOVA KURE U TAKUA ME MILLOSHUVICIN CTHAR BISEDUN? E me vone filloj ajo vrasje masive dhe dobime t kosovarve. NJE DITE DO DALE POR E DESHA NGA TI.

  3. artur 68 says:

    Eshte me se i vertete pohimi i Meros ne editorialin e sotem se “gazetarët atje janë njerëz normalë, realistë, bile më të mirë se ata të Tiranës”.
    Ky eshte nje shkrim teper realist me problemin e vetem se lexuesi(ketej kufirit) ne fund te artikullit ngelet me dilemen: ore kush eshte katandisur me keq,demokracia shqiptare apo ajo kosovare ….

  4. timo says:

    Z. Robelli, nuk ma ha mendja se ju besoni që UçK-ja bëri gabim që luftoi për çlirimin e Kosovës,që PDK në tërësi e cila udhëhoqi këtë luftë është anti shqipëtare dhe e zhgryer në korupsion. Nga mënyra si shkruani duket sikur keni merak në këtë drejtim. Në qoftë se jo, atëherë unë mendoj se ju, që me siguri e njihni situatën në Kosovë, duhet qetësisht ti ndani gjërat dhe mos i fusni në një thes “egjrin dhe gruin” sepse kështu bëheni ju krijjuesi i konfuzionit dhe anarkisë në mendjen e njerëzve përdryshe, unë do të mendoja se ju ju shtyn një forcë djallëzore për të destabilizuar mendjet e njerëzve të ndershëm.

  5. elda says:

    E çuditeshme sa shume ngjajme neve shqiptaret me shqiptaret e kosoves, sa ngjashmeri ka ne zhvillimin demokratik te te dy vendeve. Sa shume ngjajme ne “korrupsionin e politikaneve hajdute” qe po gerryejne cdo dite e me shume pasurite tona. Dhe ne fund te dy popujt ngjajne ne heshtjen e tyre ndaj makuterise se politikaneve tane.
    Jam dakort me Arberorin per perdorimin e sakte te gjuhes shqipe. Te heqim dore nga mania per te perdorur fjale te huaja kudo.
    Ndersa Enver Robelli me duket gjithmone realiste ne ato qe shkruan, urime

  6. Arti says:

    Pajtohem plotesisht me E.R. por proble,mi eshte se kujt t i jepet vota,partite e tashme opozitare qeverisin shume qytete por nuk dallojne pothuajse asgje nga keta te PDK se.Ta marrim shembull Isa Mustafen i cili qeverise me Prishtinen,ky e ka shnderruar qytetin, me ndertimet qe po behen,ne KAOS te planifikuar urbanisitik.Ne Prishtine jepen leje per ndertimin e banesave shumekateshe pa perfillur asnje kriter urbanistik por vetem sipas deshires se pronareve dhe ky zoteri e ka bllokuar pothuajse plotesisht ndertimin e shtepive te vogla private,si duket eshte i lidhur me biznesin e ndertimit te banesave dhe ka hallin se mos mbeten pa u shitur banesat.Ky eshte vetem nje shembull por ngjashem eshte ne te gjitha komunat, te gjithe jane te korruptuar.Tani e vetmja shprese mbetet Vetevendosja e cila deri tani nuk eshte s provuar ende.E di qe E>R> si kozmopolit qe eshte,eshte kunder VV.Sa per fjalet e huaja qe shfrytezon E.R. mos u cuditni sepse ai jeton ne Kroaci dhe eshte i ndikuar nga gjuha kroate.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje