Plehrat dhe integrimi

16 Prill 2012, 22:19Blog TEMA

Nga Lavdosh Ferruni

Është thënë disa herë në publik së fundmi se në Hollandë po ç’montohet një incenertor (djegës plehrash) me destinacion për tu montuar në Shqipëri. Kjo nuk është kundërshtuar nga qeveria. Po punohet heshturazi për këtë skenar, tërësisht i refuzueshëm e i papranueshëm. Në të njëjtën kohë kemi një ofensivë mediatike qeveritare për pastrimin e Shqipërisë nga plehrat, tërësisht e mirëpritur dhe e inkurajuar.

Data 20 prill është shpallur nga kryeministri Dita e Shqipërisë së Pastër. Por a ka një lidhje midis këtyre 2 pistave të angazhimit qeveritar në fushën e plehrave? Duket se po. Të dhënat flasin që “Shqipëria e pastër” vihet në funksion të instalimit të djegësit dhe djegësave të plehrave dhe bashkë më ta dhe të importit të plehrave.

Berisha tha në mbledhje të Qeverisë “….do të bëjmë gjithçka qoftë për krijimin e landfilleve qoftë për krijimin e impianteve për djegien e tyre. Por kjo është shumë e vështirë për Peshkopinë, apo Kukësin. Pra gjetja e gropave për vendosjen e plehrave është thelbësore”. E qartë. Instalimi i impianteve të djegies është i projektuar. Impiantet do vinë së shpejti se është bërë (ka kohë që është) emergjencë pastrimi i Shqipërisë.  Ndërkohë plehrat do jenë grumbulluar me shumicë pas pastrimit dhe grumbullimit nëpër gropa sipas porosisë së kryeministrit, dhe që të shmanget djegia në ambient të hapur duhet patjetër djegësit e plehrave. Por djegësit e plehrave janë mjaft të shtrenjtë e qeveria, siç dihet, nuk ka para. Zgjidhja? Marrim djegës plehrash të përdorur, që vende të tjera duhet t’i heqin nga përdorimi. I marrim pa para, ose dhe duke marrë para në vend që të paguajmë. Por historia nuk mbaron këtu. Tani kemi dhe një ligj që i ka hapur rrugë jo vetëm importit të plehrave, por dhe djegies së tyre në Shqipëri. Gati për inaugurimin e djegies së plehrave.

Kush ka qenë i interesuar për të parë ligjin për importin e plehrave nuk mund të mos reflektojë për nenin 22 të këtij ligji  titulluar “Rrjeti i integruar i impianteve të trajtimit të mbetjeve”, në pikën 3 të të cilit, që është kërkuar nga mbi 62000 firmëtarë për tu anuluar, që shprehet se lejohet importi i plehrave (thuhet në mënyrë të kufizuar, por pa asnjë kufizim për kufizimin) që destinohet për incinerim, kur vlerësohet se një gjë e tillë është e nevojshme për të mbrojtur rrjetin e integruar te impianteve.  Pra incenertori për djegien e plehrave, që do vijë nga Hollanda nuk do jetë i vetëm, por do kemi një rrjet inceneratorësh, dhe meqenëse Shqipëria është vend i vogël, do duhet importuar plehra për të plotësuar kapacitetin e incenertorëve në rrjetin e integruar, që ato të jenë eficentë e të mos fiken asnjëherë. Nga kjo lidhje tmerrësisht fatale për këtë vend që po duket të funksionojë realisht, po kuptohet pse edhe ligji është quajtur ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Nëse shohim shpjegimin e termit “menaxhim i mbetjeve” në direktivë të BE-së për mbetjet është ekzakt si në ligjin  Shqiptar, por termi në ligjin shqiptar është “menaxhimi i integruar i mbetjeve”. Qëllimshëm manipulohet me termin integrim, duke tentuar të bëhet lidhja midis “integrimi në BE”, me “rrjeti e integruar të impianteve të trajtimit” me “plani kombëtar i menaxhimit të integruar të mbetjeve” me “importin e mbetjeve”. Në këtë ligj ku vjedhurazi është futur importi i plehrave, me qëllim edhe djegien e tyre në Shqipëri, po me qëllim është shmangur bërja e ligjit për icenerimin, që është detyrim edhe i MSA-s,ë dhe që duhej të hartohej para ligjit për menaxhimin e mbetjeve. Kështu mund të digjen plehra, pa ligj specifik për djegien (incenerimin), por me nenin e rrjetit të integruar të impianteve të trajtimit në ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Nëse i kthehesh direktivës së BE-së, ku pretendohet se ky ligj është transpozuar në mënyrë të plotë jo vetëm që nuk ka asnjë fjalë për import mbetjesh, por nuk ka asnjë fjalë për “menaxhim të integruar”. Direktiva thjesht quhet direktiva 2008/98/EC

mbi mbetjet. Në ligjin shqiptar duket se qysh nga titulli është kompozuar në mënyrë të tillë që të vihet në funksion të importit të mbetjeve, përfshi dhe djegien e tyre në territorin e Shqipërisë. Ndryshe nga Fatos Nano që përgatiti drejtpërdrejt kontratën për import e djegie plehrash me një ligj gjysmak dhe fshehtas, Sali Berisha ka avancuar me përgatitjen e letrave ligjore dhe së fundmi dhe me promovim e fuqishëm mediatik, për të justifikuar instalimin e importit të plehrave dhe rrjetit “të integruar” të djegies së tyre, gjë që nëse do të lejohet të ndodhë do të gjymtonte keqazi këtë vend edhe tash mjaft të gjymtuar.

Cila është zgjidhja për një Shqipëri të pastër? Do përpiqemi të japim një përgjigje kësaj pyetje në një shkrim tjetër në vijim. Por pjesë e përgjigjes ndodhet në vetë strategjinë e menaxhimit të mbetjeve hartuar nga ekspertë të BE-së dhe miratuar nga Qeveria Shqiptare (Maj 2010), ku shkruhet se “Parimi i afërsisë dhe vetëmjaftueshmërisë (artikull i direktivës së BE-së) kërkojnë që mbetjet të menaxhohen sa më afër të jetë e mundur me vendin ku prodhohen. Politika e BE-së është që vendet anëtare duhet të menaxhojnë vetë mbetjet e tyre, dhe ku të jete e mundur të shmangin eksportin në vendet e tjera. Shqipëria ka për qëllim që të zbatojë këtë parim. Megjithatë është i njohur fakti që menaxhimi i të gjitha mbetjeve në Shqipëri mund të mos jetë i mundur dhe mund të mos jetë gjithnjë zgjidha më e mirë”. Në kundërshtim me këtë strategji të vetë qeverisë ligji devijoi duke vënë në fokus importin e mbetjeve. Pra hapi numër një është ndal shtimit të ndotjes që vjen nga importi i plehrave. Skema e pastrimit të Shqipërisë (sipas autorit) vijon mbështetur në supozimin “jo import”. Nëse në referendumin e kërkuar humbet alternativa  “jo import” zgjidhja për Shqipëri e pastër është (sipas autorit) “nuk ka zgjidhje”.

 

2 komente në “Plehrat dhe integrimi”

  1. gjoka says:

    Te lumte Lavdosh Ferruni! Po te kishim ne krye te qeverise nje si ti, nuk do ishim katandisur ne kete derexhe.

  2. Rani says:

    O daja Lavdosh nuk e kisha ne plan te shkruaja po ma kapi syri disa here ate fjalen “incenertori”, ça ben ti keshtu, pse mundohesh te besh si intelektual, nuk di te thuash “djeges plehrash”, kur nuk e di mire se si thuhet ne “gjuhe intelektualesh” ashtu siç do ta thuash ti pse behesh bajat kot me fjale humoristike. Ajo qe ti e quan “incenertor” quhet “incinerator” dhe nuk eshte shqip, se shqip eshte ashtu siç e ke shkruar ti ne kllapa dmth djeges plehrash. E perseris qe e shkruajta kete vetem se e ke perdorur shume here ate fjale idiote pa kuptim. Heres tjeter interesohu pak se ka qe dine me shume se ti, ose kur nuk je i sigurte mos e shkruaj ne “gjuhe intelektualesh” po shkruaje shqip se jeni bo ju gazetaret si “kamt e dhise”, ka me shumice ne demokraci, ka nga ata qe edhe shqip nuk dine te shkruajne mire.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje