Nga Ilir Beqja
Më shumë shqiptarë punojnë në fshat, në shumë qytete shteti mbetet punëdhënësi më i madh
Struktura e ekonomisë sonë tregon se jemi një ekonomi ku pjesa private zë një komponente shumë të rëndësishme, më shumë se 80%. Brenda pjesës private, bujqësia dhe aktivitete të tjera të lidhura me të përbëjnë rreth 25 %.
Por, si reflektohet kjo strukturë e ekonomisë në zënien në punë të shqiptarëve.
Sipas të dhënave zyrtare të fundit të vitit 2011, 506 mijë punojnë në fshat, 160 mijë punojnë në sektorin urban publik dhe 260 mijë punojnë në sektorin urban privat. Pra, gjithsej, sipas burimeve zyrtare punojnë rreth 927 mijë vetë. Kjo situatë është e pandryshuar për gjithë periudhën 2001 – 2011. Në 2001 punuan 920 mijë vetë, në 2005 punuar 932 mijë vetë, në 2008 u rrit ndjeshëm në 974 mijë, në 2009 ra po ndjeshëm në 899 mijë. Grafikisht ilustrohet në grafikun e mëposhtëm.
Të dhënat e fundit të Censusit 2011 na treguan se rreth 46 % e shqiptarëve jetojnë në fshat, ndryshe nga viti 2011 kur jetonin 53 %. Ky ndryshim ka ndodhur, qoftë për arsye të migrimit të brendshëm nga zona rurale drejt zonës urbane, por edhe sepse në zonat fshatare ka një shkallë më të lartë të emigrimit jashtë vendit.
Punësimi në fshat
Megjithëse popullsia shqiptare është zhvendosur drejt qyteteve, përsëri sipas statistikave zyrtare, rezulton se rreth 55% e shqiptarëve që janë të zënë në punë punojnë në bujqësi. Raportohet se në bujqësi punojnë 506,664 vetë. Kjo e dhënë është e vitit 2009, pasi që prej atëherë INSTAT nuk ka publikuar asnjë shifër më të përditësuar. Nëse krahasojmë këtë shifër me sipërfaqen e tokës së punuar dhe realitetin i bie që për çdo hektar të ketë një fshatar që punon. Të punojë një fshatar për çdo hektar do të thotë që në çdo 100 metra arë të ketë një person që punon. Realiteti i arave tona nuk është ky. As me nivel të lartë mekanizimi nuk justifikohet, sepse nuk është i tillë niveli aktual. Shtrenjtimi i naftës i ka kthyer fshatarët tek punimi me krahë.
Punësimi urban
Në qytet punësimi është më shumë privat se publik. Në çdo 100 vetë që punojnë në qytet, 62 vetë punojnë në privat dhe 38 vetë punojnë në publik. Por punësimi privat është i përqendruar në Tiranë (49 % e punësimit), me praktikisht gjysmën e punësimit privat në vend. Dhe po të marrim në konsideratë atë që po fillon të quhet DURANA (Durrës + Tirana), 61 % e të punësuarve në sektorin privat në Shqipëri, punojnë vetëm në Tiranë e në Durrës.
Kjo situatë bën që në shumë rrethe të tjera të Shqipërisë, shteti të jetë punëdhënësi më i madh në punësimin jobujqësor. Në 18 rrethe të vendit, pra në gjysmën e rretheve të Shqipërisë, shteti është punëdhënësi më i madh. Madje ka disa rrethe ku punësimi në sektorin privat është disa herë më i vogël se ai në sektorin publik. Të tillë janë Puka, Kuçova, Mirdita, Skrapari, Tepelena, Hasi, Kolonja. Në këto rrethe nevojitet një strategji e veçantë për të nxitur punësimin. Suksesi duhet kërkuar tek mbështetja e ndërmarrjeve të vogla e të mesme.
Qe kur u digjisalizuen me non stop one stop shop, keta fermeret shqiptare jane bere te papermbajtshem :p
http://imazheshqip.blogspot.com/2012/04/non-stop-one-stop-shop-albania-made-in.html