Fundjava e lamtumirave të Milani nuk do të ketë fund të lumtur për të gjithë. Nëse Alesandro Nesta dhe Filpo Inzagi do të kenë mundësinë t’u japin lamtumirën tifozëve si lojtarë nga fusha e lojës në këtë fundjavë, nuk pritet të jetë e njëjta gjë për Klarens Sedorf.
Holandezi ka gjetur një akord me brazilianët e Botafogos dhe që të hënën do të udhëtojë drejt skuadrës së tij të re. Por nëse pritej që ai të luante në ndeshjen e fundit të kampionatit përpara tifozerisë kuqezi, një gjë e tillë nuk do të ndodhë, pasi holandezi është zënë me trajnerin Algeri dhe me shumë mundësi nuk do të jetë as në 18-she.
Zënka ka filluar që në ndeshjen Milan-Bolonja dhe që atëherë, holandezi nuk ka parë më fushën e lojës. Me pak fjalë, Sedorf do të jetë kuqezi për herë të fundit në stërvitjen e të shtunës, ndërsa të dielën do të zbresë në fushë i veshur civil, në një lamtumirë “personale”, pa skuadrën afër.
Shumë më “normale” do të jetë lamtumira e Nestës dhe Inzagit, të cilët pritet të zbresin në fushën e lojës në këtë sfidë dhe të duartrokiten si lojtarë nga tifozët e pranishëm në “San Siro”. Nesta me shumë mundësi do të udhëtojë drejt SHBA-ve, ndërsa Inzagi nuk ka vendosur ende se çfarë do të bëjë në të adhmen e tij.
Nesta e ka zyrtarizuar gjatë ditës së sotme largimin e tij nga Milani, duke thënë se ka dëshirë që të jetë ende i rëndësishëm, por tek Milani kjo gjë nuk i afrohet. “Tek Milani nuk mund të aktiviziohem gjithmonë dhe për këtë arsye kam vendosur që të largohem, pasi nuk mund të ri në stol. Galiani më ofroi edhe një vit tjetër kontratë, por preferoj një eksperiencë tjetër”, ka thënë Nesta.