Çelsi nuk do të konfirmojë Di Mateon

10 Maj 2012, 11:54Sport TEMA

Roberto Di Mateo pret t’i japë lamtumirën Çelsit në fund të këtij sezoni, pasi është i ndërgjegjshëm që Roman Abramovic nuk do ta konfirmojë edhe nëse ai fiton Ligën e Kampioneve.

Një burim brenda klubit londinez ka konfirmuar për “The Sun” se trajneri italian ka kuptuar se nuk e ka të gjatë te klubi londinez edhe pse është kthyer në një hero për tifozerinë.

“Robi është i vendosur të bëjë maksimumin për të fituar Ligën e Kampioneve edhe pse e di që do të largohet çfarëdo që të ndodhë në Mynih. Ai është munduar të flasë me drejtuesit e klubit rreth fazës përgatitore të sezonit të ardhshëm po askush nuk i ka kthyer përgjigje. Kjo e ka bindur atë se mbetet një trajner i përkohshëm, duke zënë vendin deri në caktimin e një trajneri të përhershëm”.

“Ai ka mbetur shumë i zhgënjyer pas këtij vendimi, sidomos pas asaj që arriti të bënte pas zhgënjimeve të njëpasnjëshme të Andre Vijas Boas. Dy finale Kupash janë një sukses i jashtëzakonshëm po të mendosh problemet që ka trashëguar”.

“Kjo situatë i garanton atij statusin e heroit te tifozët, por asgjë nga drejtuesit. Të gjithë e dinë se Vijas Boas u punësua një vit më parë për të larguar lojtarët e vjetër dhe situata nuk ka ndryshuar, ndonëse Di Mateo ka mbështetjen e plotë të lojtarëve”, tregon burimi konfidencial për gazetën britanike.

Deri tani, emrat më të përmendur për të marrë drejtimin e Çelsit në sezonin ardhshëm janë Pep Guardiola, Loren Blank dhe Fabio Kapelo./lajmeshqip

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje