Mesfushori i Çelsit, Frenk Lampard, është gati të mbyllë ashtu siç duhet një sezon ku fillimisht ka qenë në prag të largimit nga skuadra, ndërsa tani është shumë pranë lavdisë së suksesit në Ligën e Kampioneve.
Tre muaj më parë, karriera e mesfushorit të Anglisë dukej drejt një kthese aspak të lumtur, pasi ai u la në stolin e rezervave ndërsa shihte skuadrën e tij teksa mundej 3-1 në Napoli në 1/16 e finaleve të Ligës së Kampioneve. Kjo situatë vinte si rrjedhojë e muajve radhazi me tensione të shkaktuara nga Andre Vijas Boas, trajneri portugez që ishte emëruar me qëllimin e vetëm të rindërtonte nga e para ekipin, duke larguar veteranët.
Por shkarkimi i portugezit ishte shkëndija që ndihmoi Çelsin të kthente fatin në mënyrë të pabesueshme dhe me kthimin në formacionin titullar nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm Roberto Di Mateo, Lampard u bë përsëri vendimtar për skuadrën e tij.
“Mendoj se askush nuk e kishte parashikuar se do të vinim deri këtu, dukeshim sikur ishim të eliminuar nga Napoli, pastaj na ra në short Barcelona. Nuk është se kemi çuditur veten, por kur diçka vjen e papritur, sjell më shumë kënaqësi fakti kur je në finale. Sigurisht që na duhet të luajmë në këtë ndeshe për ta fituar, por thjesht mendimi ka qenë një ndjesi e bukur gjatë këtyre javëve të fundit”.
“Me Napolin po vuanim. Jo vetëm se unë isha ulur në stolin e rezervave, por situata dukej qartë. Kemi eksperiencën për të ditur se gjërat mund të ndryshojnë shpejt në futboll, por atë natë në dhomat e zhveshjeve nuk kishim asnjë përgjigje. U desh një përpjekje e madhe në javët deri në takimin e kthimit për të ndryshuar gjërat. Ndeshja që luajtëm në fushën tonë ishte pika e kthesës e të gjithë sezonit”.
“Për Çelsin ky do të ishte suksesi më i madh. Kemi katër lojtarë që na mungojnë në finale, disa nga lojtarët më të mirë gjatë sezonit. Mendoj se çdo hap që kemi hedhur në Ligën e Kampioneve është një arritje e madhe: ndeshjet me Barcelonën, përmbysja me Napolin. Por arritja më e madhe e historisë së Çelsit padyshim do të ishte fitorja e Ligës ë Kampioneve”, tregoi mesfushori që do të mbajë shiritin e kapitenit në finale dhe mund të ketë mundësinë të ngrejë i pari trofeun në rast suksesi. /lajmeshqip