Juventus vazhdon të ndjekë një “yll” për të afruar në radhët e skuadrës për sezonin e ardhshëm, por njëkohësisht po sheh për elementët e tjerë për të përforcuar repartet e ndryshme.
Ndërsa pritej që kjo skuadër të fillonte vetëm javët e ardhshme lëvizjet për të siguruar mesfushorin ganez Asamoah nga Udineze, drejtori sportiv Marota duket se i ka paraprirë lëvizjes së ndonjë skuadre tjetër dhe ka siguruar bashkëpronësinë e këtij futbollisti.
Njëkohësisht, ai ka gjetur akordin e edhe për kilianin Isla, i cili ndiqej nga shumë skuadra të njohura evropiane në këtë merkato verore. Të dy lojtarët do të jenë pjesë e kampionëve të Italisë në sezonin e ardhshëm ndërsa mbeten në bashkëpronësi me Udinezen, por Juventusi ka të drejtën e blerjes së plotë të kartonit pas përfundimit të sezonit të ardhshëm.
Merkato e Juventusit nuk mbyllet këtu, pasi bashkë me Asamoah dhe Isla, pritet firma e të riut të talentuar Pol Pogba, i cili në dy ditët e fundit ka qenë në Torino për të bërë testet mjekësore dhe për të diskutuar marrëveshjen e tij me këtë skuadër. Francezi 18 vjeçar shihet si një nga lojtarët më premtues të së ardhmes dhe bardhezinjtë mendojnë se ai është një talenti cili në të ardhmen mund të trashëgojë fanellën e famshme me numrin 10.