Njëri nga kujtimet që të gjithë e mbajnë mend nga kampionati botëror “Afrika e Jugut 2010” është zëri karakteristik i vuvuzelës, bririt plastik që përdorej nga tifozët afrikanë brenda dhe jashtë stadiumeve.
Zëri tmerrues i vuvuzelave dhe ankesat e futbollistëve, ka bërë që UEFA të marrë vendim të prerë dhe të ndalojë përdorimin e tyre nëpër stadiumet ku do të luhen ndeshjet e “Euro 2012”, në Poloni e Ukrainë. Bashkë me vuvuzelat është ndaluar edhe përdorimi i trumbetës, pastaj edhe i disa gjërave të domosdoshme në raste të caktuara, si ombrella apo çantat e shpinës.
Vuvuzelat bëjnë pjesë në listën e gjatë të gjërave që tifozët duhet t`i lënë në dhomën e hotelit para se të nisen në stadium apo në zonat publike të tifozëve. Kjo ndalesë vlen për të gjitha stadiumet si në Poloni ashtu dhe në Ukrainë.