Loran Blank e di mirë se cili është lojtari që duhet bllokuar medoemos në sfidën që përfaqësuesja e tij do të luajë nesër ndaj Ukrainës, sulmuesi Andri Shevçenko.
“Shevçenko është një lojtar që e njoh mirë. Kam qenë me fat që kam luajtur përballë tij dhe shpesh nuk isha i lumtur në fund të ndeshjes pasi ai nuk është një lojtar ndaj të cilit e ke të lehtë të luash. Kuptohet që ai nuk është më 20 vjeçar, por është i zgjuar me vrapimet që bën dhe këtë e tregoi në ndeshjen e parë në grup. Mendoj se ai është një lojtar i madh, që gjendet gjithmonë në vendin e duhur në kohën e duhur. Lojtarët e mëdhenj shfaqen mirë në turnetë e mëdhenj dhe ai po e tregon këtë”, u shpreh tekniku francez.
Më pas, ai ka lëshuar një batutë në distancë për ndeshjen me Anglinë, ku ka kujtuar se në 25 minutat e para, po të kishte qenë përballë një ekipi më të fortë, me shumë siguri Franca do ta kishte humbur ndeshjen.
“E kemi parë ndeshjen me Anglinë shumë herë dhe në 25 minutat e para mund ta kishim humbur këtë sfidë, ndonëse krijuam më shumë se ata. Nëse do të kishim luajtur kundër një ekipi më të fortë, pas atyre 25 minutave nuk do të kishim patur shans të fitonim”, deklaroi Blank.