Vetëm 182 dollarë në muaj fitojnë nga puna në fshat familjet fshatare

27 Qershor 2012, 17:43Blog TEMA
Vetëm 182 dollarë në muaj fitojnë nga puna në fshat

Nga Ilir Beqja

 

Kushdo qoftë rritja e prodhimit të produkteve bujqësore e blegtorale, e rëndësishme është se sa janë të ardhurat që përftojnë familjet që merren me bujqësi

 

Në mbledhjen e fundit të qeverisë së tij, kryeministri i vendit vijoi të mburrej për mrekullinë e modelit ekonomik shqiptar dhe midis ilustrimeve iu referua edhe rritjes së prodhimit të frutave dhe perimeve.

Kryeministri e qeverisë shqiptare është i pashoq në manipulimin e informacionit, në deklarimin e të pavërtetave si dhe në shfrytëzimin e gjysëm të vërtetave.

Të dhënat më të plota e më të fundit të treguesve të bujqësisë shqiptare gjenden në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Bujqësisë. Për vitin 2011 nuk ka të dhëna të plota, kështu që po përpiqemi të analizojmë, bazuar në të dhëna zyrtare, bujqësinë shqiptare në dy vitet fqinjë 2009 dhe 2010.

Kushdo qoftë rritja e prodhimit të produkteve bujqësore e blegtorale, e rëndësishme është se sa janë të ardhurat që përftojnë familjet që merren me bujqësi.

Sipas të dhënave zyrtare të vjetarëve statistikorë të viteve 2009 e 2010 rezulton se të ardhurat vjetore të një familje fshatare nga shitja e produkteve bujqësore e blegtorale janë në nivele shumë të ulëta. Në vitin 2010, një familje fshatare ka përfituar nga shitja e produkteve të ekonomisë bujqësore mesatarisht 181 dollarë me një rritje vetëm me 3 dollarë krahasuar me vitin 2009.

Në grafikun 1 ilustrohen të ardhurat mesatare vjetore të familjeve fshatare për çdo qark dhe në shkallë vendi në vitet 2009 dhe 2010. Në boshtin vertikal janë ta ardhurat vjetore në lekë.

Siç ilustrohet edhe grafikisht, në qarqet Berat, Dibër, Durrës, Elbasan, Gjirokastër ka rënie të të ardhurave mesatare vjetore. Ka edhe qarqe ku të ardhurat janë rritur, sidomos në Fier e Korçë që janë edhe zona me prezencë të madhe të ekonomive bujqësore. Rritja e madhe e të ardhurave në qarkun e Shkodrës (me 35 % në vit) në kushtet kur në 2010 pjesa kryesore e zhvillimit bujqësor në atë qark, NënShkodra, u ballafaqua me përmbytje të përsëritura, madje me ato që vetë kryeministri i quajti “lunatike”, të bën të vesh në dyshim shkallën e besueshmërisë së të gjitha të dhënave, por në kushtet e mungesës së burimeve alternative të informacionit, le të vijojmë të bazohemi në të dhënat zyrtare.

Ilustrimi grafik evidenton edhe diferencën e ndjeshme të në ardhurat mesatare midis qarqeve të ndryshme. Nëse në qarkun e Vlorës (qarku me të ardhurat më të larta) të ardhurat mesatare janë rreth 242 dollarë në muaj, në qarkun e Lezhës (qarku me të ardhura më të ulta) të ardhurat janë 87 dollarë në muaj.

Në fillim fola për gjysëm të vërtetat. Të dhënat tregojnë se të ardhurat nga bujqësia janë rritur mjaftueshëm mirë në 2010 krahasuar me 2009. Kontributin kryesor në rritjen e të ardhurave e ka dhënë pemëtaria me rritje mbi 30 %. Por pemëtaria zë ende një peshë të vogël në të ardhurat mesatare të fermës. Peshën kryesore të të ardhurave mesatare të familjeve fshatare e zënë shitjet e produkteve blegtorale. Produktet blegtorale të shitura kontribuojnë në 2010 me 57 % në të ardhurat mesatare vjetore, nga 62 % që kanë kontribuar në vitin 2009.

Për fat të keq, në 2010 kemi rënie të të ardhurave nga blegtoria. Kjo ka sjellë që rritja e të ardhurave nga pemëtaria të mos “përkthehet” në më shumë të ardhura për familjen fshatare. Ndryshimet në të ardhurat nga bujqësia e blegtoria në vitet 2009 e 2010 ilustrohen në grafikun 2. Në boshtin vertikal janë të ardhurat nga shitjet në miliardë lekë. Krahasimi i të ardhurave totale nga shitjet tregon se në vitin 2010 nuk kemi asnjë shtesë të ardhurave. Më lart analizuam vetëm të ardhurat nga shitjet, pa bërë një vlerësim të asaj se çfarë u mbetet familjeve fshatare nëse llogarisim edhe shpenzimet për aktivitet bujqësore e blegtorale.

5 komente në “Vetëm 182 dollarë në muaj fitojnë nga puna në fshat familjet fshatare”

    1. cika says:

      Kesaj i thone hap syte te te genjej.242 dollare ne muaj ne Vlore nuk ka mundesi.Prej andej jam edhe e di mire.242 leke po.

  1. elinor says:

    Fshataret duhet te rrembejne sfurqet dhe te vijne ne Tirane.

  2. komi says:

    siperfaqe te tera jane len pa mbjelle se thahen per 1 pike uje,pallavrat e sales…

  3. Kundër pisave në pushtet says:

    … dhe në ndërkohë paguhet qeveria e kombit shqiptar në pushtet disa milionë euro në muaj për shërbimet e tyre, për realizimin e planeve të të padronëve të fuqive të mëdha botërore. Sa kriminelë, sa parazitë…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje