Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biasi, mendon se Italia ka mundësi të dalë fitimtarë nga sfida e sotme kundër Spanjës dhe të marrë trofeun në Euro 2012.
Por Italia përballet me shumë vështirësi, mes të cilave edhe gjendja fizike jo optimale e disa futbollistëve. “Gjendja fizike mund të jetë vendimtare, pasi të kaltrit kanë një ditë më pak në dispozicion për të pushuar”, komenton De Biasi, duke kujtuar lodhjen fizike të lojtarëve si Kasano, Baloteli, Montolivo, De Rosi e Kielini gjatë dy ndeshjeve të fundit të përfaqësueses italiane.
Sipas tij, taktika më e mirë e skuadrës së Prandelit do të jetë të imponojë ritmin e saj, ashtu siç bëri në ndeshjen në grup kundër spanjollëve, të cilëve nuk u la kontrollin e topit, duke i vënë në vështirësi.
“Nuk do të jetë e lehte por Italia duhet të provojë të imponojë lojën e saj edhe kundër iberikëve për të evituar që të mbajnë shumë kontrollin e lojës. Deri tani, Prandeli ka bërë gjithmonë zgjedhjen e duhur dhe jam i sigurt se do të dijë të përsëritë veten. Duhet të kemi besim te kjo kombëtare”.
Në fund, trajneri i Shqipërisë tregon edhe parashikimin për këtë finale entuziazmuese. “Kjo është një ndeshje shumë e pasigurt, por si tifoz, qartësisht shpresoj që në fund t’ia dalë mbanë Italia, lë të themi 1-0”. /lajmeshqip
Bravo De Biasi! Shpresojme qe te mos jesh kaq “i sakte” edhe me Kombetaren tone…