Berisha e Basha në ditën pas 21 janarit 2011
Nga Petrit Rama
Kryeministri Berisha në mbledhjen e fundit të qeverisë bashkëvendosi qesharakisht e turpshëm një mori problemesh ekonomike, që nisnin nga shtresat në nevojë e përfundonin tek fenomeni negativ i korrupsionit, të cilit iu lëshua dhe barra e një ekonomie të shkatërruar, dhimbja e pensionistëve, regresi gjashtëvjeçar dhe varfëria e katër milion shqiptarëve.
Fillimisht, ta fragmentarizosh si përgjegjës një fenomen administrativ për rrënimin dhe recensionin ekonomik a mosshpërndarjen e drejtë të të ardhurave është e turpshme për një politikan në pushtet e mbi të gjitha udhëheqës i këtij pushteti.
Megjithatë, lëvizja e ndërmarrë prej kryeministrit dhe ndryshimi i ligjëratës së tij politike, që e huazoi nga qasja e të mos paturit përgjegjësi në atë të kritikut që ftillon ligjin e mohimit mohues, pati si qëllim shfajësimin e vetvetes dhe fajësimin e socialistëve si përgjegjës kryesorë të kësaj kasaphane të gjithanshme dhe pragrënies së shtetit nga funksionet e tij sepse këta të fundit nuk po sinkronizohen me nismën ‘e drejtë dhe morale’ të pushtetit për heqjen e imunitetit të të zgjedhurve parlamentarë dhe funksionarëve të tjerë shtetërorë.
Mirëpo kjo taktikë nuk ka marrë nën llogari pasojat politike sepse përbën një thikë me dy tehe, ku nga njëra anë akuzon dobët opozitën, e në anën tjetër akuzon vetveten, sepse një qytetar i thjeshtë tej çdo shprese të kryeministrit për indoktrinim të këtij të fundit, mund të pyesë: Si ka mundësi që një kryeministër, i cili ka centralizuar rreth vetes tri pushtetet shtetformuese nuk mund të luftojë korrupsionin në aparatin administrativ kur pikërisht është kreu i këtij aparati? A nuk po hedh poshtë deklaratat e tij mbi rritjen e vazhdueshme ekonomike? A nuk po hedh poshtë shtetin ligjor dhe social që e propagandon tash sa kohë? A nuk po hedh poshtë nismat e tij antikorrupsion dhe antivarfëri?
Mirëpo zhvendosja e kryeministrit në qasjen e akuzës që duhej të ishte bërë prej opozitës nuk e shpëton dot prej faktit se kush janë imunitarët që po e shkatërrojnë vend.
Opozita? Jo. Opozita nuk ka pse të ndërmarrë nismën ‘e drejtë dhe morale’ të kryeministrit për të hequr imunitetin e parlamentarëve dhe zyrtarëve të tjerë shtetëror, sepse për këta të fundit ka gjasa që duke njohur kë kanë kundërshtar, kjo nismë mund tu shndërrohet në vetëvrasje politike sepse pikërisht ky kryeministër historikisht në ikjet e tij ka krijuar dhunë e destabilitet të skajshëm.
Së dyti, opozita nuk ka pse të heqë imunitetin sepse imuniteti nuk është përdorur kurrë dhe heqja e tij nuk ka pse i shtohet kaosit të ligjeve teorike. Imuniteti i vërtet nuk ka qenë statusi i deputetit a funksionarit, imuniteti i vërtetë ka qenë pengmarrja dhe zotërimi i pushtetit gjyqësor dhe Gjykatës së Lartë, shembujt e së cilit dëshmohen te krimi ekonomik i Bashës, 7% i Metës, dhe një kooperativë zyrtarësh të të gjitha rangjeve që u shfajësuan për krime të qarta e të pakundërshtueshme, me dokumentacione dhe filmime flagrante, ku paprekshmëria penale si përbërëse e statusit të imunitetit zhvleftësohej kundrejt fakteve të dala në ditën për diell.
Deklaratat e Berishës në këto kohë për drejtësi mbeten parazitare e absolutisht të rrejshme, të zbrazura prej çdo qëllimi të drejtë, sepse çdokush në këta katër milion shqiptarë të zakonshëm logjikon se kryeministri nuk mund të ndëshkojë vetveten, nuk ka qenë kurrë aq skizofren sa të vetëvritet politikisht, sepse imunitarët e vërtetë ishin dhe mbeten kasta e të korruptuarve të tij që kanë formësuar Kultin e Pandëshkueshmërisë, recesionin ekonomik dhe mjerimin shqiptar.
Heqja e imunitetit nuk është gjë tjetër veçse shantazh kundër opozitës, atyre pak zyrtarëve të ndershëm të gjyqësorit që i rezistojnë pushtetit, a LSI’së, të cilëve për të qenë qeveriformuese, u arrestohen militante drejtorish sa herë kjo e fundit ndërmerr lëvizje politike kërcënuese.
Populli e di se kujt duhet t’i hiqet imuniteti dhe shpresojmë që tua heqë me votë plebishitare në ’13, ndërkohë opozita të përmbushë premtimet e saj për mosharresë, reformim të gjyqësorit dhe ndërtimit të shtetit ligjor.
Lul, gatitu, pol flet shefi.
nje mbyllje ne psiqiatri e berishes, do ta zgjidhte cdo gje ne shqiperi.
Shkrim i qarte, i thjesht dhe konkret, shkruar nga nje firme e re , pasi shume firma te tjera ” te njohura ” une nuk marr mundimin t’i lexoj. Shpresoj te lexojme prej tij edhe shkrime te tjere.