Stina e verës po nxehet e bashkë me të po nxehet dhe marrëdhënia e partive të vogla me kodin e ri zgjedhor. Në mënyrë të përditshme kryetarët e partive të vogla zënë ekranet e televizioneve duke deklaruar mbi padrejtësitë e panumërta që i bëhen nga PS, PD, OSBE. Por sigurisht më e sulmuara është PS, kjo dhe për faktin që përgjithësisht në ambientet e politikës ballkanike, të sulmosh partinë opozitare është më e lehtë se atë që është në pushtet. Paradoksalisht dhe partitë që janë në koalicion me PD ia hedhin fajin PS për mungesën e shanseve të barabarta! Edhe pse do e kishin më të lehtë, sikur ta kishin seriozisht, që të dilnin nga koalicioni nëse kushtet e tyre nuk pranoheshin.
Unë jam një admirues i partive të vogla sepse mendoj që demokracia përfaqësuese është e tillë kur si aktorë politik ka më shumë se dy, besoj që ndarja e pushtetit është pikënisja e pikëmbërritja e demokracisë. Por ajo që më shqetëson është mënyra se si e shohin partitë e vogla pozicionin e tyre.
Në Europën perëndimore, aty ku aspirojmë të shkojmë jo vetëm si integrim institucional,por mbi të gjitha si pjesë përbërëse kulturore dhe politike, roli i partive të vogla është mbi të gjitha besnikëria ndaj asaj që përfaqësojnë dhe lobimi në qeveritë ku bëjnë pjesë të ideve që i kanë ndërtuar. Rastet janë të pafundme,mund të flasim këtu për Partinë e Gjelbër në Gjermani, për të majtën e të djathtën radikale në Francë, për të mos folur për rastin e Greqisë kur një parti e vogël si SYRIZA u bë domethënëse në skenën politike pikërisht prej besnikërisë që tregoi në idetë e veta. Po a mund të themi të njëjtën gjë për partitë e vogla në Shqipëri?
Të nisim me të parën, a janë partitë tona besnike ndaj ideve dhe elektoratit të tyre? Ose më mirë të themi, a kanë partitë e skenës tonë politike sot një program besnik ndaj asaj që pretendojnë se përfaqësojnë? Rasti më skandaloz padyshim është ai i LSI, e cila pasi trumbetoi “të majtën e vërtetë” shkoi dhe bëri një martesë të lumtur me të djathtën, duke qeverisur tanimë dhe jo me pak probleme për tre vjet me radhë. Republikanët, të cilët pronën e kanë në qendër të programit të tyre, nuk e thanë asnjë gjysëm fjale kur partia me të cilin qeverisin tani e 7 vjet, e ka dërrmuar pikërisht pronën kudo e kurdoherë gjatë qeverisjes së tyre, para 97 e pas 2005. Madje dhe partitë të ndërtuara me një sfond identitar si PDIU, të cilët trumbetojnë ekzistencën e tyre si mbrojtëse të një komuniteti specifik, janë transformuar në dallaveraxhinj të pushtetit. Deklaratat e tyre janë shumë problematike, si p.sh “ne do jemi gjithmonë në qeveri për të mbrojtur komunitetin e të drejtat tona”!! Pra dhe me ato parti të cilat çështjen kombëtare nuk e kanë fare në program?! Pyetja që mbeti pa përgjigje e gazetares Ilva Tare se si e ndihmon komunitetin çam drejtoria e patentave është logoja e një politike e bazuar vetëm mbi interesa momentale e jo largpamësi. Deklarata të ngjashme këto ditë kanë ardhur dhe nga Milo, i cili pasi ja ka vënë emrin partisë “demokracia sociale”, deklaron që do jetë me çdo kusht në qeverinë e ardhshme,duke supozuar kësisoj që do ishte i gatshëm që të bëheshe pjesë dhe e një qeverie të formuar nga PD, e cila në programin e saj nuk ka asgjë sociale, e aq më pak demokratike.
Deduksioni logjik i cili lind jo prej ndonjë dashakeqësie të autorit, por vetëm duke skanuar deklarata publike të bëra me vullnet të lirë të krerëve të këtyre partive, na bën të besojmë që për së largu në këto parti nuk ka një besnikëri ndaj ideologjisë që ato përfaqësojnë. Pra kësisoj nuk plotësohet kushti i parë i ekzistencës së tyre dhe mbi të gjitha paradoksi i deklaratave të tyre ku pasi akuzojnë partitë e mëdha për klientelizëm në fillim të fjalisë,e përmbyllin të njëjtën fjali duke shpërfaqur me gojën e tyre një klientelizëm skandaloz e një marrëdhënie gati fetishiste me pushtetin.
Problemi tjetër që haset në këto parti, është dhe ky një paradoks tjetër, ndërkohë që akuzojnë partitë e mëdha për personalizim pushteti dhe mungesë demokracia, e shpërfaqin atë totalisht në marrëdhënie me partinë e tyre. Krerët e këtyre partive nuk kanë promovuar askënd asnjëherë, ato janë aty prej dekadash dhe shumë pak figura publike me peshë kanë dalë prej këtyre partive. E kundërta ndodh me partitë e ngjashme në Europë që sot tronditin botën me karaktere si Alexis Tsipras, La Fonten, Melonsho etj. Partitë tona të vogla kanë pasur mundësinë me rotacion që të administrojnë pushtet brenda qeverisë,forma të cilat do krijonin hapësira për promovime figurash që eventualisht do krijonin një freski jo vetëm në partitë e tyre, por edhe në skenën politike shqiptare. Ndërkaq ajo çfarë kemi sot janë të njëjtat fytyra, të cilat e kanë transformuar partinë në një grup individësh në kërkim postesh dhe jo në një grup idealistësh që do luftonin për idealet e tyre. Nëse e reduktojmë politikën vetëm në vend pune, atëherë edhe Taçi fjala bie, mund të bëjë një parti e ti thotë të gjithë individëve që aderojnë, bashkohuni me mua që të gjeni një vend pune. E përgjithësisht partitë e vogla në Shqipëri janë biznese që votat i kanë të numëruara me vende pune. Rasti i LSI është ndër më të spikaturit, që elektoratin e saj e ka po aq sa dhe ka hapësirë në administratë.
Partitë e vogla duhet të jenë një vlerë e shtuar e skenës politike, jo një zgjatje problematike e problemit politik shqiptar ku fushata reduktohet jo në diskurs politik, por në premtim të rëndomtë postesh dhe dallaveresh.
Skena politike shqiptare ka nevojë jo vetëm për parti të vogla, por dhe për grupe presioni, për një rilindje të shoqërisë civile, të sindikatave e këshillave studentorë. Por sigurisht duke plotësuar së pari kushtin e besnikërisë ndaj idesë që i krijoi. Kjo i bën sot partitë e vogla të dobëta në negociata dhe të pafuqishme në terren e është pikërisht kjo sjellje meskine,që e krijon amullinë në mendjen e qytetarit, i cili e mbyt kështu pasivitetin e tij nën sloganin qeveritar të gjithë janë njëlloj se të gjithë luftojnë për pushtet personal.
Shqipëria nën drejtimin e Berishës sot është para një udhëkryqi të rrezikshëm, e cila e ka të domosdoshme që një herë e përgjithmonë të bëjë një ndarje përfundimtare mes të jetuarit në batakun e aktualitetit,dhe mundësisë për të ëndërruar. Statusi që nuk do marrim në tetor për faj të kësaj qeverie nuk është thjesht dhe vetëm një presion simbolik që bën BE, por janë miliona euro investime që do shkonin për të rivitalizuar bujqësinë, industrinë, infrastrukturën, biznesin e vogël. E vetëm për një dëshirë personale kontrolli të një lideri të dalë duarsh i mohohen sot shqiptarit duke e detyruar të durojë vjedhjet dhe abuzimet, e duke e vrarë në bulevard kur ngre krye. Një situate e tillë ka nevojë për një rezistencë parimore e bazuar mbi idenë e rilindjes kombëtare si i vetmi kusht për të ringjallur ëndrrat për të ardhmen në një vend që mbahet me dhunë në terrorin e së shkuarës. E për të kaluar këtë situatë duhet që negociatat mes partive të ndërtohen mbi baza idesh dhe parimesh, e jo pazaresh, përndryshe një ngjizje e tillë do shkaktonte vetëm regres. Ky është çasti historik që duhet kuptuar nga kushdo, që të dalim një herë e mirë nga vogëlsia e interesave personale për të ndërtuar një narrativë të re të interesit publik. Një palmë në shkretëtirë nuk e ndryshon kushtin e shkretimit, por disa palma që rriten e shumohen japin perspektivën e gjelbërimit, pra të jetës, jashtë makthit të shkretimit ku dhe një herë, e padyshim për herë të fundit na ka hedhur çmenduria e Berishës e bandës së tij.
LSI # 1
http://imazheshqip.blogspot.com/2012/05/kjo-eshte-lsi.html
Burrat per vjedhje dhe femrat per kurveri.
Shkrim i bukur-komplimente autorit
Shume bukur Leart jam plotesisht dakort me ty per kete analize qe ben,edhe per inkurajimin e shoqerise civile apo te sindikatave m.gj.se dua te te kujtoj qe ne ate mardhenien qe ke me sindikatat, nese nuk ke informacion se si punojne brenda ne organizatat e tyre ne lidhje me misionin qe ka sindikata nuk ke faj qe bashkepunon, por ne qofte se ke atehere per te gjitha sa shkruan veç se tallesh sepse, me ata (sindikatat) qe ti bashkepunon nese do te kishin pushtet do te beni si Berisha sepse me aq sa kane ne organizaten e tyre bejne te njejten gje si ai.
Leart shkrim i bukur por sikur e ke bere per veten… e them kete se ti kohe me perpara dilje ne cdo vend dhe pikersht kritikoje te madh e te vogel pikerisht se nuk kishin me asnje parim. Ndersa tani je kthyer ne nje ushtar te rendomt te Erjonit. Duke bere nje loje te ulet ne ps je bere i papelqyer pa hyre akoma ne struktura… me vjen keq per ty se nuk munde ti rezistish pikerisht athere kur duheshe.