Doli prej zarfit, tash nuk del prej zyrës!

11 Korrik 2012, 20:12Blog TEMA

Nga Enver Robelli

 

Maskarada e organizuar nga ambasadori Christopher William Dell dhe kidnapuesi i shtetit Hashim Thaçi këto ditë mori formën përfundimtare: me bekimin e Gjykatës Kushtetuese Atifete Jahjaga mund të mbajë postin e kryetares – si rezultat i një marrëveshjeje politike antikushtetuese dhe antidemokratike

 

Së pari një lajm i mirë: më së largu në shtator nga Kosova do të largohet Christopher William Dell, i cili që nga korriku 2009 shërbeu si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë. Kur erdhi në Kosovë, Dell ngjalli disa shpresa. Menjëherë mbajti fjalime, ku nënvizoi rëndësinë e luftës kundër korrupsionit, i përmendi viktimat që me vite presin drejtësinë, kritikoi plaçkitësit e Kosovës, të cilët sillen si kapadainj. Shoqëria civile e Kosovës, gazetarët, në përgjithësi opinioni kritik e mirëpriti këtë qasje të ambasadorit. Por, në fund të mandatit bilanci i Dellit është tejet i dëmshëm: në kujtesën e opinionit iluminist ai mbetet vetëm si shkatërrues i demokracisë, i intervenimeve arbitrare dhe kurdisjeve të vendimeve. Në vazhdim do të tregohet edhe pse mbetet i tillë.

 

Paraardhësja e Dellit, Tina S. Kaidanow, kishte lënë një nam të keq prapa, duke u marrë me mikromenaxhim të politikës, mes të tjerash, edhe me qëndisjen e flamurit të Kosovës, me të cilin vështirë të identifikohet dikush – jo pse Kosova nuk duhet të ketë flamur, por pse ky bajrak është imponuar nga lart dhe jo si rezultat i një debati publik. Një shembull tjetër: a e mban mend dikush ndonjë fjalë nga momenti kur Hashim Thaçit si kryeministër i thanë ta recitojë proklamatën e pavarësisë? Jo! Jo, sepse deklarata e redaktuar nga Tina S. Kaidanow dhe vartësit e saj tingëllonte si një ditiramb i dobët, i cili dikur zakonisht lexohej me rastin e hapjes së kooperativave bujqësore në kampin komunist.

 

Pas deklaratave premtuese në fillim të mandatit, Christopher William Dell e vazhdoi traditën e keqe të pasardhëses së tij. Në tri vitet e fundit ai ka qenë i përfshirë në pothuaj të gjitha veprimet e ndotura, të cilat ia kanë humbur kuptimin garës demokratike. Në Prishtinë ka diplomatë të Bashkimit Evropian, të cilët ankohen se ndikimi destruktiv i Dellit shkon deri aty sa e cakton edhe orarin se kur mund të shkojnë në WC liderët lokalë dhe disa përfaqësues të huaj. Kur e gjithë Kosova fliste dhe mediet shkruanin për politikanë të dyshuar për keqqeverisje dhe korrupsion, Dell nuk ngurronte t’i merrte ngrykë ose të dilte nëpër bare të Prishtinës me ta. Kur Kuvendi i Kosovës në shkurt 2011 në një atmosferë të kërcënimeve dhe shantazhit e zgjodhi në mënyrë antikushtetuese një matrapaz në postin e presidentit të Kosovës, rolin kyç – krahas kaubojit Sami Lushtaku dhe kidnapuesit të shtetit të quajtur Hashim Thaçi – e luajti ambasadori Dell. Mesazhet telefonike, të cilat citojnë Dellin, paraqesin ndërhyrje të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor të presidentit dhe do të mbesin në analet e historisë si moment i ndotjes së procedurave demokratike. Kur mediet i publikuan fotot me SMS, Dell inatçiu u përpoq t’u mbante ligjëratë gazetarëve për rregulla profesionale. Kjo ishte një ndërmarrje qesharake dhe e destinuar për dështim.

Kur Gjykata Kushtetuese e quajti zgjedhjen e matrapazit, i cili kishte thënë  “Srbija [je] još majka Kosova, nažalost, zla majka”, si antikushtetuese, Dell e nxori nga zarfi një emër: një police ordinere, me dije politike nën mesataren e shumë qytetarëve të zakonshëm të Kosovës, do të bëhej presidente. Atifete (kush?) Jahjaga! Një marrëveshje politike, e arritur nën kërcënimet e Dellit, caktonte afatet kohore për zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale dhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare, përfshirë edhe ndryshimet përkatëse në legjislacion. Nënshkrues të marrëveshjes ishin kryeministri, kanakari i tij dikur ish-komisar politik i Kremlinit, si dhe lideri i ngathët i opozitës. Marrëveshja caktonte afate kohore për këto reforma dhe për mbajtjen e zgjedhjeve.

 

Ishte kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili menjëherë pas zgjedhjes së Jahjagës presidente e citoi Kushtetutën, e cila përcakton një mandat pesëvjeçar të presidentit/presidentes. Kjo ishte një shuplakë e atypëratyshme për nënshkruesit e marrëveshjes dhe autorin e saj, ambasadorin Dell. Më vonë Krasniqi do të ankohej se me imponimin e Jahjagës si presidente ishin ulur niveli dhe profili publik që vetëkuptueshëm kërkohen për t’u zgjedhur në postin e presidentit. Këto deklarata paksa kryengritëse të kryetarit të Kuvendit bënë që Dell ta shpallte atë pothuaj armik të Amerikës – një metodë perverse kjo për luftimin e atyre që mendojnë ndryshe. Dhe kjo metodë është përdorur me bollëk të neveritshëm si nga Delli, ashtu edhe nga kidnapuesit e shtetit me Hashim Thaçin në krye, të cilët erdhën në pushtet me vota të vjedhura dhe me bekimin e ambasadorëve si Dell.

 

Tani kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila, siç e ka nënvizuar edhe profesor Arsim Bajrami, me një formulim të paqartë bekon mandatin pesëvjeçar të presidentes – deri në vitin 2016. Sipas Gjykatës, shkurtimi i mandatit të Jahjagës “duket se pakëson” të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me Kushtetutë. Thënë më së buti, ky vendim është shkruar me hamendje, me tahmin, siç thuhet në gjuhën popullore. Ambasadori Dell sot e quan marrëveshjen politike të arritur me rastin e zgjedhjes së Jahjagës hiç më pak se – gabim, por prapë përpiqet ta mbrojë, sepse paskësh qenë e diktuar nga rrethanat. Një gabim i mirë, pra? Dellit i takon merita në shpikjen e nocioneve të reja politike. Njëkohësisht ai apelon që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe bën disa elozhe qesharake mbi “punën e shkëlqyeshme” të presidentes, ndonëse për çdo ditë ne shohim një grua që ka probleme elementare të lexojë madje edhe një fjalim të shkruar nga vartësit e saj. Ndoshta Dell si punë të shkëlqyeshme të Jahjagës e sheh edhe rrahjen e një qytetari nga gorillat e saj – për shkak se qytetari kishte kërkuar t’i hapej rruga e zënë me veturat e Zyrës së presidentes, e cila po ujdisej në një sallon bukurie para takimit me presidentin e Shqipërisë.

 

Atifete Jahjaga e ka bërë tashmë të qartë se nuk do të largohet nga posti i kryetares – përkundër marrëveshjes politike. Mesazhi i saj është ky: “Unë kam dalë prej zarfit, tash nuk dalë prej zyrës”. Ç’të bëjë opinioni i Kosovës me një presidente të tillë? Rrethanat e zgjedhjes së saj nga një marrëveshje politike antikushtetuese e bëjnë Jahjagën presidente me legjitimitet të cunguar. Është punë e karakterit të saj nëse do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë, siç ka qenë punë karakteri edhe kur pranoi postin e presidentes. Por, përgjegjësinë më të madhe për këtë katrahurë politike gjithsesi e bartin shkaktarët e saj, e në radhë të parë Christopher William Dell. Të gjithë janë shkelës të Kushtetutës. Por, kjo nuk do ta shqetësojë Dellin: ai siklet të vetëm në të ardhmen do të ketë karrierën e tij. Prej postit të ambasadorit Dell duket se do të prapakthehet në shkallët e karrierës dhe në të ardhmen do të kryejë – me gjasë – një detyrë qatipi në një zyrë në Stuttgart, ku, sipas fjalëve të tij, do të merret me ushtrinë amerikane në Afrikë. Sa për krahasim: kolegu i tij ambasador në Shkup (2008-2011), Philipp T. Reeker, para një viti u emërua zëvendësndihmëssekretar i shtetit dhe është ndër zyrtarët kyç të politikës së jashtme amerikane.

 

Nga marrëveshja e ndërmjetësuar nga Delli dhe e nënshkruar nga tre politikanët e përmendur, i laguri i vetëm del kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. I gjendur nën kërcënimet e Dellit dhe jo fort i gatshëm të përballojë presionin, ai nënshkroi një dokument të pavlerë. Edhe kësaj radhe u dëshmua vërtetësia e thënies së Ciceros: “Epistula non erubescit” (letra nuk skuqet ose letra duron gjithçka). Njëjtë ishte djegur edhe ish-kryetari Fatmir Sejdiu, i cili, ndonëse profesor i drejtësisë dhe jo i papërvojë në politikë, u kishte besuar verbërisht “marrëveshjeve orale” me “ndërkombëtarët”. Nga kjo përvojë jo vetëm Isa Mustafa duhet të nxjerrë mësime.

I pari mësim duhet të jetë ky: derisa Partia Demokratike e Kosovës është një firmë biznesi që vepron jashtë kornizës demokratike dhe derisa kryetari i saj, i cili për fatkeqësinë e Kosovës është edhe kryeministër, vazhdon të bëjë politikë sipas parimit “kujt-po-ia-lëshoj-sot”, nuk duhet të nënshkruhet asnjë marrëveshje – as me PDK-në, as me Thaçin.

Mësimi i dytë: opozita e Kosovës duhet të bashkohet rreth synimit për të shporrur nga pushteti një firmë biznesi, tenderësh dhe krimesh, e cila vepron nën siglën PDK.

Mësimi i tretë: synimi për ndryshime cilësore në qeverisjen e Kosovës nuk arrihet me shfryrje pseudopatriotike dhe djegie flamujsh të Kosovës (siç veprojnë aktivistët e Vetëvendosjes), por po aq pak arrihet me opozitë vëzhguese, siç po e praktikon Lidhja Demokratike e Kosovës, një klub pleqsh që ambicie të vetme nuk e kanë zhvillimin e Kosovës, por ruajtjen e disa privilegjeve nepotiste. (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbetet e paralizuar për aq kohë sa lideri i saj vazhdon të ndiqet nga drejtësia ndërkombëtare).

Mësimi i katërt që duhet të nxirret është ky: në të ardhmen partitë opozitare shqiptare, të cilat së bashku kanë më shumë vota se PDK-ja, duhet të fokusohen në bindjen e qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje. Nëse pushtetin e zgjedhin nja 25 deri 30 për qind e votuesve, siç ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara, atëherë nuk mund të flitet për demokraci përfaqësuese. Kjo është demokraci klienteliste: në zgjedhje dalin vetëm ata që përfitojnë drejtpërdrejt nga sistemi korruptues (një vend pune, një tender, një privilegj), ndërsa 70 për qind e votuesve fishkëllejnë të zemëruar ose me vullnetin e tyre praktikojnë avashllëkun, duke e pranuar keqqeverisjen si “nafakë të keqe”. – Jo, keqqeverisja nuk është nafakë e keqe – është rezultat i apatisë, dembelizmit dhe anarkisë së vlerave.

8 komente në “Doli prej zarfit, tash nuk del prej zyrës!”

  1. beni says:

    dhe Enver, dhe Robell..
    Nga e ka origjinen e sakte ky,,.megjithese shkruan mire.
    Me pelqen.

    1. drini says:

      Pershendetje BENI

      Enver Robelli eshte nga Kamenica, Nga Kroacia punon per gazeten e njohur Gjermane Zidojqe Cajtung.

      Lirisht mund te themi se eshte Njeri nder gazetaret me te mire te Kosoves.

      Vertet eshte nje kenaqesi ti lexosh shkrimet e tija, I lumte pena e tije

    2. drini says:

      Jeton gjithashtu edhe ne prishtine

  2. Hithri says:

    Titull i qelluar dhe i mprehte. Te lumte dora Enver Robelli!

    Prandaj ishte bere uthull Dell-i sot e po nxjerr vrerin ne helm kunder Veton Surrojt?
    Sa keq qe politika ne Shqiperi e Kosove po drejtohet “heshtasi” nga ca handikapate politike si Dell-i dhe Arviziu, ku ne ndonje vend tjeter pervec ndonje spiunimi s’do kishin bere gje tjeter vec te vegjetonin brenda mureve te ambasadave, por tek ne, politikanet tane ju kane dhene nje pushtet te atille se vene e ju marrin e ju puthin doren per cdo gje, sa ata ndjehen aq te fuqishem sa s’e kane per gje te nderhyjne ne punet tona te brendeshme dhe te tejkalojne caqet e kompetencave te tyre si ambasadore.

    Mjere ky komb qe ka kaq potencial, dhe s’ka konfidence ne forcat qe zoteron por e hedh fatin e tij ne duart e ca nenpunesve lapangjoze nga amerika.

  3. Glauku says:

    Nga i gjithè shkrimi mè pèlqeu vetèm titulli :- Doli prej zarfit e tash muk del prej zyre. ( shumè i bukur ) Pèr tè tjerat qè thotè i nderuari Robelli janè njèlloj si ‘leksionet’ e instruktorit tè guidès i cili e ka tè lehtè tè ndèrhyjè, tè korigjojè dhe pèr mè tepèr ta ngrejè zèrin……Por Kosovès i duhet ‘patenta’ dhe atè nuk e ka nè dorè instruktori….
    Nuk duhet tè harohet se zoti Dell deri nè shtator pèrfaqèson USA e cila pèr qèllimin e mirè kèto metoda i ka pèrdorur nè shtete mè tè mèdhenj e mè tè fuqishèm se Kosova. Jo vetèm kaq por Kosova nuk do tè ishte kètu ku èshtè pa USA…. Tè jemi optimistè dhe tè kritikojmè zotin Dell jo pèr atè qè bèri por pèr atè qè nuk bèri e po largohet duke na lènè me njè ??? tè madhe pèr veriun e Kosovès….

  4. hasan says:

    Pene e forte ky Robelli.Me pelqen dhe mua.Po kam nje dyshim se keta ambasadoret na i emerojne lobistet qe hane leket dhe pasurite tona pertej oqeanit.Shoqeria civile duhet te protestoje para ambasadave amerikane per te shkundur departamentin e shtetit.Ambasadoret amerikane me veprimet e tyre ne Shqiperi e Kosove nuk kane mbeshtetur demokracine.Ata kane perligjur grabitjen e prones publike nga banditet pushtetare,duke ju dale krah hajduteve ,bile krimineleve me mire te thuash.Jane keta qe po shkaterrojne demokracine ndofta dhe duke perfituar materialisht nga aferat korruptive te qeverive bandite qe mbeshtesin ne Ballkan.Sidomos,sidomos ,ndiferentizmi i tyre ndaj votes se lire mua personalisht me revolton dhe me vjen ti nxjer per bythe perjashta nga shtepia jone.Nuk dua tu shikoj fytyren.Me teper ky i joni me qendrimin banal e aspak dipllomatik per 21 janarin.I urrej qe te dy tani.

    1. Glauku says:

      Nuk mund tè vendosim nè tè njèjtin plan tè urrejtjes Arvziun dhe mr. Dell zoti Hasan.
      Shqipèria ishte shtet qè pas luftès sè dytè botèrore u mundua tè ecte me hapin e sajè tè nxituar pèr tè aritur simotrat e tjera, pa e humbur aspak dinjitetin……nuk i kish detyrime askujt pèr lirinè e fituar etj
      Me shumè respekt pèr uçk por, fakti èshtè se ata nuk mundèn ta çlironin gjithè Kosovèn. Ashtu si europerendimorèt u çliruan nga aleatèt dhe Kosova u çlirua po nga aleatèt dhe ky pèrbèn njè obligim mè shumè shpirtèrorè se material tè Kosovès. Usa nuk mund tè thonin nè qershor tè ’99 tani ju çliruam po largohemi ?!?
      Nè shqipèri situata ishte krejt tjetèr. Politikanèt e rinj e hodhèn nè kosh tè plehrave eksperiencèn 40 vjeçare tè politikès tè shtetit shqipètarè, ndèrsa ajo materiale : – Ju ngjit menjèherè pèr dore…..
      Shqipèria kish mè shumè nevojè pèr rikonstruktimin e shtetit me njè demokraci mè tè gjèrè…..gjè qè nuk u bè e mundur edhe sot pas mbi 20 vjetè. Shkaqet dihen fajet kryesore tè Berishès por, nuk mund tè mos vihet nè dukje dhe “pazotèsia” e mikut tonè tè madh Usa pèr tu dhènè shqipètarève atè qè ju ka munguar, nè vend tè asajè qè na rrinte mbi kokè. Pa u zgjatur mr. Dell si do qoftè èshtè konstruktivè si ‘bleta’ ndèrsa Arvziu èshtè ‘kushèriu’ GRENZA.

      1. hasan says:

        Flm.per krahasimet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje