Imunitetet në kohët e kolerës

16 Korrik 2012, 17:53Blog TEMA

Nga Andi Kananaj

 

Diskutimi mbi heqjen e imuniteteve të zyrtarëve të lartë (pa dallim mes politikanëve e anëtarëve të gjyqësorit) përbën lajmin veror të radhës për të ngeshmit e interesuar në punët e shtetit.  I kërkua, si zakonisht, nga institucionet europiane që nuk lodhen duke na monitoruar e këshilluar, bazohet mbi tendencën e theksuar korruptive që rezulton në praktikën e institucioneve shqiptare, praktikë e cila kultivohet e patrazuar nga ndalimet ligjore, ku ndër të tjera ndihmon imuniteti që blindon veprimet e politikanëve të rangut të lartë, apo të njerëzve kyçë të administratës (burrat e tenderave). Europianët mendojnë se vendimmarrësit në fjalë, nuk duhet të gëzojnë mbrojtjen e garantuar nga ligji për kryerjen e detyrës, meqë këta dukshëm detyrës publike i kanë vënë shkelmin në fyt. E me këtë rast ideja është që të zhvishen nga imuniteti edhe gjyqtarët e lartë, që historikisht kanë qenë e mbeten më të prekshmit nga kontakti me politikën. Europianët nuk po dinë më ç’recetë të shpikin për ballkanasit për t’i  shpëtuar nga vetja e tye.

Gjyqësori futet sërish në lojë, siç dhe pritej, për faktin se duke folur në emër të një pushteti të pavarur, teorikisht merr pikë në Europë. Në këtë moment teatri i nisur vazhdon me kopjonin që diktohet nga situata: i besohet këtij pushteti të lodhur një detyrë e rëndësishme, që të dështojë rregullisht. E dimë mirë se në asnjë moment, gjyqësori nuk do të reflektojë mjaftueshëm sa të gjykojë paanësisht e të çojë në burg njerëzit me pushtet. A thua se imuniteti në letra përbën të vetmen pengesë. E vërteta është se gjyqësori po përdoret sërish politikisht dhe në këtë rrugë do të vazhdojë, ndërkohë që formalisht do të kemi përmbushur një tjetër kusht për integrimin. Kush kish mbetur enda pa u shantazhuar do të futet përfundimisht brenda rrethit magjik. Situata është tërësisht e matshme matematikisht, po aq sa është e vështirë për ta kundërshtuar publikisht. Kërkesa është sjellë me bon sens nga organizmat monitoruese, për të krijuar premisat për uljen e korrupsionit. Politikisht pika e dobët e Qeverisë kthehet në armën e saj më të fortë. Faji transferohet tek opozita që kërkon garanci, dhe ky moment reflektimi propagandohet si kundërshtim ndaj detyrave të integrimit. Dilemë paradoksale, por jo më kot jemi ballkanikë teatralë, për të gënjyer të tjerët në të keqen tonë.

Nëse realisht heqja e imunitetit do të duhej për të garantuar luftën kundër korrupsionit, hapat për të mbërritur deri aty do të ishin të një tjetër lloji. Si fillim p.sh. do duhej forcuar gjyqësori, duke filluar nga pagat e deri te garancitë reale të paprekshmërisë e të pavarësisë. Që të mund të flisnim për detyrat e reja të gjyqësorit në kuadrin e heqjes së imuniteteve, do duhej t’i gjenim anën paraprakisht ose paralelisht politikës dhe rolit që ajo kërkon medoemos të luajë në denigrimin sistematik të institucioneve. Një prej kushteve të domosdoshme do të ishte pluralizmi politik dhe siguria që një forcë politike e vetme, nëpërmjet kryeministrit të vet (aq më shumë të një Berishe) nuk do të kontrollonte njëanshmërisht gjyqësorin duke e detyruar të stepej përpara detyrës. Sepse balanca detyrë-ligjshmëri ka humbur gati çdo herë kundrejt përballjes me kërcënimin e ulët të kurdisur nga politika. Kur kjo nuk ka ndodhur, ish prokurorë, ish kryetarë partish, e të tjerë ish institucionalë janë nxjerrë jashtë loje e janë burgosur për vite me radhë.

Është interesante se si heqja e imunitetit të politikanëve për shkak të korrupsionit galopant, bëhet shkak për t’ua hequr, me këtë rast edhe gjyqtarëve. Nën petkun e barazisë përpara ligjit dhe të përgjegjshmërisë 100%, zhbëhet duke e dobësuar strategjikisht gjyqësori, arma me të cilën duhet të përballet tërësia e politikanëve të implikuar në lloj- lloj aferash. Ndërhyrja e duhur në momentin e duhur për ta anuluar sakaq thelbin e gjithë reformës.

Dukshëm i mëshohet reformës me thjeshtësinë e propagandës, duke shmangur pikërisht kërkimin e zgjidhjes së problemit. Ashtu si dukshëm, krahasimi me vende të tjera të botës dhe zgjidhjet që andej u janë dhënë problemeve të korrupsionit, është i tepërt për logjikën e shëndoshë. Sepse në asnjë nga vendet që na frymëzojnë me modele suksesi nuk do të tolerohej një politikan si Berisha apo si ata që e mbështesin pa kushte. Në asnjë prej atyre tempujve të demokracisë nuk do të lihej në dorën e një njeriu të vetëm kontrolli i çdo momenti të jetës institucionale e politike të vendit, duke ndryshuar sipas rastit, rregullat dhe garancitë e lojës. Në të vërtetë, në kushtet e varësisë së dukshme të gjyqësorit nga politika dhe pamundësisë së tij për të dhënë drejtësi, heqja e imuniteteve nuk do të sjellë asnjë ndryshim real. Bën përjashtim vetëm hipoteza e një gjyqësori të jashtëm, të themi të një trupe të përzgjedhur gjetiu, larg nga ndikimet tona, mundësisht nga aleatët tanë më të fuqishëm e të besueshëm. Le të themi gjyqtarë të zgjedhur nga NATO, apo nga një vend mik si Amerika, ku përfaqësuesit e lartë japin të gjitha garancitë e paprekshmërisë së gjyqtarëve, të cilët do të ndiheshin më në fund të lirshëm të mbushnin burgjet tona. Skenari mund të jetë komik, ose joshës, sipas dëshirës, i mundshëm në kushtet e pamundësisë reale, e i parealizueshëm në kushtet e sovranitetit kombëtar e të së drejtës ndërkombëtare të gjithëpranuar ndër kombet e demokratizuara ose në tentativë të përjetshme demokratizimi.

Në të kundërt, për ta thënë me Kunderën, metaforat (ashtu si fantazitë e shthurura për drejtësi përendimorçe) janë të rrezikshme: sepse thjesht do të vijonin të maskonin realitete prej kohësh tashmë jashtë kontrollit e jashtë ligjit.

2 komente në “Imunitetet në kohët e kolerës”

  1. Drenica e Kuqe says:

    Kolera SALI-BLU ne kohen tone!

    Drenica e Kuqe

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje