Sistemi aktual zgjedhor dhe pabarazia e votës

16 Korrik 2012, 21:05Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

 

Në një intervistë në shqiptarja.com, kreu i PDS-së Paskal Milo iu bashkua korit të partive të vogla që kritikojnë dy partitë e mëdha, PD dhe PS, për mospërfshirjen në reformën zgjedhore të korrigjimit kombëtar të sistemit proporcional rajonal.

Në përgjigje të pyetjes nëse mund të ngrihet një komision i veçantë parlamentar për të adresuar problemin e pabarazisë së votës në sistemin aktual Milo u përgjigj: “Nuk [ia vlen ] të ngrihet një komision parlamentar për një çështje të tillë. Nëse do të kishin vullnet dy forcat [e mëdha ] politike, do ta kishin zgjidhur edhe këtë çështje. Nuk do të kërkonte shumë kohë, ndoshta vetëm pak orë për ta hedhur në letër.”

Shpesh është diskutuar nga partitë e vogla pabarazia e votës në sistemin aktual dhe është sjellë si shembull për këtë pabarazi fakti se PSD-ja ose PDS-ja morën mjaftueshëm vota në rang kombëtar për të patur nga 2-3 deputetë në Kuvend, por nuk fituan asnjë mandat. Është një shembull i thjeshtë ky për të ngjitur te dëgjues/lexues jo fort të vëmendshëm e për të krijuar simpati për kauzën, por s’është i duhuri për të ilustruar pabarazinë e votës.

Pothuaj të gjitha sistemet zgjedhore në botën demokratike lënë jashtë parlamentit parti që marrin mjaftueshëm vota në rang kombëtar për të pasur përfaqësuesit e tyre atje. Në sistemet e pastra mazhoritare, nuk ka një kufi ligjor – kufiri është aritmetik. Që një kandidat të shkojë në parlament duhet të marrë më shumë vota se konkurrenti i tij i drejtpërdrejtë në një zonë zgjedhore. Dhe ky është pragu aritmetik i tij.

Në sistemin mazhoritar të pastër, një parti mund ti ketë të gjithë kandidatët me 49% të votave në zonat përkatëse dhe asnjëri të mos futet në parlament. Në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, për shembull, ka vetëm një përfaqësues të Partisë Socialiste (454 të tjerët janë Republikanë dhe Demokratë), ndërkohë që kandidatët e saj në rang kombëtar marrin rreth 3% të votave. Po të zbatohej një sistem proporcional i pastër, Partisë Socialiste do t’i takonin rreth 13 përfaqësues.

Nga ana tjetër, në sistemet e pastra proporcionale, pothuaj ka gjithnjë një prag ligjor për futjen e partive në parlament. Në Gjermani, për shembull, partitë që marrin më pak se 5% të votave në rang kombëtar, nuk futen në parlament. Në botën demokratike, vetëm Izraeli nuk ka prag elektoral (ligjor apo aritmetik) për partitë.

Me pak fjalë, sistemi ynë zgjedhor nuk përbën përjashtim për sa i përket lënies jashtë parlamentit të partive që marrin mjaftueshëm vota në rang kombëtar për të pasur 2-3 mandate parlamentare. Ai, si shumica dërrmuese e sistemeve zgjedhore, balancon në letër nivelin e përfaqësimit kombëtar me nevojën për një sistem qeverisës të qëndrueshëm.

Një shkelje e barazisë së votës që përbën një “shpikje shqiptare” është ndryshimi i peshës së votës prej të qenit ose jo pjesë e koalicionit të një prej partive të mëdha. Me sistemin aktual, një parti e vogël mund të fitojë mandat në një qark edhe me 5 mijë vota, në qoftë se është pjesë e koalicionit të një partie të madhe, por do t’i duhen të paktën 11 mijë vota në qark, në qoftë se garon më vete ose si pjesë e një koalicioni të vogël. Kështu, për shembull, në zgjedhjet e fundit parlamentare, PDIU-ja fitoi një mandat në qarkun e Vlorës me 4.9 mijë vota, ose PR-ja fitoi një mandat me 6.1 mijë vota në qarkun e Tiranës, ndërsa LSI-së iu deshën 17.5 mijë vota në qarkun e Tiranës dhe 11 mijë vota në qarkun e Fierit për të marrë nga një mandat.

Kjo po, është një shkelje flagrante e barazisë së votës! Shkelje kjo që i detyron partitë e vogla të bëhen vasale të partive të mëdha…

6 komente në “Sistemi aktual zgjedhor dhe pabarazia e votës”

  1. Daut Skela, Vlore says:

    Zaloshnja:
    tani qe sistemin e moren ne dore grate inteligjente te PD, gjithshka do te zgjidhet ne menyren me demokratike!
    @013 do jete si 1996!
    http://imazheshqip.blogspot.com/2012/07/grate-inteligjente-te-pd.html

  2. lek dushi says:

    ve re, qe vete kryetaret e disa te ashtu quajtura parti, vete quhen edhe parti te vogla.mua keto me duken ca dembele qe u duket vetja sikur jane politikane profesioniste.si ka mundesi qe te mbeten aqe te vogla sa per njezet vjet mos te munden te bejne per vete nga 10000 veta ne dy tre qarqe te vendit?kjo ndodh sepse ata individe qe quhen kryetare harxhojne shum energji duike u thene partive te medha na futni ju ne parlament e jo njerzeve arsyen perse ekzistojne….

  3. alban says:

    Keto quhen pordhe me rigon! Dhe kaq! Sa te jete gjalle Sali Bozhibozuk Berisha, nuk do te kete as parlament, as reforme parlamentare, as reforme zgjedhore, as liri dhe demokraci ne kete vend te mjere! Prisni dhe shihni se cfare do te ndodhe me zgjedhjet e vitit 2012!

  4. luis says:

    Ne fakt nje vend i vogel sic eshte Shqiperia nuk duhet te kete shume parti dhe ku dihet se shuma prej tyre as qe kane pothuajse aspak elektorat.Kemi me shume te ashtuquajtur kryetar se sa elektorat prandaj mendoj se keta duhet te shkrihen edhe nepermjet ketij kodi dhe tu bashkangjiten partive me te cilat kane pothuajse te njejten kahje dhe keshtu nuk eshte mire qe figura qe vertet i duhen parlamentit te mbeten jashte dhe te futen atje vica dhe lope qe nuk dine te lidhin dy fjale.
    Per shembull a eshte normale qe figura si Paskal Milo,Skender Gjinushi,Spartak Ngjela dhe Prec Zogaj te ngelen jashte parlamentit dhe te kemi aty njerez qe nuk i njeh askush por qe jane dele dhe qe dine vec te ngrejne kartonin sipas midese se kryetarit te tyre.
    Zoterinj pavaresisht se mund te mos u pelqejne figurat qe permenda me lart ata do ishin nje kocke e forte ne parlament dhe do te benin Berishen te fliste me vehte sepse jo vetem qe nuk u mungon eksperienca por jane te afte edhe nga ana intelektuale.
    Keta bashke me Bamir Topin dhe te gjithe ata qe nuk e duan regjimin berishian eshte mire ti bashkangjiten nje fronti opozitar ashtu sic e qujti i nderuari Mero Baze dhe qe u perkrah nga lideri i opozites zoti Edi Rama aleanca kunder regjimit.

  5. Landi FL says:

    Zaloshnja e dime qe ke qene kohe ne Amerike por paske haruar qe dhoma e perfaqesuesve ka vetem 435 anetar dhe jo 450 siç thua ti.shnet e te mira

    1. lexues i vemendshem says:

      mire e paske kapur kete lapsus, Landi FL. Por duket se eshte nje gabim shtypi (eshte shtypur 455 ne vend te 435), sepse kur zaloshnja ka llogaritur 3% te perfaqesuesve, duket qe eshte bazuar te shifra e sakte 435 (3% X 435 = 13)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje