A do e pranojë mazhoranca nismën e PS për zgjedhjen e përfaqësuesve të drejtësisë me shumicë të cilësuar?

20 Korrik 2012, 18:54Politika TEMA

Opozita propozon që anëtarët e Gjykatës së Lartë, të asaj Kushtetuese, të KLD-së si dhe Prokurori i Përgjithshëm të zgjidhen me shumicë të cilësuar. Rregullorja e Kuvendit miratohet me shumicë të cilësuar, kurse Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar vetëm për presidentin

 

Krahas një nisme ligjore për imunitetin, opozita ka bërë një propozim të dytë, që duket po kaq i rëndësishëm, në mos edhe më shumë. Ajo ka propozuar zgjedhjen e përfaqësuesve të lartë të drejtësisë me shumicë të cilësuar në Kuvend.

Meqë duket se po hapet rruga për të ndërhyrë në Kushtetutë, opozita ka bërë edhe këtë propozim, duke e quajtur shumë të rëndësishëm për reformën në drejtësi. Madje të dyja nismat, edhe ajo e heqjes së imunitetit, edhe kjo e zgjedhjes së përfaqësuesve të drejtësisë me shumicë të cilësuar, duket se shkojnë ngushtë me njëra- tjetrën.

Kryeministri Sali Berisha është treguar i pari i prerë kundër kësaj nisme të rëndësishme. Për të kjo nënkupton që të ikin nga duart institucionet e rëndësishme në vend. Berisha e justifikon këtë me faktin se nuk mundet që presidenti të zgjidhet me 71 vota, kurse përfaqësuesit e drejtësisë me votim të cilësuar. Ai thotë se kjo do e bllokonte procesin pafundësisht. Në fakt vetë Berisha ishte ai që e bllokoi procesin e zgjedhjes së anëtarëve të gjykatave të larta në vend, duke mos pranuar kandidaturat e Topit. Si përgjigje mori një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon që presidenti të konsultohet me Kuvendin për të bërë propozimet.

Parimisht nisma e opozitës shkon në këtë kah. Kuvendi bashkëpunon dhe zgjedh drejtuesit e drejtësisë në vend. Madje në relacionin për nismën citohet edhe vetë Gjykata Kushtetuese që përkrah një iniciativë të tillë.

Ja çfarë thuhet në vendimin e Kushtetueses: “…në Kushtetutat dhe Ligjet që përcaktojnë regjimin e një shteti demokratik të së drejtës, standardi përkatës në këtë drejtim synon një procedurë për emërimin e gjyqtarëve të gjykatave më të larta, që nga pikëpamja e organeve kushtetuese që marrin pjesë në këtë proces, mund të quhet plurale. Në esencë, kjo procedurë emërimi karakterizohet – ose nga ndarja e kompetencës së zgjedhjes së gjyqtarëve midis shumë organeve ose institucioneve të shtetit; – ose, në raste të tjera, nga kooperimi i institucional i dy ose më shumë organeve në caktimin e gjyqtarëve; ose si një procedure ekskluzivisht (ose pothuajse) parlamentare për zgjedhjen e gjyqtarëve, ku hyn në lojë pluralizmi konkurencial i partive politike që marrin pjesë dhe nevoja për kërkimin e një konsensusi midis tyre. Në rastin në shqyrtim, sistemi i emërimit i pranuar nga Kushtetuta e Shqipërisë ka në esencë kooperimin institucional të Presidentit të Republikës dhe të Kuvendit të Shqipërisë (……) Ky sistem emërimi, i adoptuar nga Kushtetuta, i ve subjektet që përfshihen në të, para kërkesës së respektimit të parimit të luajalitetit kushtetues, i cili shpreh, në thelb, respektin e ndërsjelltë nga secili subjekt ndaj kompetencave të tjetrit, si dhe nënkupton krijimin e një raporti bashkëpunimi midis tyre. Në rastin në shqyrtim, ky parim kërkon nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë, që në zgjedhjen e çdo gjyqtari të udhëhiqen nga i njëjti objektiv – për të siguruar një përbërje cilësore dhe të përshtatshme të Gjykatave (…..) Kuvendi i Shqipërisë në rastet e shqyrtimit të dekreteve të Presidentit të Republikës për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, ka kompetencë (…)të japë ose jo pëlqimin për emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.”

Ndërkohë që tani është hapur rruga për ndryshime kushtetuese, shoqëria civile propozon edhe zgjedhjen e presidentit nga populli, kurse opozita pretendon të miratojë edhe ndryshimet në rregulloren e Kuvendit me shumicë të cilësuar, si dhe të propozojë që Gjykata e Lartë të ketë juridiksion fillestar vetëm për presidentin, dhe jo siç ka tani për gjithë deputetët.

 

 

Propozimet e PS

 

Neni 1

Në nenin 75 pika 2 ndryshohet si vijon:

“2. Kuvendi organizohet dhe funksionon sipas rregullores së miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

 

Neni 2

Në nenin 125 bëhen ndryshimet si vijon:

Pika 1 ndryshohet si vijon :1.Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9  anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e 3/5 të gjithë anëtarëve të Kuvendit”

Pika 5 ndryshohet si vijon : “5.Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij, por në çdo rast jo më vonë se  3 muaj nga mbarimi i mandatit të tij.

Shtohet pika 6 me këtë përmbajtje : “6.Procedura për emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues paraardhës. Kuvendi duhet të marrë në shqyrtim dekretet e Presidentit dhe të shprehet me vendim për rrëzimin ose miratimin e tyre brenda 1 (një) muaji nga marrja e dekreteve”.

Neni 3

Neni 125 pika 3 dhe neni 127 pika 3 të Kushtetutës, shfuqizohen.

 

Neni 4

Në nenin 136 bëhen ndryshimet si vijon:

 

Pika 1 e tij riformulohet:

1.Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e 3/5 të gjithë anëtarëve të Kuvendit”.

Shtohet pika 3 me këtë formulim:

“3.Gjyqtari i Gjykatës së Lartë vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij, por në çdo rast jo më vonë se 3 muaj nga mbarimi i mandatit të tij”

 

Shtohet pika 4 me këtë formulim : “4. Procedura për emërimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të gjyqtarit paraardhës. Kuvendi duhet të marrë në shqyrtim dekretet e Presidentit dhe të shprehet me vendim për rrëzimin ose miratimin e tyre brenda 1 (një) muaji nga marrja e dekreteve”.

Neni 5

Neni 141, pika 1 e tij ndryshohet si më poshtë :

“1. Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar dhe rishikues.  Ajo ka juridiksion fillestar vetëm kur gjykon akuzat penale kundër Presidentit të Republikës”.

Neni 6

Neni 147 ndryshohet si më poshtë :

Neni 147

Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhet nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, ministri i Drejtësisë, 3 anëtarë të zgjedhur nga 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, si dhe 9 gjyqtarë të të gjitha niveleve, të cilët zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Anëtarët e zgjedhur qëndrojnë në detyrë për 5 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme.

 

Neni 7

Neni 149 ndryshohet si më poshtë:

Neni 149

Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e 3/5 të gjithë anëtarëve të Kuvendit për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi. Ai përzgjidhet nga radhët e juristëve me kualifikim e integritet të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion.”

 

 

8 komente në “A do e pranojë mazhoranca nismën e PS për zgjedhjen e përfaqësuesve të drejtësisë me shumicë të cilësuar?”

  1. Koz says:

    Padyshim qe jo.
    E vetmtja gjë qe Berisha duhet te kujtoje eshte qe edhe ata gjykates, krye prokurore, president qe ka zgjedhur vete I Jane kthyer nje dite kunder…

  2. Vlora says:

    do te ishte me vend qe meqenese nderhyet ne kushtetute,te plotesohej edhe kerkesa e shoqerise civile per zgjedhjen e presidentit nga populli.

  3. hajriu says:

    Me e habitshmja eshte se PS i bene gjerat sikur do jete gjithe jeten ne opozite , ndersa PD sikur do jete gjithmone ne pozite. VFC ligjet e m…. qe beni ju te dyja , e bete kushtetuten sikur me qene leter higjenike.

  4. z says:

    PS nuk duhet ta votoje draftin e PD pa marre garanci qe aprovohet drafti i saj.

  5. Rilind says:

    TANI QE U APROVUA KODI I RI ZGJEDHOR, PS MOS TA RRUAJE SHUME. OSE TE GJITHA NDRYSHIMET SI ME SIPER KRHAS IMUNITETIT OSE ASGJE. TANI TOPI ESHTE NE FUSHEN E PD-se.

  6. hasan says:

    Nese nderhyet ne kushtetute me mire njehere e mire.Presidentin ta zgjedhe populli.Te bjere njehere e mire miti i doktor vdekjes.

  7. beni says:

    Nese do te ndiqet nje person me imunitet ,prokuroria do te filloje hetimet, do ta perfundoje dosjen hetimore dhe ta dergoje per gjykim, aty jane gjyqtaret qe i ka zgjell zoteria qe gjykohet si do ti veje halli gjykimit kjo dihet, pra cdo gje ne kete vend eshte bere me nje qark te mbyllur qe te mos kete mundesi qe te mbajne pergjegjesi ligjore asnje qeveritar,ashtu si nuk ka mbajtur deri tani,Pse cdo gje te varet nga politika pse cdo gje te zgjillet nga politika kur ne e dimi shum mire se kush eshte ne politiken e ketij vendi gjykatat nuk duhet te kene lidhje fare me politiken,pse poltikanet kane frige nga gjykatat e pavarura,nese jane te tilla.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje