Kokën lart!

31 Korrik 2012, 11:28Sport TEMA

Kokën e mban ulur dhe nuk thotë asnjë fjalë. Kanë kaluar vetëm pak orë prej shuarjes së ëndrrës olimpike dhe Majlinda Kelmendi e ka të vështirë ta përballojë. Pasi është qetësuar pak dhe ka reflektuar, ajo është ftuar sërish për një kafe në hotelin luksoz ku janë vendosur krerët shtetërorë të Kosovës, në perëndim të Londrës. Asnjë batutë nuk kryen punë. Pak më i qetë duket trajneri i saj, Driton Kuka.

Ai i flet presidentes Atifete Jahjaga, kryeministrit Hashim Thaçi, ministrit të Sportit Memli Krasniqi e ambasadorit në Londër, Muhamet Hamiti, për presionin para e gjatë pjesëmarrjes së Majlindës në Olimpiadë. Të gjithë e inkurajojnë dhe i përmendin moshën e re dhe shpresën për paraqitjen me Kosovën në Lojërat Olimpike “Rio 2016”.

Heshtjen, xhudistja e re e thyen kur pranon të rrëfejë ditën e saj ekskluzivisht për KTV-në.

“Kokën lart”, e `urdhëron’, paraprakisht trajneri.

Ajo thotë se humbi për fajin e saj, sepse nxitoi dhe besoi te vetja me tepër se ç’duhej.

“Luftën e parë e fitova dhe të dytën isha duke e udhëhequr. Ndoshta vetëbesimi shumë i madh, ndoshta dëshira shumë e madhe me përfundu luftën para kohës, bëri që të dështoj. Bëra një teknikë që m’u kthye me inercion timin,” ka thënë Majlinda.

Sipas saj, fakti që edhe në sallë kishte shqiptarë që e përkrahnin dhe mbanin flamurin e Kosovës, e ka shtyrë të mundohej të jepte maksimumin për të përfunduar garën më herët, pa e menduar se do të humbiste nga një garuese, që llogaritej më e dobëta e kategorisë deri në 52 kilogramë.

Por, ajo thotë se është mirënjohëse që merr përkrahjen e Kosovës edhe kur humb.

“I falënderoj shumë të gjithë për përkrahjen. Nuk hyj shumë më ‘Facebook’ dhe ‘Twitter’, por i kam dëgjuar gjithë fjalët e mira. Para Olimpiadës ajo ka qenë e pritshme që njerëzit të më përkrahin e të kenë simpati, por realisht nuk e kam pritur që edhe nëse do humbasë të kem këso përkrahje. I falënderoj të gjithë, krejt qytetarët për këtë përkrahje për të cilën kam nevojë,” thotë ajo.

Kur pyetet nëse presioni dhe pritjet e mëdha ndikuan në rezultatin e keq të saj, ajo nuk e mohon./KD

2 komente në “Kokën lart!”

  1. Ben Chicago says:

    sport eshte mo
    fiton humbet

  2. leonardi antwerpen says:

    Epo i ka sporti keto kujdes herave tjera mos te shrine ne dysheme se pastaj do na beheshsi LOLA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje