Parada e atletëve të Indisë në stadium gjatë ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike, është prishur nga një grua e paidentifikuar, gjë që ka shkaktuar reagime të ashpra nga zyrtarët indianë që kërkojnë shpjegime nga organizatorët për këtë shkelje të sigurisë.
Një grua e veshur me të kuqe dhe blu eci përkrah mundësit Sushil Kumar që mbante flamurin, në një kontrast të plotë me atletet femra indiane të cilat ishin veshur me të verdhë.
“Si e lejuan atë të hynte në pistë? Kjo ishte një mungesë e organizimit të sigurisë. Askush nuk e di se kush ishte ajo. Ajo thjesht dukej si indiane”, tha zëvendëspresidenti i Komitetit Olimpik Indian, Tarlokan Singh.
“Ajo eci në kreun e grupit. Veshja e saj ishte krejtësisht ndryshe, nuk mbante as kartë identiteti. Kjo duhej të kishte shqetësuar dikë në fazën e mëparshme por askush nuk vuri ujët në zjarr”.
Organizatorët e ceremonisë pranuan se po shihnin me vëmendje situatën e krijuar dhe po kërkonin shpjegime mbi këtë ngjarje, ndërsa në disa faqe interneti indiane u shkrua se gruaja misterioze ishte një studente nga Bangalor.
“Kjo ishte një ngjarje e çuditshme për të cilën duhet të na kërkojnë falje”, tha shefi i misionit të Indisë, PKM Raja. “Atletët indianë dolën në televizor për 10 sekonda dhe të mendosh që edhe në ato 10 sekonda kjo grua i vodhi skenën”, tha ai. /lajmeshqip