Dashamirësit e futbollit duhet ta rrethojnë mirë në kalendar datën 7 tetor, pasi ajo do të jetë një fundjavë e jashtëzakonshme për futbollin evropian. Gjatë përcaktimit të kalendarit për kampionatin e Serisë A në Itali, derbi Milan-Inter u caktua me datë 7 tetor, e njëjta datë e supersfidës së kampionatit spanjoll, Barcelona-Real Madrid.
Për shkak të të drejtave televizive, nuk është ende e qartë se si do të jenë të shpërndara këto dy ndeshje gjatë fundjavës, a do të luhen në të njëjtën kohë, në orare të ndryshme apo edhe në ditë të ndryshme, ku njëra zhvillohet të shtunën e tjetra të dielën.
Ndeshja e kthimit për derbin e Milanos është caktuar me 24 shkurt. Ndërkohë, Milani pret kampionët e Juventus me 25 nëntor, ndërsa takimi i kthimit në Torino është përcaktuar me 21 prill.
Vetë Juventus do të nisë rrugën drejt mbrojtjes së titullit kampion me ndeshjen kundër Parmës në 25 ose 26 gusht. Dy ndeshjet derbi me Torinon janë parashikuar me datë 2 dhjetor dhe 28 prill.
Në takimet e tjera, derbi Lacio-Roma do të luhet me 11 nëntor, ndërsa takimi i kthimit mes këtyre dy skuadrave është planifikuar me 7 prill.