Ibra provokon kuqezinjtë: PSZH është më i mirë se Milani

29 Korrik 2012, 15:10Sport TEMA

Zlatan Ibrahimoviç i ka mjaftua një ndeshje me PSZH për të treguar se parisienët janë aktualisht një skuadër më e mirë se Milani. Suedezi ishte protagonist i menjëhershëm në ndeshjen miqësore kundër DC Junajtid në SHBA, të përfunduar me rezultatin1-1, pasi gjeti rrugën e rrjetës pas vetëm 3 minutash lojë.

Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, ai nuk ngurroi t’i përgjigjej menjëherë me “Po” pyetjes nëse mendonte se ekipi i tij aktual ishte më i mirë se ai i mëparshmi. I pyetur përse e mendonte në këtë mënyrë, Ibra nuk ka vonuar të lëshojë një tjetër thumbim në adresë të kuqezinjve. “Sepse ata humbën dy lojtarët më të mirë që kishin”, deklaroi ai, duke aluduar për shitjen e tij dhe të Tiago Silvas.

“Ne synojmë të fitojmë gjithçka në këtë sezon. Jemi në Ligën e Kampioneve, kemi edhe dy Kupa në Francë, përveç kampionatit, ndaj një klub mund të fitojë gjithçka. Kemi një skuadër të madhe dhe tani duhet të transformohemi në një skuadër fituese”, tha suedezi në konferencën e tij për shtyp.

Nëse Ibrahimoviç nuk ngurron të shprehë superioritetin e tij ndaj Milanit, i të njëjtit mendim duket se nuk është trajneri Karlo Ançeloti, i cili ka preferuar që t’ia lërë këto diskutime kohës dhe jo emocioneve të momentit.

“Nuk di çfarë të them, pasi nuk është e rëndësishme të krahasohemi me një skuadër tjetër. Ata luajnë një stil tjetër loje dhe kanë një filozofi e identitet tjetër. Objektivi ynë është të përmirësojmë cilësinë e skuadrës”, tha tekniku italian.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje