Dikur kanë rrahur çekanin në tavolinë, duke shqiptuar dënime me disa vite burg, ndërsa tani pesë ish-gjyqtarë të Gjykatës Komunale të Prishtinës, tre ish-gjyqtarë të Gjykatës së Qarkut, një avokat e një përfaqësuese e Kombinatit Bujqësor, mund të dënohen në dyshimin se kanë përfituar miliona euro nga shitblerjet e tokës shoqërore.
Kryetari i dikurshëm i Gjykatës Komunale, Nuhi Uka, bashkë me dhëndrin e tij, avokatin Gazmend Gashin, si dhe me ish-gjyqtarët e Gjykatës Komunale, Olga Janiçijeviq, Sanije Muçolli, Shemsije Sheholli, Jehomir Milaliq, ish-gjyqtarët e Gjykatës së Qarkut Ekrem Agushin, Ferid Bislimin e Rrahman Retkoceri, si dhe juristja e kombinatit bujqësor “KBI Kosova Eksport” Hasnije Balidemaj, janë pjesë e një aktakuze të cilën Prokuroria Speciale e ka ngritur të martën.
Ndonëse zyrtarisht nuk janë bërë me dije ato që u vihen në barrë, gazeta ka mësuar se këta zyrtarë kanë shfrytëzuar pozitat e tyre, disa vite pas luftës në Kosovë dhe atë deri në 2006-ën, duke shpronësuar pronat shoqërore të kombinatit bujqësor, duke i përkthyer ato në emër të personave fizik e duke i shitur më pas.
Vlera e dëmit të shkaktuar nga të bëmat e këtyre zyrtarëve, sipas burimeve të gazetës është rreth 60 milionë euro ndërsa pronat e shpronësuara mësohet se janë në Vetërnik, në Çagllavicë e në Llapnasellë. “Ata dyshohen se kanë tjetërsuar edhe toka me mbi dhjetë hektar”, ka njoftuar një zyrtar i afërt me rastin.
EULEX në anën tjetër, përmes një kumtese ka njoftuar ngritjen e aktakuzës nga një prokuror special i këtij misioni.
“Prokurori e akuzoi ish-kryetarin e Gjykatës Komunale për veprat penale shpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autoritetit dhe për ndihmë në nxjerrjen e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme. Shtatë ish gjyqtarët akuzohen për veprat penale shpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autoritetit dhe për nxjerrjen e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme. Përfaqësuesi i Ndërmarrjes Shoqërore dhe avokati akuzohen për veprat penale të ndihmës për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autoritetit dhe për ndihmë në nxjerrjen e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, ka njoftuar EULEX.
Sipas këtij misioni, të dyshuarit akuzohen se janë përfshirë në 15 lëndë civile që kanë të bëjnë me padi pronësore kundër Ndërmarrjes Shoqërore (NSH), të cilat ishin nën kompetencën e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Të akuzuarit, sipas kumtesës, janë përfshirë në role të ndryshme në bazë të punës dhe profesionit të tyre.
Tërë këto të bëma sipas burimeve të gazetës e kanë pasur përkrahjen nga Nuhi Uka si shef i komunales. Dhëndëri i tij, ndërkaq dikur ka qenë punonjës i komunës dhe dyshohet se nga aty ka dhënë kontributin për shpronësim pronash derisa gjyqtarët kanë rrahur çekanin për të marrë vendime në dëm të ndërmarrjes shoqërore.
Edhe pse është kryesori në aktakuzë, Nuhi Uka e largon përgjegjësinë nga vetja duke thënë se ka qenë kryetar gjykate dhe si i tillë nuk ka qenë gjyqtar dhe nuk ka marrë vendime.
“Prokuroria pretendon që unë dhe disa gjyqtarë të tjerë kemi keqpërdorur pozitën duke nxjerrë vendime të paligjshme. Nuk e kam keqpërdorur detyrën në asnjë rast e as që kam marrë ndonjë aktgjykim të kundërligjshëm edhe kjo është e tëra dhe jam i gatshëm të përballem me akuzën dhe ligjin”, ka thënë Uka.
Tashmë kur aktakuza është ngritur, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, konfirmon se ndaj pesë nga gjithsej dhjetë persona për të cilët është ngritur aktakuza, Agjencia ka mbledhur informata që nga 2007-ta dhe si të tilla i ka dërguar në prokurori e cila tashmë edhe ka përfunduar hetimet.
“Tashmë kur aktakuza është ngritur e marr përgjegjësinë e plotë të deklaroj që një pjesë e informatave rreth këtij rasti janë proceduar nga agjencia te hetuesit”, ka konfirmuar Preteni.
Me rrove te rrova , brisku i berberit asht!