Arsenal nxjerr Uollkot në shtije

29 Gusht 2012, 10:36Sport TEMA

Arsen Venger i ka dhënë mesfushorit Teo Uollkot 48 orë kohë për të vendosur nëse do të pranojë rinovimin pesëvjeçar të kontratës së tij me 75 mijë paund në javë, apo të largohet drejt një klubi tjetër para mbylljes së merkatos së verës.

Sipas asaj që raportohet nga mediat angleze, si Liverpuli, ashtu edhe Mançester Siti, kanë konfirmuar interesimin e tyre ndaj lojtarit për të cilin “topçinjtë” kërkojnë 12 milion paund, ndërsa janë gati të bëjnë ofertën zyrtare nëse Arsenali vendos përfundimisht për shitjen e tij.

Uollkot ka kërkuar prej kohësh të ulet në bisedime me drejtuesit e klubit për të diskutuar të ardhmen, ndërsa është mërzitur kur ai është lënë në plan të dytë deri në përfundimin e shitjes së Van Persit. Lojtari, që e cilëson veten mes më të shquarve te Arsenali, ka pretendime të larta dhe kjo është arsyeja pse mendohet që ai do të refuzojë kontratën me vlerë të përgjithshme 20 milion paund që i ofron klubi.

Meqenëse futbollisti ka edhe një vit të mbetur në kontratë, ai mund të zgjedhë të qëndrojë edhe këtë edicion në radhët e skuadrës londineze për t’u larguar me parametër zero në sezonin e ardhshëm, një zgjidhje që do ta bënte atë të dëshiruar nga shumë klube në Evropë. Por Arsenali nuk dëshiron të humbë më para e si rrjedhojë, i ka kërkuar të marrë një vendim para mbylljes së merkatos, në mënyrë që t’ia ofrojë lojtarin klubeve të interesuara nëse mesfushori nuk pranon rinovimin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje