Kapiteni i Anglisë, Stiven Xherard, ka zgjedhur të jetë sa më i sinqertë për të mos zhgënjyer tifozët e kësaj kombëtareje, duke deklaruar se “tre luanëve” do t’u nevojitej një mrekulli për të fituar Botërorin Brazil 2014. Skuadra e Hodgson, që fillon eliminatoret me një ndeshje në Moldavi, është e ndërgjegjshme që asnjë skuadër evropiane nuk ka arritur të fitojë Kupën e Botës në kontinentin amerikan.
“Jam i sinqertë dhe realist. Momentalisht nuk jemi mes favoritëve për të fituar Kupën e Botës. Kjo nuk të ndalon nga besimi dhe puna për t’u përmirësuar dhe për të mësuar nga gabimet e bëra në turnetë e mëparshëm. Kjo skuadër i ka të gjitha mundësitë të bëjë më mirë në vitet e ardhshme me lojtarët e rinj apo edhe me ato që kanë më shumë eksperiencë. Duhet të vazhdojmë të kemi këtë lloj besimi, pasi mrekullitë mund të ndodhin në futboll”.
Ndërkohë, trajneri Hodgson pranoi se aktualisht në skuadër mungonin 9 lojtarë që ai do të kishte dashur të grumbullonte, për shkak të dëmtimeve apo formës së tyre, ndërsa Xhejms Milner, Teo Uollkot dhe Xholeon Leskot u stërvitën të veçuar nga të tjerët për shkak të dëmtimeve që kanë aktualisht.
“E kuptoj që detyra e kualifikimit është shumë e rëndësishme. Një Botëror në Brazil ka një tërheqje më të madhe se çdo Botëror i zhvilluar në vendet e tjera në vitet e fundit. Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë, do të përpiqemi ta bëjmë realitet një gjë të tillë. Por ky është futbolli, jo gjithmonë merr atë që dëshiron duke folur rreth saj dhe duke thënë gjërat e duhura. Duhet të jesh i mirë për të arritur aty ku dëshiron”, deklaroi trajneri i Anglisë. (