Zvicra mund thellë Shqipërinë, të paktën përsa i përket premiove që futbollistët e kësaj përfaqësueseje do të përfitojnë në rast fitoreje në çdo ndeshje të kualifikueseve të Botërorit 2014.
Federata Zvicerane ka negociuar me kapitenin Gokhan Inler shumën që do të përfitojë çdo futbollist për ndeshjet që luan kjo kombëtare dhe është përckatuar që për çdo fitore, Shaqiri & Co. do të përfitojnë 12 mijë franga zvicerane, ndërsa një barazim ka vlerën e 5 mijë frangave. Nuk ka rëndësi kundër cilës skuadër arrihen këto rezultate, pasi këto premio jepen automatikisht ndaj lojtarëve që luajtën në fund të çdo ndeshje, ndërsa ata që qëndrojnë në stol përfitojnë gjysmën e kësaj shume.
Nga ana tjetër, futbollistët e kombëtares shqiptare të futbollit, të cilët do të luajnë të martën kundër Zvicrës, përfitojnë shumë më pak se kolegët e tyre zviceranë. Premio e vendosur nga FSHF për çdo fitore është 3 mijë euro për futbollist, me barazimin që është caktuar 1 mijë euro për lojtar.
Por Komiteti Ekzekutiv ka vendosur që në rast rezultatesh të mira, të jepen edhe premio ekstra, si për shembull dyfishimi i shumave të mësipërme, edhe pse ky vendim nuk është i zyrtarizuar në asnjë shkresë por është një akord verbal mes futbollistëve kuqezi dhe presidentit të FSHF, Armand Duka.
Kërkesa e vetme e lojtarëve të përfaqësueses kuqezi është që të ketë një premio të ndryshme të ndeshjeve brenda nga ato jashtë Shqipërisë, për shkak të rritjes së shkallës së vështirësisë, por për momentin, mbetet në fuqi vendimi i marrë që dy vite më parë.