Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, është i mendimit se një lojtar i përfaqësueses së Spanjës duhet të fitojë “Topin e Artë” këtë vit. 76 vjeçari nuk e ka fshehur admirimin e tij për përfaqësuesen e Spanjës dhe lojtarët e saj në një intervistë të dhënë për “Marca”.
“Më pëlqejnë shumë futbollistët e Spanjës. Mendoj se një lojtar spanjoll duhet të përzgjidhet për “Topin e Artë”, për atë që arritën këtë vit në Kampionatin Evropian. Por ne nuk influencojmë dot në votim”, pranoi ai.
“Kazijas dhe Ksavi personifikojnë vlera të rëndësishme rreth punës së palodhur dhe si ajo mund të sjellë suksesin. Ata përfaqësojnë gjithashtu edhe sistemin e shkëlqyer të futbollit të moshave në Spanjë, një sistem që ka ndihmuar të bashkojë këtë komb”.
“Ata të dy janë profesionistë të shkëlqyer në fushë dhe nuk janë më ndryshe jashtë saj. Por kemi ende shumë për të parë, para se të themi se Spanja e tyre është kombëtarja më e mirë e të gjitha kohërave”, deklaroi Blater.
Ndërkohë, pikërisht dy futbollistët e përmendur nga Blater, dje janë nderuar me çmimin prestigjioz sportiv “Princi i Asturias”. Juria e këtij çmimi bëri të ditur se përveç arritjeve sportive, dy lojtarët ishin përzgjedhur edhe për faktin se kishin ruajtur një miqësi të ngushtë me njëri-tjetrin që në moshë të vogël ndonëse luanin për dy skuadrat rivale të Real Madrid e Barcelonës. /lajmeshqip
Ja çfar don te thot kur pèrzihet njerezorja dhe futbolli profesionist. Keta jane parasegjithash njerez.