Rrobat e mbretit
Ndonëse ‘nuse’ për së dyti, mazhoranca aktuale me politikat ‘lakuriqe’ të saj, i vuri kapak sundimit 20 vjeçar të partitokracisë tradicionale duke kulmuar me një hibrid që për standardet perëndimore përbën një ‘tumor’ demokratik me ‘metastaza’ të frikshme korrupsioni, abuzimi me pronën, alkimie me votën, pasigurie për jetën dhe pronën, zhbërje të pasurive dhe degradim të shërbimeve publike, kapje të pushteteve, nepotizëm dhe mediokraci militantësh etj. E tëra kjo në sytë e perëndimit që uli vazhdimisht ‘stekën’ dhe nuk e drejtoi qartë gishtin për të ndëshkuar me ‘embargo’ politike dhe administrative pushtetarët abuzivë por përkundrazi flirtoi me ta duke lënë në inercinë e ‘karantinës’ prej integrimit europian qytetarin e thjeshtë me të vetmen gjë në dorë, votën, edhe atë të pavlerë. Një qorrsokak demokratik që përtej një rokade rutinë pushteti, apelon për ‘reboot’ demokratik dhe rilindje radikale të gjithanshme.
Prona tek (më) i zoti!
Rilindja nënkupton pronësi me drejtësi. Tek i zoti dhe jo tek ‘më’ i zoti. Sesa një tmerr pafund, është koha për të abroguar ligjin 7501 me një periudhe tranzitore deri në kalimin e pronës tek i zoti. Ndonse filozofikisht toka nuk i takon askujt dhe njëkohësisht të gjithëve, duke pranuar kapitalizmin, duhet respektuar tapia dhe dinjiteti i pronarit. Nëse e pamundur, shteti të komisionojë kreditim afatgjatë për poseduesit aktual që pronarët e ligjshëm të marrin kompensimin financiar urgjentisht. Kosto elektorale!! Ajo dhe rilindja demokratike nuk shkojnë së bashku, por dhe nëse bëhen llogari të tilla, me shumë gjasa respektimi i pronës shndërrohet në asetin elektoral të ‘kalorësit’ të së drejtës.
Gurin e parë ai që nuk mëkatoi
Rilindja nënkupton reflektim ndaj vetvetes. Ndonëse mazhoranca është tashmë pjesë e problemit, opozita nuk mund të marrë apriori të mirëqenë besimin e elektoratit. Askush nuk mund të hedhë ‘gurin e parë’ pa u vetërrëfyer ndaj përtej bilancit të pushtetit të djeshëm, zigzaget në opozitë domosdojnë transparencë pa ekuivoke prej lidershipit opozitar për të ringjallur besimin e elektoratit në largpamësinë dhe koherencën që rilindja presupozon. Nëse për opozitën, Gërdeci, 21 janari, tjetërsimi i votës, ngrirja e integrimit e deri dhurimi i ujërave janë sjellje prej ‘pushtuesi’ në ikje nga ana e mazhorancës, atëherë qasja ‘budiste’ sa të bjerë ‘molla nga dega’ në 2013 stonon me qasjen deri para 21 janarit për më tepër kur sipas saj gjërat veçse po përkeqësohen deri në moskthim.
Kofin pas të vjeli
Rilindja nënkupton veprim. Pikërisht se nuk jemi demokraci funksionale ku rotacioni vjen përmes votës dhe ku qeverisja nuk është e huaj ndaj dorëheqjes, nëse opozita apelon se ekonomia dhe sistemi i vlerave po rrënohen me shpejtësi dhe se qytetari i ndershëm ndjen presionin e ‘lugës së çorbës së prishur’ për të mbijetuar familjarisht në këtë ‘kusi me presion’ për komfortin e perëndimit, ajo ka detyrimin të bëjë gjithçka dhe urgjentisht për bllokimin real të abuzimit pushtetar. Përtej denoncimit verbal alla-mediatik, gjithçka që përfshin arsenali demokratik – komisionet hetimore, lobimi pranë institucioneve dhe medias prestigjioze perëndimore, rruga gjyqësore, peticionet, inisiativat për referendume, mbështetja e sindikatave, medias profesionale, OJQ, sponzorizimet, marrëdhënie me publikun etj, protestën paqësore përfshirë, duhet të jenë aksion dite për të. Ndryshe precedenti i ‘tërsëllimave nga dritarja’ në mos alibi ‘po të lë që të më lësh’ për të nesërmen, bie ndesh me kohezionin dhe përkushtimin që rilindja presupozon. Elektorati nuk është keq për heqje kollarosh dhe takime me ekipe xhirimi pas për gjëra që dihen tashmë por për demostrim real të vullnetit për ndryshim sot dhe jo pasi të jetë tjetërsuar pa kthim prona legjitime, pasuria strategjike e tokës dhe nëntokës, cenuar integriteti territorial, refuzuar sërish ftesa e integrimit europian, kenë humbur jetë të tjera në incidente banale që provokon mjerimi material dhe shpirtëror i tranzicionit etj.
Rilindja fillon me shpresën
Rilindja nuk mund të monopolizohet. Përtej çdo meskiniteti dhe patetizmi elektoral, ajo nënkupton bashkim mbi vlera morale, qytetare, kombëtare dhe perëndimore dhe jo pragmatizëm amoral dhe flirtim me protagonistë të tejkaluar që vullnetarisht u bënë pa kthim pjesë e problemit prania e të cilëve sesa prurje votash provokon boomerang dhe rrënim të imazhit të opozitës dhe kauzës së rilindjes. Me pronën legale dhe votën e lirë si kryeshtylla të bashkimit, shërbimi imediat që opozita e ende e fragmentizuar ka si detyrim historik ndaj elektoratit të dëshpëruar për shpresë, është thirrja e një tryeze të rrumbullakët me çdo zë anti statukuosë së banalitetit demokratik – PS, AK, FRD etj dhe shpalosja e një programi inspirues dhe ekipi me integritet dhe reputacion, vijuar me ndërmarrjen e iniciativave të përbashkëta që shkurtojnë ditët e një qeverie që, ndonëse e sajuar me vota aty-këtu, së fundi dëshmon arrogancë të pafre për të privatizuar me ngut gjithçka që u takon të gjithëve me pasoja të paparashikueshme për të nesërmen.
Përtej aksioneve sensibilizuese së fundi të AK, çdo qasje pasiviteti në pritjen e 2013 teksa demokracia dhe interesi kombëtar cenohen përditë, shkon ndesh me mesazhin e rilindjes dilema e së cilës nuk është rokada e emrave dhe ambicia kryeministrore por demokracia normale dhe mirëqenia e dinjiteti i shqiptarit. Me një pushtet që i bën të gjitha, 2013 nuk ka garanci për normalitet zgjedhor dhe tam-tamet nga opozita për numërimin mbrapsht nuk ngushëllojnë si ata që duan të mbijetojnë sot ashtu dhe shpirtin e rilindësve të parë që sakrifikuan për Shqipërinë Zonjë. Që të mos mbahet mënd si opozita që ‘nis por nuk bitis’, 2013 duhet konsideruar ‘zari’ i fundit në kalendarin e opozitës së bashkuar në ambicien për pushtet, shoqëruar kjo me lobim efektiv në botën anglo-saksone në përgjithësi dhe Amerikën mike në veçanti. Rilindja është fjalë e madhe. Ajo fillon me shpresën dhe shpresën e lind vepra teksa demokracia nuk e ka më luksin e sehirit.
NCUQ, NCUQ, NCUQ!
E hidhur po mese e vertete! Tek me i zoti ne konkurim shpellar, jo qytetar!
http://imazheshqip.blogspot.com/2012/09/stop-vjedhjes.html
E ke qare artikullin por nuk te kuptojne keto trushkulurit opozitare jo
Komplimenta artikullshkruesit. Shkrim shume i prere e i sakte
Toka ne Amerike i perket 100%shtetit!Te gjithe shtetasit e marrin ne cfrytezim per bujqesi,industri apo thjeshte per te bere nje shtepi dhe i paguajne shtetit qirane!!!!!!!!!
Z.Duka ja ke te drejte,por edhe drejtesia me peshoren ne njeren dore ka ne doren tjeter SHPATEN, pa te cilen s’fiton dot.Besoj e ke te qarte skulpturen e saj.