Ndeshja e sotme në “Santiago Bernabeu” mes Real Madrid dhe Mançester Sitit nuk do të jetë një takim normal mes dy skuadrave. Fillimisht është një përballje mes të resë në futboll dhe traditës, të gjitha të mbuluara nga milionat e eurove që kushtojnë dy skuadrat.
Gazeta spanjolle “Marca” e ka cilësuar këtë si “Ndeshja e 1 mijë milionëve”, duke iu referuar shifrave të larta të paguara nga të dy klubet për të blerë lojtarë si Kristiano Ronaldo, Karlos Tevez, Serxho Aguero, Luka Modriç, Jaja Ture apo Ksabi Alonso.
Sipas spanjollëve, vlera e blerjes së lojtarëve për secilën skuadër arrin 400 milionë eurot, pa harruar këtu se në stol qëndrojnë rreth 100 milionë euro të shpenzuara edhe për ata që janë zëvendësues me lojtarë si Kaka, Baloteli, Benzema e Xheko që do të shohin nga stoli fillimin e takimit.
Këtyre shumave i shtohen edhe rrogat stratosferike që përfitojnë këto futbollistë, me pjesën më të madhe të tyre që kalojnë 5 milionë eurot në vit, për të mbërritur deri te 12 milionë eurot e Kristiano Ronaldos apo Karlos Tevez.
Gazeta madrilene është e bindur se ndryshimi i vetëm për momentin mes këtyre dy skuadrave është fama që kanë ato. Real Madrid është padyshim një ndër klubet me të njohura në botë, në mos më i njohuri, e ka mundësinë të bëjë blerje multimilionere për shkak të të ardhurave që siguron me marketingun e imazhit, falë popullaritetit të jashtëzakonshëm që ka në botë.
Ndërsa Mançester Siti, deri pak vite më parë ishte një skuadër mesatare në Angli, me një histori “të harruar” për shumë dekada. Milionat e sheikut Mansur e kanë kthyer atë në një nga klubet më të fuqishme në Angli, e jo rastësisht është shpallur kampion në sezonin e kaluar. Ndonëse Siti është klubi numër 8 në Angli për trofe të fituara, investimet e vazhdueshme të miliona eurove në merkato për të blerë lojtarët më të mirë, mund ta kthejnë atë shumë shpejt në një superfuqi jo vetëm në Angli, por edhe në Evropë.
Ndeshjen nuk arrita qe t’a shikoj . Sido qe REALIN E URREJ NGA MURINJUA , UROJ QE T’A KENE MERITUAR FITOREN .