Shpërfaqen pretendimet serbe për Kosovën

23 Shtator 2012, 17:51Rajoni TEMA

Deklarata e kreut të Qeverisë së Serbisë, Ivica Daçic, se “ndarja e Kosovës është zgjidhja e vetme reale”, nuk ka bazë reale, por përmes këtij qëndrimi Daçic paralajmëron pozicionimin e Serbisë në dialogun e mundshëm me Kosovën, vlerësojnë njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike në Kosovë.

Sipas tyre, kjo tregon se çfarëdo dialogu në të ardhmen, Kosova dhe Serbia e shohin prej dy këndeve krejtësisht të kundërta, që do të thotë se Kosova e sheh dialogun si një proces për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërkaq, kjo e fundit e sheh si një mundësi tjetër për ta cenuar dhe mohuar shtetin e Kosovës, si dhe ta destabilizojë atë.

Politologu Behlul Beqaj, thotë se deklarata e kryeministrit serb, Daçiq, nuk është befasuese, pavarësisht kundërshtimeve që kanë autoritetet e Kosovës, por edhe bashkësia ndërkombëtare lidhur me ndryshimin e kufijve.

“Por, kjo nuk është aq shumë me rëndësi sa është me rëndësi edhe një deklaratë, të cilën kohë më parë e pati dhënë ish-koordinatori i Paktit të Stabilitetit, zoti Busek, që ndërlidhet me mundësinë e koordinimit të veprimeve që kjo ide të ketë mbështetës sa më të mëdhenj dhe eventualisht të bëhet sa më reale”, thotë Beqaj.

Analisti i çështjeve politike, Ardian Arifaj, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillimin e Politikave-KIPRED, thotë se kryeministri serb, Daçiq, e ka të qartë që opsioni i ndarjes së Kosovës përjashtohet kategorikisht nga elita politike në Kosovë, por sidomos nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i frikohet një efekti domino që do të mund të shkaktonte ndarja e Kosovës.

“Kjo (deklarata e Daçiqit) shumë më tepër ka gjasa që të jetë një pozicionim i Serbisë para bisedimeve, në të cilat ata presin që do të bisedohet edhe për veriun e Kosovës, me synimin që të nxjerrin një zgjidhje që i ofrohet sa më shumë ndarjes së Kosovës – pra, një autonomi sa më të madhe, një shkëputje sa më të madhe të veriut të Kosovës nga Prishtina”, shprehet Arifaj.

Në anën tjetër, ditë më parë, drejtori i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Aleksandër Vulin, ka deklaruar se Beogradi dëshiron vazhdim të bisedimeve me Prishtinën, por pa kurrfarë parakushtesh.

Njohësit rrethanave dhe zhvillimeve politike, vlerësojnë se deklaratat e zyrtarëve të lartë serbë, siç është edhe kjo e fundit e Daçiqit, në njëfarë forme janë parakushte, të cilat ata po përpiqen t’i vendosin.

Megjithëkëtë, politologu Beqaj thotë se Serbia nuk është në pozicion që të vërë kushte ose parakushte për vazhdimin eventual të dialogut me Kosovën.

“Këto janë më shumë prekje të pulsit për gatishmërinë e faktorëve që janë pjesëmarrës në dialog, apo të atyre që e mbështesin dialogun. Por, gjithsesi, unë mendoj se hapja eventuale e çdo kushti nga njëra anë, duhet të nënkuptojë edhe hapjen e kushteve nga pala tjetër”.

“Në rastin konkret, nëse eventualisht mendohet për veriun, atëherë, në mënyrë definitive, duhet të mendohet edhe për Luginën e Preshevës, për arsye të parimit, të reciprocitetit dhe të drejtësisë”, thekson Beqaj.

Ndryshe, autoritetet e Kosovës kanë ripërsëritur qëndrimin se në dialogun eventual me Serbinë çështja e veriut të Kosovës përjashtohet si temë.

Analisti Arifaj thotë se dialogu nuk ka alternativë, por qëndrimi i zyrtarëve kosovarë është inkurajues, ashtu siç është edhe qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare.

Sido që të jetë, Serbia tashmë është në pritje të datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për të cilën gjë zyrtarët evropianë i kanë vënë kusht normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën./REL

4 komente në “Shpërfaqen pretendimet serbe për Kosovën”

  1. Lirija jo e Saliut says:

    Kosova ka vetem dy rruge perpara:
    1-nje te vazhdoje te jete shtet me vete dhe
    2- te bashkohet me Shqiperine.
    Presim qe te ndodhe e dyta.
    Rruge te trete e dine mire te gjithe qe nuk ka.

  2. krosi says:

    Po po ndarja e metejshme e serbise eshte zgjidhja e vetme e tanishme !!!

  3. raimondi says:

    Serbet nuk heqin dore nga veriu, dhe kane edhe perkrahjen e heshtur te EU-se per kete
    Ndaj qe te mos dalim me humbje, direkt kekrojme shkembim teritoresh midis Veriut dhe lugines se Preshves -dhe mbyllet muhabeti me serbet

    Por ama gjate ketij shkembimi , gjithe serbet qe jane ne pjeset e tjera te Kosoves duhet ti largoni nga Kosova , s epo ngelen aty do ju hapin pune ne te ardhmen

    Keshtu qe behet shkembimi i teritoreve duke i larguar totalisaht te gjithe serbet nga Kosova

  4. Glauku says:

    Ashtu siç janè sot mardhèniet e Serbisè me Kosovèn nuk mund tè mendohet aspak pèr shkèmbim teritoresh me Serbinè. Njè kapitull i tillè mund tè ndodhi disa kohè pasi Serbia tè ketè njohur Kosovèn. Thjeshtè, shkèmbimi mund tè bèhet nè paqe e mirèkuptim tè plotè dhe nè kushte krejt tè barabarta midis palève. Sot pèr sot njè ide e tillè èshtè e rrezikshme pèr KOsovèn.
    Shqipètarèt nuk duhet tè nguten, duhet tè jenè tè patolerueshèm pèr rruajtjen e teritorit tè Kosovès dhe atje ku qeveria nuk qèndron dot : -Ti lihet fjala popullit tè Kosovès , sigurisht nèpèrmjet Referendumeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje