Aguero akuzon gjyqtarët për nacionalizëm

1 Tetor 2012, 11:38Sport TEMA

Serxho Aguero ka akuzuar gjyqtarët e kampionatit anglez se janë shumë nacionalistë, duke favorizuar më shumë lojtarët vendas sesa të huajt, në rastet ku ka diskutime për simulim. Argjentinasi është i bindur se të huajt e kanë shumë më të vështirë të sigurojnë një penallti sesa futbollistët anglezë.

“Ne thjesht luajmë lojën tonë dhe është detyra e gjyqtarit të gjejë se kush mashtron e kush jo. Por ka një privilegj për lojtarët vendas. Këtu në Angli ka po aq lojtarë të huaj sa edhe futbollistë anglezë dhe nuk është e drejtë që disa të gëzojnë privilegje e disa jo. Nëse gjyqtarët e bëjnë një gjë të tillë, nuk është në të mirën e askujt”, tha lojtari i Mançester Sitit.

Aguero foli pasi shokët e tij të ekipit, Karlos Tevez dhe Pablo Zabaleta nuk fituan penallti pas ndërhyrjeve të gabuara kundër tyre nga lojtarët e Fullhem në fundjavë, ndërsa ekipi kundërshtar fitoi menjëherë 11-metërsh pas një ndërhyrje shumë të diskutueshme të Zabaleta ndaj Xhon Arne Rise.

“Nuk dua të përfshihem me diskutimet rreth gjyqtarëve. Do të ketë gjithmonë gabime për çdo skuadër, përfshirë atë që u mor në favor të Fullhemit”, tha argjentinasi duke lënë të kuptohet se ishte i bindur që ajo nuk ishte penallti.

Problemi i simulimeve në kampionatin anglez ka filluar duke u theksuar shumë dhe shpesh ka patur debate nëse janë futbollistët e huaj ato që e kanë sjellë këtë fenomen, duke shëmtuar lojën në një kampionat të njohur për fair-play dhe lojën e ashpër sportive./lajmeshqip

1 komente në “Aguero akuzon gjyqtarët për nacionalizëm”

  1. Koli says:

    Jo vetem nacionalist, por tifoze te shfrenuar te Manchester United.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje