Mançini lavdëron “njeriun e ri” Tevez

30 Shtator 2012, 15:03Sport TEMA

Roberto Mançini ka pranuar se Karlos Tevez është si një njeri i ri, 12 muaj pas zënkës së tyre të famshme në Mynih. Këtë javë u mbush vitit nga ngjarja kur argjentinasi refuzoi të dilte në nxemje në stadiumin “Allianz Arena”. Në atë periudhë dukej sikur argjentinasi sapo kishte luajtur ndeshjen e tij të fundit për klubin anglez dhe do të shitej, por pasi bëri paqe me Mançinin në javët e fundit të sezonit, ai ndihmoi Mançester Sitin të fitonte titullin kampion.

“Marrëdhënia ime me Karlos është e mirë. Jam i lumtur me mënyrën se si e zgjidhëm atë situatë. Kur ne filluam stërvitjen në këtë sezon, ai ishte serioz dhe po punonte mirë, për herë të parë pas 4-5 vitesh. Jam i lumtur me mënyrën se si është përgatitur dhe se si ka luajtur në ndeshjet e para. Këto ditë ne nuk flasim më për atë që ndodhi në Mynih, kemi folur mjaftueshëm”, tha Mançini.

“Karlos është një lojtar elite, një nga më të mirët në kampionatin anglez të futbollit. Gjërat nuk kanë ndryshuar. Ai mbetet një lojtar i madh dhe do të vazhdojë të jetë i rëndësishëm për ne”, tha Mançini duke lënë të kuptohet se nuk ka ndër mend të heqë dorë nga lojtari dhe nuk dëshiron ta shesë atë në të ardhmen.

Trajneri italian kishte marrë në konsideratë idenë e shitjes së një sulmuesi më parë për të afruar Robert Levandovskin e Borusia Dortmund, por tani ka ndryshuar mendje.

“Ai është një lojtar i ri, një sulmues i mirë që shënon shumë gola në Gjermani. Por ne kemi katër sulmues që janë mëse të mjaftueshëm”, tha Mançini, duke lënë të kuptohet se nuk do të largojë asnjë nga futbollistët që ka, sidomos për faktin se Xheko po gjen me vazhdimësi rrugën e rrjetës edhe duke luajtur si zëvendësues.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje